TIRANË- A duhet ta legalizojë Shqipëria kanabisin për qëllime mjekësore? Kjo pyetje, e cila është hedhur për diskutim edhe në formularin e Këshillimit Kombëtar, e ka ndarë në 2 kampe "pro" dhe "kundër"  opinionin publik. Qëndrimin "pro" legalizimit në 'Studio Live' në Report Tv e ka mbrojtur avokati, pjesë e grupit të punës, Xheraldo Gjergji. Si fillim, në cilësinë e një eksperti, ai ka përkufizuar se çfarë është kanabisi që përdoret për qëllime mjekësore.

"Nga ana ligjore është ai kanabis që në mënyrën se si rritet kalon në procese laboratorike dhe përdoret dhe shitet në farmaci, jo në markete, apo rrugë", tha Gjergji.

Përballë gazetarëve Migena Sotiri dhe Arbër Hitaj, Gjergji ka sqaruar se ka një keqkuptim për qëllimet mbi të cilat do të përdoret në Shqipëri, për rrjedhojë ai ka deklaruar se kanabisi do të jetë vetëm për t'u eksportuar në farmacitë jashtë vendit, pra nuk do të shitet në rrugë apo dyqanet në vendin tonë dhe do të merret me recetë mjeku.

"Merret me recetën e mjekut, nuk do jetë në farmacitë shqiptare, por produkti shqiptar do jetë në farmacitë botërore. Bëhet fjalë për një treg 55 miliardë dollarë, se i janë gjetur benefite mjekësore të kanabisi", tha ai.

Mirëpo, nuk ka qenë i këtij mendimi Tritan Shehu, deputeti demokrat, ish-ministër shëndetësi njëherazi dhe mjek në profesion. Ai thotë se legalizimi i kanabisit në Shqipëri po bëhet për të legalizuar grupet kriminale dhe se nuk do të sillte gjë tjetër vetëm se degradim të shoqërisë.

"A mund të më thotë dikush të thotë se për çfarë qëllimesh përdoret kanabisi? Ka eksperimente në mjekësi për shkencat, për shkencat, por që nuk kanë dalë në një përfundim konkret, që kanë gjetur përdorim, disa produkte të kanabisit, bëhet fjalë për prodhime industriale në faza terminale të kancerit apo sklerozës, jemi shumë larg përdorimit të kanabisit si substancë mjekësore, është fazë eksperimentale, ne nuk kemi kërkim shkencor, prodhon kanabis nën kujdesin e Ushtrisë. Maqedonia degjeneroi duke forcuar grupet kriminale duke shtuar trafiqet, jemi në një situatë paradoksale, në një kohë që jemi kthyer në parcelë kanabisi. Tendencë për të legalizuar krimet kriminale, nuk mund të pasurohet Shqipëria nga legalizimi i kanabisit. Nëse legalizohet që njerëzit t'i blejnë dhe t'i tymosin, jemi në rregull, kanabisi mjekësor përdoret për të mjekuar, jo për t'u tymosur, se boll tymoset në Shqipëri. Po te jetë kështu le të lejojmë kokainë, heroinë, pse e ndalojmë këtë, ke ti lëmë, pra të lejojmë degradimin fizik, po ku do shkojë shoqëria dhe rinia, hapim një portë të rrezikshme për shoqërinë tonë, ne i stimulojmë njerëzit që të marrin kanabis, ku do gjej treg Shqipëria", tha Shehu.

Shehu thotë se nuk ka asnjë sëmundje që shëron kanabisi, por Gjergji e hedh poshtë si teori duke sjellë rastin në SHBA që përdoret për të prekurit me epilepsi.  

"Një ndër sëmundjet që kanabisi e mban në kontroll është epilepsia. Një fëmijë kishte kriza epileptike 3-4 herë në ditë dhe aktualisht në Amerikë janë disa brende, që përdor CBD përbërës në kanabis mjekësor", tha Gjergji.

*Përgatiti për web gazetarja Brunilda Kazani