SHBA - Los Angeles Lakers humbën 120 - 113 në udhëtim kundër Denver Nuggets, por në këtë ndeshje LeBron James ka vendosur një tjetër rekord. Në fundin e çerekut të parë të sfidës kundër Nuggets, basketbollisti veteran gjuajti saktë, duke shënuar koshin numër 15.838 në karrierë.
Me këtë kosh LeBron James parakaloi një legjendë si Kareem-Abdul Jabbar sa i takon klasifikimit special për numrin më të madh të koshave të shënuar në karrierë. Tani LeBron i afrohet edhe një kufiri tjetër, atij të ndeshjeve të luajtura. James i nevojiten edhe 6 ndeshje për të kaluar Robert Parish dhe për të thyer një tjetër rekord.
"Të përmendet emri im me disa nga më të mëdhenjtë që kanë luajtur ndonjëherë këtë lojë ka qenë gjithmonë përulëse dhe mjaft interesante", tha James. "Është një gjë shumë interesante. U rrita duke parë dhe lexuar, duke pasur idhuj shumë nga më të mëdhenjtë. Dhe nëse ndonjëherë do të isha në gjendje të isha pjesë e NBA-së, doja të isha në një pozicion ku mund të emërohesha me disa nga më të mëdhenjtë duke bërë diçka të drejtë", tha LeBron James. Ky është sezoni i 23-të për LeBron në NBA.
Abdul-Jabbar kishte 15.837 kosha të shënuar kur përfundoi karrierën e tij 20-vjeçare në vitin 1989. Karl Malone është i treti me 13,528 kosha nga fusha.
Komente









