Zbardhet vendimi I gjykatës së Lartë për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri

Në vendimin e gjykatës së Lartë që mban datën 7 nëntor 2023 sqarohet se për lejen e posaçme në kushtet ku ndodhet Fredi Beleri nuk ka kompetencë Drejtoria e Burgjeve por  SPAK.

Gjykata e Lartë në vendimin e zbardhur argumenton se Gjykata e Posaçme është kompetente për të shqyrtuar kërkesën e tij dhe jo Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës.  Më tej, në vendim thuhet se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka asnjë kompetencë për të miratuar leje për betimin, siç Beleri ka kërkuar në shtator.

Më konkretisht, Gjykata e Lartë argumenton se aksesi i drejtuesit të institucionit të paraburgimit në Durrës për të vlerësuar kushtet e aplikimit të kësaj leje është pothuajse inekzistent.

Në fazën e hetimit paraprak të çështjes së Fredi Belerit në masë arresti në burg, i takon SPAK, si titullar i procedimit penal, vijon Gjykata Supreme, sipas të cilës i vlerëson impaktin e dhënies së lejes nëse ndikon apo jo në rezultatin dhe fshehtësinë e hetimit.

Për aq kohë sa çështja vijon të jetë në hetim në SPAK dhe gjykim në Gjykatën e Posaçme, kërkesa nuk mund të shqyrtohet nga trupë tjetër përtej gjykatës që ka gjykimin në themel.

Pas këtij vendimi të Gjykatës së Lartë, pritet që në vijim GJKKO të caktoj një datë për të shqyrtuar kërkesën, Fjorela Davidhi do të jetë gjyqtarja që do ta shqyrtoj. Që prej 12 majit 2023 që u arrestua nën akuzë për blerje të votave, Fredi Beleri ka kërkuar kohë pas kohe të betohet, por një gjë e tillë nuk është pranuar edhe më herët nga gjykata. Beleri ka kërkuar edhe ndryshim të masës së sigurisë, edhe kjo po ashtu e refuzuar. Për rastin në fjalë u sekuestruan 40 mijë lekë, me të cilat Beleri do të blinte 8 vota në garën për Himarën.

Me të drejtë Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka arsyetuar se gjendet në pamundësi juridike dhe praktike për shqyrtimin e çështjes objekt gjykimi. Neni 73, paragrafi 2, i ligjit nr. 81/2020, parashikon se dhënia e “lejes së veçantë”, për të paraburgosurin jepet me pëlqimin paraprak të prokurorit. Kushtetuta në nenin 148, paragrafi 3, parashikon shprehimisht se: “Prokuroria është organizuar dhe funksionon pranë sistemit gjyqësor.”. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, nuk rezulton të ketë regjistruar asnjë procedim penal në ngarkim të kërkuesit Dhionisios Alfred Beleri, për këtë shkak ky subjekt – prokurori – është në pamundësi për të gjykuar nevojat e sigurimit, apo të mbajë një qëndrim për kërkesën e palës kërkuese.

Përcaktimi i sipërcituar që investon në mënyrë të drejtpërdrejtë gjatë fazës së hetimeve paraprake – në dhënien e “lejes së posaçme” për të arrestuarin nën masën e sigurimit personal “Arresti në burg” – konsensusin substancial të Prokurorit, presupozon diskrecionin e këtij të fundit në cilësinë e titullarit të kësaj faze të procedimit penal (të hetimeve paraprake) për të vlerësuar impaktin e këtij veprimi – dhënies së lejes – në drejtim të ndikimit/paragjykimit/ të rezultateve të hetimit, të fshehtësisë së tyre. Thënë në terma të tjerë, aksesi i drejtuesit të institucionit të paraburgimit në vlerësimin e kushteve të aplikimit të kësaj leje është pothuajse inekzistent'

 Në të njëjtat kushte Kolegji konsideron – në mbështetje të konkluzionit, sipas të cilit, gjatë gjykimit të çështjes penale është gjykata që procedon – që disponon materialisht aktet – kompetente për t’u prononcuar lidhur për çdo kërkesë të të pandehurit, përfshirë edhe kërkesat subsidiare, të lidhura me gjykimin e procedimit kryesor dhe të atij incidental (që bëjnë fjalë për revokim, zëvendësim dhe shuarje të masës së sigurimit personal të caktuar për të siguruar procedimin kryesor) – sikurse në rastin konkret kërkesa për leje të posaçme – aksesin e drejtuesit të institucionit të paraburgimit – në verifikimin (vlerësimin) e kushteve të aplikimit të kësaj leje – në kushtet e inekzistencës.

Përsa kohë që procedimi penal – gjykimi i çështjes – akuzës – ndaj të pandehurit të paraburgosur varet para Gjykatës së gjykimit të çështjes në themel, e cila disponon rast pas rasti krahas gjykimit të procedimit kryesor, edhe lidhur me masën e sigurimit personal (të arrestit në burg) të caktuar ndaj tij në kuadrin e procedimit incidental të “implementuar” gjatë fazës së hetimeve paraprake – në funksion të sigurimit dhe garantimit të procedimit kryesor – verifikimin e vazhdimësisë (edhe në këtë fazë të procedimit) dhe të qëndrueshmërisë së nevojave të sigurimit të këtij procedimi – edhe gjykimi i kërkesave për “leje të posaçme” (gjatë kësaj faze) – vlerësimi – verifikimi – i kushteve të dhënies së tyre, përsa kohë që implikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe “integritetin” e këtyre nevojave (të sigurimit) – nuk mund të realizohet përtej dhe duke anashkaluar – filtrin e kontrollit juridiksional – konsensusin (vullnetin) substancial të organit (të procedimit penal) – të gjykatës (që procedon) të gjykimit të çështjes në themel" thuhet ndër të tjera në vendim.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë) Vendimi i Gjykatës së Lartë