INTERVISTA/Lefter Maliqi 'boks' me gazetarin: Tentuan të më vrasin 3 herë! Rrëfimet nga rinia ushtarake te politikani i të gjitha partive

Nga ushtarak, në postin e Drejtorit të Policisë së Shtetit dhe më pas në politikë, ku ka eksperimentuar thuajse me çdo parti politike, ish deputeti Lefter Maliqi vjen me një intervistë origjinale, jashtë kornizave të zyrtarit dhe me rrëfime personale për veten dhe familje. Nga 3 tentativat për vrasje dhe si u shpëtoi atyre deri tek marrëdhëniet  me gruan dhe fëmijët, kush mban ekonominë e shtëpisë dhe dëshirat e tij për sportin dhe veçanërisht boksin, lexoni intervistën e plotë të Lefter Maliqit dhënë për gazetarin e Report Tv Ermal Qori.

Intervista e plotë me Lefter Maliqi

Do të doja që fillimisht të “zhvishemi” pak nga politika, por do të doja ta bëja këtë pyetje pastaj të kalojmë në sfera të tjera. Në cilën parti politike je?

Unë jam te forca politike LSI. Pavarësisht goditjes që mori në zgjedhjet e fundit, kam një besim absolut që është një ringritje. Pas lënies së detyrës kushtetuese të Presidentit, zoti Meta, e cila përfundon në korrik, jam i bindur që do të jetë në drejtimin e LSI-së bashkë me zonjën Kryemadhi dhe me ne së bashku, që kemi qenë themeluesit e LSI-së.

A ndihesh komod të paktën kështu?

Shumë komod sepse përveç politikës, hobi im ka qenë sporti, që në në moshën 14 vjeç si skënderbegas dhe ju e dini të gjithë që ajo shkollë ka qenë shkollë e përgatitjes ushtarake.

Si e kujtoni ju atë?

Është shkolla më e mirë, pavarësisht se ishte një jetë e mbyllur, mosha e rinisë ose mosha e adoleshencës, 14 deri në 18 vjeç, ishte një shkollë që kishte një disiplinë të fortë ushtarake. Ishte gjimnaz plus që kishte edhe lëndë ushtarake, përgatitje zjarri, përgatitje fizike e të gjitha me radhë, kështu që mbaj mbresa dhe ajo më ka bërë që unë të jem i disiplinuar, të vazhdoj pasionin që kam pasur që 14 vjeç dhe të vazhdoj të bëj përpara. Edhe kur bie, ngrihem përsëri sepse e tillë ka qenë ajo shkollë, jo vetëm ajo, por edhe shkolla e lartë e oficerëve, që unë kam mbaruar degën gjitharmësh-Këmbësori, por edhe Akademia e Policisë, brezi i parë 1993-1996, apo shërbimet që kam bërë në Policinë e Shtetit.

Çfarë të ka shtyrë që të ndjekësh pikërisht këtë drejtim? Po flas sigurisht në aspekt me përgatitjen ushtarake apo si të thuash, atë synimin e parë, pastaj Policia, deri në ditët e sotme që ju vazhdoni ende ta keni si pasion përgatitjen fizike.

Përgatitja fizike është arma më e mirë, më e fortë, e cila jo vetëm që i bën mirë shëndetit, por të jep një motivim për të ecur përpara, edhe në atë kohë, për të përballuar sfidat që janë tepër të mëdha dhe jo më kot gjatë gjithë karrierës sime ushtarake, policore apo edhe në politikë, gjithnjë kam pasur ulje-ngritje dhe si puna e përgatitjes fizike, me një fjalë energjive, që janë herë pas here si valë deti, themi ne. Megjithatë kam një bindje totale që kjo të bën mirë.

Por në rast se ne rikthehemi paksa në aspekt personal, në atë kohë dhe sigurisht marrja përsipër e gjithë kostove që kanë kaluar vit pas viti nga përfshirja në politikë, do të bënte Lefter Maliqi diçka ndryshe nga ajo çka është sot? Çfarë do të ishte ajo e dyta?

