Nga ana tjetër PS ka ripërsëritur se ky proces do të bëhet falas dhe se nga legalizimet do të përfitojnë 67 mijë familje.
PD: PO MASHTRONI, CDO VIT QYTETARET DO PAGUAJNE 1.3 MILIARDE LEKE
Partia Demokratike ka denoncuar qeverinë pasi sipas saj po i mashtron në lidhje me procesin e legalizimeve falas.
Deputeti i PD Aldo Bumçi, tha se Kryeministri Rama ka mashtruar me procesin falas të legalizimeve pasi sipas tij kjo do tu kushtojë shqiptarëve 1.3 miliardë lekë çdo vit deri më 2017.
“Në asnjë prej 26 neneve të projektligjit me firme e vulë të kryeministrit, nuk flitet për legalizim falas. Sipas nenit 9 të projektligjit, vetëm tarifa do paguhet nga shteti. Kjo tarifë për ata që nuk e kanë paguar, është maksimumi 20 mijë lekë. Qeveria ka planifikuar të arkëtojë nga pagesat e legalizimeve të ndërtimeve pa leje, afërsisht 52 milionë dollarë, deri në vitin 2017. Legalizim “falas“ për Edi Ramën do të thotë që qytetarët të paguajnë mbi 1.3 miliardë lekë çdo vit, për vitet 2014, 2015, 2016 dhe 2017.” tha Bumçi.
Sipas deputetit të PD nnga plani i qeverisë nuk do të legalizohen banesa pas vitit 2009 si dhe ato që janë më pak se 5 kate.
“Të gjithë ata që kanë ndërtuar banesa, lokale apo garazhe pas 15 janarit 2009, apo nuk kanë aplikuar deri tani për legalizim, sipas nenit 1, pika 1 dhe pika 5 e projektligjit, nuk do të legalizohen, dhe investimet e tyre do të prishen. Të gjithë ata që në zonat me studim urbanistik, kanë banesa më pak se 5 kate, nuk do të legalizohen. Këtë thotë pika 4 e nenit 1 te projektligjit te firmosur nga Edi Rama, Kryeministër. Ata që kanë ndërtuar pallate mbi 5 kate do legalizohen, ndërsa ata fukarenjtë, emigrantet, që mezi kane ndërtuar 1 kat për të futur kokën, apo dhe banesa më pak se 5 kate, nuk do të legalizohen.” përfundoi Bumçi
PS: LEGALIZIMET DO KRYHEN FALAS, PERFITOJNE 67 MIJE FAMILJE
Partia Socialiste ka hedhur poshtë akuzat e opozitës në lidhje me procesin e legalizimeve ndërsa ka përsëritur se ky proces do të kryehet falas siç është premtuar gjatë fushatës elektorale.
Deputeti i Partisë Socialiste Pjerin Ndreu tha se ky legalizim do të bëhet falas dhe se nga kjo do të përfitojnë 67 mijë familje.
“Nga projektligji i ri përfitojnë legalizime falas plot 67 mijë familje në Shqipëri. Ashtu siç kemi premtuar, kjo qeveri do i kryej legalizimet. Mazhoranca i bën thirrje qytetarëve të vazhdojnë të bëhen pjesë e këtij procesi dhe me qetësi të presin dhe të mbështesin ekipet e ALUIZNI-t në Kamzë e në periferitë e Tiranës, në Paskuqan e në Kënetën e Durrësit, në Lezhë e Shkodër, në Elbasan e buzë Gjanicës në Fier, Në Vlorë e në Sarandë.” tha Ndreu
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)