Ledi Shamku, gjuhëtarja e njohur rrëfen dhimbjen për Kolec Topallin ‘M’ke pikë!’

Ledi Shamku, gjuhëtarja e njohur rrëfen dhimbjen për Kolec Topallin ‘M’ke pikë!’

Akademiku Kolec Topalli dhe gjuhëtarja e njohur Ledi Shamku

Lajmi për vdekjen e akademikut Kolec Topalli ditën e sotme në moshën 80-vjeçare ka hidhëruar ndër shumë të tjerë edhe gjuhëtaren e njohur, Ledi Shamku Shkreli.

Kolec Topalli ka dhënë një kontribut të madh në lëmin e studimeve etimologjike të shqipes, dhe la pas, ndër të tjera, veprën e madhe “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”. Këtë vepër prof. Topalli arriti ta botojë pak para se të largohej prej nesh.

Në një status të saj në facebook, Ledi Shamku zbulon me dhimbje detajet që e bëjnë më të çmuar kontributin e gjuhëtarit Topalli që ia dedikoi gjithë jetën gjuhës shqipe.

Shamku duke rendur në kujtime e nëpër fjalë të rralla të zbuluara nga Kolec Topalli shprehet e hidhëruar për mungesën e tij, pas largimit nga jeta. “M’ke pikë” thotë gjuhëtarja me një shprehje të vjetër të shqipes, duke i drejtuar fjalët si më poshtë:  

I vyemi Kolec, i nderti prof, i miri koleg, janë tu m’kalu tash para syve t’kujtesës gjithë kohët e jetume me ty. Kohë që udhakojnë prej Shkodre në Zagreb e ndalen gjatë në Tiranë, n’daç te kthina jote e vogël n’Institut, përballë times, ku hyja pa trokit e vija me t’i çatrafillu skedat etimologjike që rendisje në skedar secila mbështjellë në zarfin e vet; e në daç te kafja jonë bri Institutit, ajo me mprojtse të blertë prej shiut, ku mundoheshe me më msu si me duru e me u matë.

I shtrenjti Kolec, më kujtohet se m’u deshën plot tri kafe rresht me e kuptu sa hollë e bukur e kishe shpjegu etimologjinë e fjalës “kem” (timjan) duke ia kthy ma në fund atë fjalë tanësisë së fjalëve autoktone të trungut shqip. 
Kemi i shejtë ty t’shëlboftë sot e të dhashtë pushimin e pasosun, ndonëse e dij se mendja jote e msume me kureshtu s’ka me pushu as n’atë jetë!

Kam me dashtë me t'kujtu mbas sodit me nji poezi shkodrane, që ma pate msu ti, tu ma recitu buzagaz sa herë që për arsye jo shkencore po sigurisht ideologjike a thjesht vulgare, ndigjonim për veten emra si: të shitur, përçarës kombi e kësi marrinash që vijojnë edhe sot. Unë nxefesha e ti fisnikisht qesheshe, e recitoje për hoka njikët poezi:

Po ti mos moj flutur ma
mos ju sjell aq fort kanilit.
Nuk e din ç’ka je tuj bà
A mendon se flaka djeg?

Kish ta dijshe se ta kànde
at drit t’rrejshme që t'pershkohet..
e tuj ndjek at mendjen tànde
shkon e ven vedin n’rrezik".

Fort i dashtun Kolec, paç Dritën që pasioni yt u dha fjalëve të terratisuna të shqipes!
M’ke pikë mu në zemër sot, mu thellë n’lug të zemrës! Kam me t'kërku dasht e padasht, siç kërkohen ata miq e kolegë që kur ikin, nuk të kanë ikë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • shoku: 08/05/2020 19:44

    Komplet idiote!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?