Sigurisht, do të kisha bërë diçka ndryshe në kuptimin e pjekurisë, në kuptimin e mësimeve, nga zhgënjimet që kam kaluar në jetë dhe kjo ka filluar pas daljes si oficer policie në disa rrethe të Shqipërisë, por sidomos zhgënjim edhe brenda strukturave policore për shkak të ambicieve që unë kisha, zhgënjimeve edhe miqësive dhe pabesive që ndodhnin edhe brenda fushës së Rendit, por edhe me kriminalitetin, kështu që në politikë kjo ishte më e llahtarshme, po e them në kuptimin figurativ, sepse në politikë ka shumë prapaskena, edhe në politikë unë kam bërë gabimet e mia, p.sh. unë kam qenë kryetar i komunës Otllak, me mandat 4-vjeçar. Pra ishte i zgjedhur nga populli kundër të majtës dhe së djathtës dhe gabimi im, që e mendoj edhe sot e kësaj dite, ishte për shkak të ambicies politike më 2009, unë e lashë mandatin e kryetarit të komunës në mes. Pra atë votë që ma dha populli unë e lashë në mes për t’u rreshtuar si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Sigurisht që deputet është detyrë e lartë, por për mua ka qenë gabimi i parë dhe që e mendoj përsëri sepse duhej të isha kryetar i pushtetit vendor, të paktën dy mandate, për të bërë ato gjurmë që lashë, ato investime që lashë në komunën e Sotllakut dhe më pas të vazhdoja angazhimet e tjera politike dhe karrierën tjetër politike. Këto janë edhe lëvizje politike, sigurisht, pavarësisht pakënaqësive që unë kam pasur majtas e djathtas, se këtu nuk ka ndonjë problem. Unë e thashë, mirënjohja është gjëja më e madhe. Nuk ka ndonjë problem se unë isha te LSI-ja, u takova me Sali Berishën, u takova me Edi Ramën, gjëra që i kam bërë publike të gjitha dhe mua më kanë dashur sepse unë kisha vota. Kjo është e gjithë e vërteta. Por unë gjatë gjithë kësaj karriere politike dhe shumë mirë në këtë moshë që jam tani, 49-vjeçare, në këtë formë që jam tani, arrita ta njoh mirë politikën majtas, djathtas, pra të gjithë spektrin politik në Shqipëri dhe arrita në konkluzionin që secili lider, qoftë i majtë, i djathtë, bën gabimet e veta, por unë i mbetem mirënjohës vetëm dy vetave që e kam thënë. Pra unë kam qenë kritik me zotin Basha, kritik me zotin Rama sepse nuk mbajnë premtimet me elektoratin dhe premtimet me marrëveshjen që bënë, që unë me të gjitha marrëveshjet i kam pasur në interes të elektoratit. Të vetmet që kam pasur marrëveshje kanë qenë Ilir Meta dhe Sali Berisha, të cilëve u rri besnik deri më sot.

Dolëm te marrëveshjet. Ka pasur një marrëveshje konkrete, ndoshta të pabërë publike personalisht nga njëri lider apo tjetri, që ndoshta të rreshtoheni në njërën forcë politike apo në tjetrën? Flas gjithmonë në aspektin kur keni bërë kalime nga PS në PD apo anasjelltas p.sh.

Kane qenë kalime spontame të detyrueshme për shkak të angazhimeve të mia politike dhe sigurisht po të jesh ushtarak ke ambicie për karrierën dhe lufton deri në fund. Unë s’e kam fshehur asnjëherë dëshirën time për të qenë një ditë në krye të Rendit. Këtë e kam thënë dhe e dinë të gjithë, e di edhe zoti Meta, zoti Berisha, madje edhe zoti Rama, madje dua t’ju them që ka qenë viti 2011 kur Lulzim Basha kandidoi për kryetar bashkie, vendi i ministrit ishte bosh, u lakuan emra të ndryshëm për ministër Rendi dhe unë arrita për herë të parë të merrja guximin dhe t’i kërkoja Sali Berishës, me një fjalë, të isha në atë pozicion nëse do ta gjykonte. Megjithëse nuk u premtua, Berisha m’u kthye me këto fjalë: Lefter të vlerësoj për ambicien që ke, po s’pate ambicie nuk ecën në jetë. Do ta gjykoj dhe do ta shikoj. Pra, njeriu po nuk synoi nuk arrin, është si puna e sportit. Unë jam marrë me Dinamon, me Partizanin, me të gjitha llojet e stërvitjeve, me gjimnastikë, me boks, pra kam qenë me ekipin, deri në Kumanovë të Maqedonisë kemi pasur ndeshje ku mora medalje.

