Komuniteti i futbollit shqiptar i dha sot lamtumirën e fundit profesor Ismet Bellovës, komentatorit të shquar të Radio Tiranës dhe një prej figurave më të respektuara të sportit dhe gazetarisë shqiptare, i cili ndërroi jetë në fundjavë në moshën 91-vjeçare.
Në homazhet e organizuara në hollin e RTSH-së morën pjesë kreu i FSHF-së, Armand Duka, Zv.Presidenti i FSHF, Lutfi Nuri, dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku. Pas shprehjes së ngushëllimeve për familjarët, miqtë dhe të afërmit e Ismet Bellovës, Presidenti Duka dha një prononcim për mediat, ku vlerësoi maksimalisht figurën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të profesor Bellovës në sportin shqiptar.
“Sot, fatkeqësisht i japim lamtumirën e fundit profesor Ismet Bellovës, gazetar dhe komentator i shquar i mikrofonit shqiptar. Zëri karakteristik i profesor Ismetit ka sjellë futbollin shqiptar në çdo familje shqiptare, në çdo person që e ka pasion futbollin, për dekada e dekada. E ka kryer në mënyrën më perfekte shërbimin e tij, jo vetëm për radion, për komentin, por edhe për futbollin. Zëri i profesorit, kontributi i tij, ka qenë edhe një shkollë për të gjithë ata që e kanë pasuar dhe do të mbetet, siç e thatë ju, një zë emblematik dhe për shumëkënd, mbase edhe për mua, më i miri dhe më i veçanti për mikrofonin shqiptar. Sot, në këtë ditë zie, unë dua t’i shpreh ngushëllimet e mia, të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të gjithë komunitetit futbollistik shqiptar, familjes së profesor Ismetit, miqve të tij dhe të gjithë të njohurve të tij. U preftë në paqe profesor Ismeti!, – tha Presidenti i FSHF-së.
Ismet Bellova lindi në Tiranë më 1 qershor 1934. Arsimin e lartë e përfundoi në ILKF “Vojo Kushi” në vitin 1960, duke u përkushtuar më pas me pasion dhe dinjitet profesionit të mësuesit të edukimit fizik, si edhe gazetarisë sportive. Ai ishte i martuar me Mjeshtren e Merituar të Sportit, Bukuroshe Shtiza.
Rrugëtimi i tij në sport nisi herët, që në vitin 1948, kur u shpall edhe kampion i vendit për të rinj në pingpong. Emri i Ismet Bellovës u bë pjesë e historisë së transmetimeve sportive shqiptare më 29 nëntor 1950, me komentimin e ndeshjes Dinamo - Partizani 1–0, finalja e Kupës së Shqipërisë, duke shënuar fillimin e një karriere të gjatë në Radio Tirana.
Për kontributin e jashtëzakonshëm në sport, arsim dhe gazetari, ai u nderua me tituj e dekorata të shumta, ndër të cilat: “Mësues i Popullit”, Urdhrin “Naim Frashëri” Klasi I dhe të Artë, Urdhrin e Punës Klasi I, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Olimpik”, “Mirënjohja e Tiranës”, “Nderi i Sportit Dibran”, si dhe titullin “Kalorësi i Urdhërit të Flamurit”.
Gjatë jetës së sit Bellova u nderua me një sërë çmimesh, në vitin 2004 u krijua Çmimi “Ismet Bellova” në gazetarinë sportive, ai u vlerësua me Çmimin e Karrierës në TVSH, dy herë Çmimin “Anton Mazreku”, si dhe Mikrofonin e Artë në TVSH.
Ndarja nga jeta e Ismet Bellovës është një humbje e madhe për sportin dhe median shqiptare. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë te brezat që edukoi, te dëgjuesit që e ndoqën dhe te historia e sportit shqiptar, ku emri i tij zë një vend nderi.
Komente