I ruani ende ato instinktet e boksit?

Ato i ruaj unë. I kam provuar edhe në parlament, por nuk është mirë sepse ka qëlluar një koinçidencë, në korrik 2009. Unë isha në Angli te njerëzit e mi dhe njoftohem që duhej të vija për të votuar sepse 74 mandate kishte PD-ja dhe atë ditë ndodhi një incident kundër zonjës Topalli dhe unë arrita, jo s’e bëra një gjest që kërkova ndjesë më pas, por arrita që të godisja lehtë deputetin Braçe dhe aty pastaj, pas asaj goditjeje, duke m’u turrur deputetët e PS-së, pothuajse mora pozicion boksi dhe kështu që më pas kërkova ndjesë.

Përpos angazhimit politik, gjithë eksperiencës, Lefteri është edhe një baba dhe një familjar.

Sigurisht.

Jeni baba i dy vajzave?

Po. Jam krenar, dy vajza. Duke mbaruar ato shkolla në atë moshë jemi rritur me një frymë tjetër, jemi lidhur shpejt dhe vajza e madhe sot është 23 vjeçe. Mbase sot qenka ditë e bukur, se sot ka filluar edhe punë. Vajza e madhe ka mbaruar për Drejtësi Kriminale Evropiane, në kontekstin global, që do të thotë degë e SPAK-ut që është në Shqipëri, por faktikisht ajo filloi punë në Holandë. Sot ka filluar për herë të parë sepse tani u diplomua, para një jave dhe duhet të punojë atje një vit apo dy vite, për të marrë rezidencën e përhershme dhe pastaj ku të ketë dëshirë, ose të vijë të punojë në drejtësinë shqiptare këtu apo në drejtësinë ndërkombëtare. Unë i uroj vetëm fat. Po një ndër synimet është, nuk diskutohet. Unë i kam thënë që babanë e ke energjik, mbase pasi babai të dorëzohet ti mund të vazhdosh karrierën e drejtësisë apo pse jo edhe të politikës në vendin tënd. Vajza tjetër mbaroi të mesmen këtë vit dhe dhe e kam çuar tek Universiteti Europian për Menaxhim Biznesi. Dhe kam besim që kjo ishte dëshira e saj. Sigurisht që po doli mirë tek Universiteti Europian, do të vazhdojë pastaj masterin që të bashkohen pastaj të dyja motrat bashkë.

Ke ndërmend që ndosha një ditë të largohesh nga Shqipëria?

Jo. Edhe vajzava nuk ua uroj këtë, pavarësisht se jam pesimist me politikën shqiptare, lidhur me situatën aktuale.

Edhe ju jeni një ndër pjesëtarët e kësaj politike.

Po, sigurisht. Me një fjalë, politika e ka marrë në qafë këtë vend, e majtë dhe e djathtë. Unë që po ju flas, nuk po ju flas me gjuhë politike sepse unë kam shumë deputetë të PS-së, që i kam miq. Ashtu edhe të PD-së, ashtu edhe të LSI-së. Thjesht prishja e marrëveshjeve të mia ka qenë drejtpërdrejt me liderët për shkak se ata nuk kanë mbajtur premtimet në elektorat që unë i kam thënë. Por aktualisht jam i zhgënjyer nga politika, siç isha nga Policia i zhgënjyer sepse luftoja dhe më lëviznin për detyrë të mirë, - thoshin, - nga Gjirokastra në Shkodër. E njëjta gjë është edhe në politikë. Ky vend bëhet kollaj, por nuk ka vullnet politik. Vullneti politik mungon për të luftuar krimin prandaj ndodhin këto, mungon për të zhvilluar ekonominë e vendit dhe kjo është një babëzi që ka shoqëruar politikën për t’u pasuruar në mënyrë marramendëse.

Sikurse e theksuat, ju fëmijët i keni drejtuar në një rrugëtim për sa i përket arsimimit.

Sigurisht.

Ndërkohë për bashkëshorten, mund të dimë se me çfarë është e angazhuar?

Është ekonomiste me status dhe ka rreth 20 vite që punon. Ka punuar në KESH, tani është në në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor, kështu që profesioni i saj është ekonomiste. Por ekonominë e mbaj vetë.

Kanë fëmijët një lloj sugjerimi për sa i përket angazhimit tuaj në politikë, ndoshta ju bëjnë kritika ose sugjerime herë pas here?

Sigurisht që familjen e kam pasur mbështetje gjatë gjithë karrierës sime. Vajzat apo edhe familja në tërësi, duan që duke parë se si është jeta në vend, ndonjëherë japin sugjerime, thonë pse nuk rri në profesionin tënd, të vazhdosh karrierën në profesionin tënd, ti e shikon që politika ose kur shikon këto statuset politikë që shumë veta edhe fyhen sepse sot po fyhen edhe liderët, edhe nuk u vjen mirë, por që unë u kam thënë që e tillë është politika. Edhe në punë kur je, edhe në polici kur je, do kesh probleme të tilla. Megjithatë, u them, është një lloj reklame edhe kjo.

Si e keni raportin me kafenë?

Shumë mirë. E nis ditën me përgatitje fizike, ha diçka.

E keni të përditshme përgatitjen?

Të përditshme, çdo mëngjes. Dal pasditeve nga Liqeni, por në mëngjes bëj palestër në shtëpi, rreth 40 minuta. Më pas diçka të shpejtë në mëngjes dhe direkt kafenë. Pas kafesë pastaj takimet në politikë, siç janë në bazë të detyrës që kam kaluar, apo profesionit, apo agjendës që lë. Tani që jam në opozitë ka raste që dy herë në javë shkoj në qarkun e Beratit, ndjek ngushëllimet, takoj njerëzit, ndërkohë që edhe këtu në Tiranë me strukturat politike, por edhe me miqtë, se po le shoqërinë nuk mund të jesh jo vetëm politikan i mirë, por edhe njeri i mirë, po themi në të gjitha aspektet, nëse nuk do të takosh njerëz të spektreve të ndryshme, qofshin këta në fushën akademike, në fushën e sigurisë ku jam unë, qofshin edhe hallexhinj. Duhet të takosh të gjitha shtresat dhe sa më shumë të diskutosh, sa më shumë të dëgjosh nga ata, aq më shumë mëson, por mbi të gjitha është ndjeshmëria.  Njeriu po nuk qe i ndjeshëm nuk bën mirë. Nuk bën mirë në familje, në shoqëri, në punë. Ndjeshmëria është gjëja më e madhe, sigurisht që e lidhur me mirënjohjen. Mbi mirënjohjen nuk ka. Në politikë p.sh. po marrim shembullin kur unë kam pasur pakënaqësi të një kampi politik apo edhe të një tjetri, pra të gjithë e dimë që unë kam pasur pakënaqësi te zoti Basha dhe te zoti Rama. Ndërkohë që marrëdhëniet me zotin Meta kanë qenë shumë të mira dhe me zotin Berisha shumë të mira. Dhe zoti Basha për shkak të orës, nuk e di sa është tani, por po ta pyes

Është e vërtetë kjo që i keni dhënë orën?

Po shumë e vërtetë është, por kjo është edhe në kuptimin figurativ, por edhe në të vërtetë gënjen. Nuk kam gjë personale me të sepse kohët e fundit i kam dhënë edhe dorën por e vërteta është që kur, p.sh. marrim rastin tim. Do jesh kryetar bashkie në Berat, iku, pengoi për kryetar partie në Berat, pengoi për anëtar kryesie për të konkurruar, më premtoi tête à tête që je i pari në listën e Beratit ndërkohë që unë s’doja i pari, doja i dyti, për shkak sepse njihja Ridvan Boden,, ishte i deleguari i Beratit dhe s’mund të dilja para tij për shkak të pjekurisë politike dhe të karrierës që ai kishte, pavarësisht se unë mund të kisha mbështetje më të madhe në zonën e Beratit, por ai kishte pjekuri më të lartë. Dhe duke më thënë i pari, unë arrita që i thashë liderit Berisha që më ka thënë i pari. Shkova në çadër 3 muaj dhe kur vjen puna dola i treti. Por kur kam ikur nga PD-ja i kam shkuar në zyrë dhe i kam thënë ballë përballë, më gënjeve një herë, dy herë, të fala. Herën e tretë nuk bëhet më, është hera e katërt faktikisht.

Sa herë keni qenë në zyrën e Ramës?

Mund të kem qenë rreth 4-5 herë, sepse një periudhë të shkurtër isha me të. Me Berishën po, jam takuar shpesh. Me Berishën shkoja vetëm për zonën dhe të gjitha m’i mbaronte, investime që të ikën mendja e kokës kur i shikon, nga maja e Qereshnikut që ti e njeh atë zona, që atje s’kalonte mushka, i bëri të gjitha rrugët. Ose i shkoja për ndonjë fatkeqësi që ndodhte edhe në Perondi, edhe në Lapardha, shpërthyen bombulat e gazit, vdiq një fëmijë, vdiq babai. Por edhe në Perondi u mbyt një fëmijë dhe nëna, dhe ai kontribuoi. Për rastin e parë çoi helikopterin e NATO-s me urdhër, por edhe për rastin e dytë investoi në ndihmë monetare për të kaluar shpenzimet e varrimit, të të dyja familjeve. Por edhe ndihma të tjera. Edhe arrita që të njihja edhe zonjën Liri Berisha, fisnike, humane, e thjeshtë. Berishën p.sh. kur e shikon në televizor, thua ti ç’është ky, ka një autoritet të paparë. Po e takove ballë përballë sepse unë e kisha këtë përshtypje për vete, para se të shkoja te PD-ja, por kur e takon ballë përballë është një njeri familjar, njerëzor, fisnik, t’i thotë gjërat në sy e me radhë. Do të thuash ti që ka bërë gabime, sigurisht që ka bërë gabime. Çdo njeri, kur them edhe unë që nuk kam atë pjekurinë e tyre apo atë karrierën e tyre kam bërë gabime, por jeta kështu është. Po nuk gabove edhe ti, edhe kameramani, kushdo.

Në qarkun e Beratit janë bërë në fakt disa investime, ndërkohë është dhënë votëbesimi për të bërë disa të tjera. Janë lënë disa pezull. Për çfarë ju vjen keq më shumë që nuk është bërë në zonën që keni mbuluar?

Ka shumë, p.sh. marrim që nga Lumasi, ura e Lumasit, lidhja e Lumasit me Perondinë dhe me Kuçovën. Disa investime të tjera në zonat rurale të fshatrave, që janë të ngelura. Boshti i jugut që ishte premtimi i 2013-s i PD-së por humbi, boshti i jugut është frymëmarrje për të gjithë zonën tonë, Beratin, Kuçovën dhe Urën Vajgurore sepse lidhet me Gjirokastrën dhe që të shkosh në Gjirokastër tani do 5-6 orë kurse po të bëhej boshti i jugut nëpërmjet Shpiragut, doje një orë. Ka që janë pa rrugë fare aty, pra ka disa zona që në këto 8 vite nuk është bërë asgjë. Këto 8 vite është bërë vetëm investim që është edhe për shkak të gabimit të Reformës Territoriale, shërbimet u futën më shumë në qytet, por edhe në qytet nuk ka gjë. Pra thjesht ata bënë disa investime në qendër të qytetit, zbukurime, por në të vërtetë edhe qyteti nëpër rrugicat e brendshme rrugët janë për turp. Ti ke Tiranën që janë për turp, jo më Beratin, e Kuçovën, e këto zona.

Keni marrë ndonjë kërcënim, lidhur edhe me raportet profesionale?

Po, sigurisht. Unë besoj zotin. Që nga fëmijëria deri tani, të paktën tri herë kam shpëtuar nga vdekja. Nuk po them ato në aspektin familjar, se janë të zotit. Në Polici p.sh., më 1997, e para njëherë, shpëtova në fije të perit në Lushnjë. Isha shefi i krimeve, i komanduar. U dogj komisariati. Unë nuk qëllova aty kur u dogj komisariati. Po të kisha qëlluar një agjent policie aty u vra, u dogj nga bandat, nga të gjitha këto. Nuk kam ikur me makinë, por kam ikur nëpër rrugica, në atë. S’kishte shtet. Pastaj në Kuçovë më 1997 jam rrethuar nga një bandë prej 6 vetash, jam çarmatosur. Më pas e kam marrë pistoletën, por në ato momente s’kisha çfarë të bëja.

Me kë ishit?

Isha vetëm në Kuçovë sepse u dogj një shtetas nga një bandë kriminale prej 6 vetash. U mor zvarrë dhe u dogj para Bashkisë së Kuçovës. Policia mua më la në baltë, iku u largua, se nuk funksiononte siç duhej. Edhe unë kryej këqyrjen e veprimeve të para hetimore për të çuar dosjen nesër, kur të bëhej shteti, ta çoja në Prokurori. Në atë kohë kam qenë inspektori i krimeve për qytetin. Dhe në atë moment, pasi dorëzoj dosjen në komisariat, duke ikur për në banesë në Lapardha, aty më dalin me dy makina, me automatikë, me pistoletë te koka për të më ekzekutuar. Dhe në ato momente, unë edhe për një muaj martohesha, kisha prerë datën e dasmës, edhe qe gjaftohtësia ime prej sportisti, komunikimi që bëra me atë grup, që më lanë të lirë vetëm 100 metra. Pas 100 metrave u bënë pishman për të më ekzekutuar me breshëri plumbash, por qëlloi një misër në fshatin Perondi dhe aty kam ecur, edhe përgatitja fizike, se s’ka trim me plumbat, dhe aty pastaj fisi Qorri, Amati të Perondisë, edhe ata morën armët, pati një lloj shkëmbimi dhe u sprapsën. I njihja të gjithë, ata janë vrarë, të gjashtë. Të gjashtë ata që më dolën në pritë janë vrarë nga të tjerët, sepse ishin në hasmëri në Kuçovë. Janë vrarë më pas, pas zgjedhjeve, pas krijimit të shtetit, janë vrarë në pritë të gjashtë. Pastaj desh jam vrarë në Skrapar kur kam qenë në detyrën e shefit të komisariatit. Nuk është bërë publike, por Policia këtë e dinte.

Në çfarë viti?

1997-1998. unë kam qenë shefi i komisariatit. Zakonisht lëvizja vetëm dhe me shofer, por në atë rast isha vetëm. Mbaja automatikun sepse e tillë ishte situata dhe duke kaluar për në Bogovë, një rrugë aty në Novaj, aty më del personi që edhe ai është vrarë në luftë me UÇK-në në Maqedoni, a nuk e di ku është vrarë më pas, i cili më qëllon me breshëri. Shenjë makina kishte, por manovroj në moment, iki dhe vijnë forcat e Policisë së Poliçanit dhe të Skraparit ishin larg. Vihen në ndjekje por nuk e kapin, sepse unë kisha dy muaj që e kërkoja për ta kapur në pyll, sepse ishte person në kërkim. Kishte vrarë kryetarin e PSD-së së Skraparit dhe s’po e kapnim dot derisa iku në Maqedoni dhe është vrarë andej sipas të dhënave, në Maqedoni. E dyta. E treta ka qenë po e vështirë, në Shkodër, kam qenë shefi i Policisë së Rendit, edhe në Mirditë shefi i Policisë Kriminale, po në përplasje. Në Mirditë ka qenë akoma më e vështirë sepse në Miriditë më vjen një shtetase, e cila kërkonte të bënte denoncim por s’kishte besim te policia dhe më thoshte që bëj denoncim për një vepër që s’mund ta them për etikë dhe unë ia mora letrat dhe ia çova prokurorit. Prokurori kishte frikë që të bënte veprimet për personin. Më pas kërcënohem nga ky person. Isha te dentist Gjoka në Mirditë, vjen me dy pistoleta, laçjanët ishin me automatikë jashtë. Ka qenë viti 2001. Laçjanët ishin jashtë dhe për shkak të gjakftohtësisë përsëri, kam shpëtuar edhe me besë, - thoshin mirditorët, - të dentistit, për momentin. Më pas ky person u arrestua dhe është me burgim të përjetshëm sot sepse ka bërë disa vrasje. Vrau edhe Gani Malushin, shoferin e tij. Pra ka qenë Agim Pepa i Mirditës që u bë ngjarje e madhe dhe u akuzua për disa lloje vrasjesh edhe në atë kohë në Mirditë dhe në zonën e qarkut të Lezhës. Me një fjalë këto janë shpëtime dhe unë besoj në zot, se aty një gabim ose një gjaknxehtësi e imja ose një veprim i gabuar, të kishte ikur jeta. Por besoj në zot, vazhdoj, dallgë do të ketë jeta, e tillë është.

Në politikë keni pasur kërcënime të tilla të rënda?

Jo, në politikë mbase kur veprova në 2009-n, mbase i përgatitur, mund të ishte krijuar ky opinion sepse edhe mediet bënë pak reklamë. Në politikë nuk kam pasur asnjë kërcënim. Shumë veta më kanë shkruar mesazhe që çfarë po bën me këto veprime, sepse unë gjithnjë, e thashë që siç kam qenë në Polici edhe në politikë që merresha me të mëdhenjtë, nuk jam marrë kurrë me të vegjlit, madje unë edhe kur akuzoja Ramën me deputetët e PS-së isha mik, dhe me Komisionin e Sigurisë e kudo, por që nuk ishte faji i tyre, faji ishte drejpërdrejt i tij. Nuk ka qenë asnjëherë. Edhe kur një drejtor drejton policinë edhe në një qark, nuk është faji i policëve për kriminalitetin, por është faji i drejtuesit. Pra unë gjithnjë e kam me titullarin, pse nuk punon mirë, pse nuk vepron mirë dhe pse nuk është korrekt me vartësit.

 

Të ndalemi te premtimi që do të bëni aktualisht përpara medieve. Cilës forcë politik do t’i përkisni që tani dhe në vijim? Pa ndryshime.

Por nuk është kjo, vetëm pa ndryshime nuk thuhet. Si forcë politike unë do t’i përkas elektoratit tim, por unë aktualisht jam te LSI-ja dhe nuk dua të largohem nga LSI-ja, sepse qe një përvojë e hidhur në këto zgjedhje, pra qe një luftë frontale, pavarësisht se unë nuk doja të isha deputet. Unë e kam thënë edhe në elektorat, në takime. Synimi im ka qenë për të qenë pjesë e pushtetit vendor, për t’u kthyer edhe njëherë aty ku unë tregova vlerat sepse deputetin këta, në këtë sistem, e kanë zhveshur komplet. Deputeti nuk quhet më deputet mazhoritar, por quhet deputet liste, edhe deputet qarku. I pari i qarkut është ai që ka fuqinë më të madhe, bëhet ministër ose merret edhe me emërime apo gjëra të tjera apo me tendera apo duke çuar nëpër bashki, nëpër njësitë vendore investime, e me radhë. Kurse deputetët e tjerë rrinë në rresht edhe nuk kanë fuqi. Prandaj jam te drejtuesi vendor sepse duke qenë drejtues vendor bën më shumë për njerëzit dhe drejtuesi ekzekutiv. Deputet nuk e kam më dëshirë që të jem, çfarë nuk ndodh, por nuk e kam qejf.

Cili është synimi juaj?

Synimi im mbetet drejtues vendor dhe drejtues i Policisë së Shtetit. Këta të dy janë synimet derisa të kem frymë dhe jetë. Nëse nuk është e shkruar asnjë nga këto atëherë e di zoti, por unë do të luftoj deri në fund. Këtu në Shqipëri çfarë nuk ndodh, ndodhin gjëra interesante. Po s’pate ambicie nuk ecën. Po ju them edhe një të vërtetë. Më 1996 unë isha student i Akademisë së Rendit, brezi i parë, që mbaruam Akademinë e Policisë dhe një pedagog me emër, ka qenë edhe ministër Rendi, na drejtohet: Studentë, - ne ishim 25 vajza dhe 50 djem, brezi i parë, ndërkohë që kishim mbaruar shkollën e Ministrisë së Brendshme, - po punuat mirë, për 3-5 vite bëheni shefa policie, për 5-10 vite bëheni shefa komisariati. Me leje? – i them unë. – Urdhëro Maliqi. I thashë unë: për 2 vite jam shef komisariati dhe për 5 vite jam në detyra të tjera. – Vuan nga deliri i madhështisë, - tha ai, ndërkohë që unë isha njeriu më pa lidhje aty, nga ana ekonomike sidomos sepse unë kisha nipin e Sali Berishës në klasë, të Shaban Memisë, të Agron Musarajt, të të gjithë këtyre, më 1993-1996. Ndërkohë që nga të gjitha brezat, po qe i aftë, edhe ti si gazetar, kushdo, po qe i aftë ecën në jetë. Edhe unë arrita që për një vit të bëhem shef komisariati, më i riu në Shqipëri, edhe arrita të gjithë këtë karrierë, që unë vij nga një familje e vuajtur, pra babai ka punuar në kooperativë, nëna në kooperativë, dhe e di shumë mirë vuajtjen. Kthej kokën prapa para se të eci përpara, pra ne kemi vuajtur të gjithë në atë kohë, mezi siguronim edhe bukën e gojës, jo që nuk diskutohet për veshje dhe arrita me një fjalë gjithë këtë karrierë në moshën që kam. 8 vite në Policinë e Shtetit, shef policie, shef komisariati, pedagog, 7 vite deputet i Kuvendit të Shqipërisë, 1 vit e gjysmë zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Burgjeve dhe 2 vite e gjysmë kryetar i komunës më të madhe të qarkut të Beratit, Otllak. Të gjitha këto i kam bërë me besimin në zot dhe duke bërë mirë te njerëzit. Karriget s’janë asgjë. Mbi të gjitha njeriu është i barabartë, si ai invalidi, si ai romi, si ai analfabeti. Mos bëj më të mirë se vetja kurrë, në momentin që ti bën më të mirë se vetja, atëherë ke dështuar në politikë, në gazetari edhe kudo. E rëndësishme është që ta vlerësosh tjetrin kushdo që të jetë. Kur je përballë kryeministrit të hiqesh i barabartë, kur je përballë atij që është analfabet apo invalid të jesh i barabartë me të. Kjo është. Jetës nuk i dihet, mund të jetoj unë më pak, mund të jetojë invalidi më shumë se unë. Zoti është mbi gjithçka. U bëftë një ditë Shqipëria dhe unë besoj që s’ka rrugë tjetër. E vetmja pengesë është se vetë politika po e pengon për t’u integruar në BE, sepse po u hapën negociatat dhe po filluam kushtet, as kryeministri, as ministri, as të tjerët kanë frikë të abuzojnë, të vjedhin sepse ka rregulla dhe standarde të tjera. Prandaj bëjnë anarki, bëjnë sikur duan Evropën, por kjo është e vërteta. Për vete janë në Evropë, por populli i thjeshtë nuk është në Evropë, populli i thjeshtë është në gropë, themi ne. Shpresojmë se do të dalim nga kjo gropë që e ka futur politika në tërësi.

Një pyetje e bëjmë gjithmonë me humor gjatë emisionit. Lefter Maliqi, çfarë do të bëhesh kur të rritesh?

Unë besoj që s’e di kur do rritem. Por moshën madhore timen do ta quaj kur t’i jap fund kësaj gjëje. E quaj veten të rritur që nga mosha, që kur kam lindur dhe vazhdoj të jem i rritur deri në fund, pavarësisht gabimeve që kam bërë dhe këtë këshillë u jap edhe fëmijëve të mi: gjithnjë duhet të veproni si të rritur, asnjëherë si adoleshentë. Dhe gjëja më e madhe kjo është, që njeriu duhet ta gjykojë veprimin si i rritur, në çdo aspekt të detyrave, të jetës, të kontakteve, të përgjegjësive që kalon në jetë.  

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Scutari: 24/10/2021 10:43

    Gënjen!! Në Rrëshen ke qenë tek dentisti i ulur në kolltuk dhe me sy të mbyllur...ka hyrë Gim Pepa për punët e veta dhe me shaka ka nxjerrë pistoletën dhe t'a ka drejtuar.... dentisti Gj. e ka nxjerrë jashtë pa bërë zhurmë, me shenja dhe ti historinë e ke marrë vesh javë më vonë...kur nisi të tregohej si barcaletë!!

    Përgjigju
  • Ari: 23/10/2021 21:52

    Ky eshte njeriu me frikacak qe ka Shqiperia. Ti leje keto numrat me cirk brenda! Kokrra kllounit.

    Përgjigju
  • Kazani: 23/10/2021 21:51

    Kazani i ka marre interiste nje gomari si puna ketij. E tmerrshme sa poshte keni rene. Kazan eshte shume pak, eshte nderim ky emer, jeni shume me rende se sa dukeni.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion