Leka e Blloshmi kanë ushqyer 
urrejtje të tërbuar ndaj rendit socialist

Leka e Blloshmi kanë ushqyer <br />urrejtje të tërbuar ndaj rendit socialist
Pjesë nga vendimi i gjyqit ndaj Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës, dënuar me vdekje me pushkatim në qershor 1978.
 
“I pandehur Vilson Blloshmi, veprimtarinë kryesore kundër pushtetit popullor e ka filluar në formën e agjitacionit dhe propagandës, me anë të thirrjeve që ju ka bërë disa personave për të dobësuar dhe minuar pushtetin popullor, si dhe me anën të përgatitjes së mjaft shkrimeve të përhapura tek persona të ndryshëm, me përmbajtje thellësisht armiqësore.

  (Vilson Blloshmi)

Këtë veprimtari që formon krimin e parashikuar nga neni 73/1 i Kodit Penal, ai e ka filluar qysh në vitin 1966, kur ishte nxënës në Shkollën Pedagogjike të Elbasanit, dhe e ka vazhduar e thelluar më tej, duke e gërshetuar edhe me kryerjen e veprimeve të tjera kriminale të drejtuara kundër bazës ekonomike të rendit tonë socialist, për minimin e saj, d.m.th., për sabotimin, të parashikuar nga neni 72 i Kodit Penal.
 
I pandehur Vilson Blloshmi, ashtu si dhe i pandehuri Genci Leka, ka ushqyer urrejtje të tërbua kundër pushtetit popullor e rendit tonë socialist. Ai ka lidhje fisnie me të pandehurin Genci, sepse atin e këtij të fundit d.m.th., armikun e popullit, tradhtarin B.Leka e ka dajë. Por ajo që lidhte dhe afronte më shumë këta të pandehur ishte përbërja e tyre klasore e njëjtë që u përmend më lart, prandaj edhe kanë mendime të njëjta dhe kanë bashkëbiseduar veprimtarinë kriminale, kundër Partisë e Pushtetit Popullor.
 
Në bisedat që ky i pandehur ka bërë me persona të ndryshëm, si me S.Hykën, H.Bardhoshin, E.Dikën, A.Lepenicën, F.Blloshmin dhe të të pandehurit Genci Leka dhe D.Blloshimi, ai dhe me shkrimet, përkthimet që ka bërë nga gjuhë të huaja dhe literaturat jashtë qarkullimit që ka përhapur tek të tjerët, ka bërë thirrje për minimin e dobësimin e pushtetit popullor të regjimit tonë socialist.
 
Ka shkruar mjaft poezi që janë në kundërshtim të hapur me realitetin tonë dhe me frymë të theksuar armiqësore, siç janë “Sahara”, “Një ankth i llahtarshëm”, “Dhe Koha shkon”, “Jehonë vjeshte”, “Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë”, “Poezi pa titull” etj. Veç këtyre, ka mbajtur në shtëpi, lexuar e përhapur librat jashtë qarkullimit, si “Njerëz të rinj e tokë e lashtë” të Bilal Xhaferrit, i arratisur jashtë, librat fetarë “Thelbi i qëllimit, udha e shpëtimit”, “Muhamedi, profeti ynë”.

Ka bërë përkthime nga autorë të huaj dekadentë e reaksionarë. Kështu, ka lexuar e përkthyer pjesë nga shkrimtarët dekadentë në gjuhën frëngjishte, si Shatobriani, Le Martini, Rembo, Bodler, Syli Predan etj., etj.

Gjithashtu, ka nxjerrë nga autorë të huaj dekadentë e ka përkthyer fragmente të shkëputura ose vjersha të shkruara në shtatë blloqe shënimesh, si dhe ka mbajtur shënime në një bllok në formë kalendarike në gjuhën frëngjisht, pa përmendur këtu dy thasë me libra jashtë qarkullimit e me shënime armiqësore, që mundi t’i zhdukë gjatë kontrollit të banesës që iu bë.
 
Siç u tha edhe më lart, në të gjitha këto shkrime, shënime e përkthime të përgatitura nga ky i pandehur përshkruhen fund e krye, në pjesën më të madhe, nga përmbajtja reaksionare ndaj realitetit të sotëm socialist të vendit tonë, i kundërvihen atij.
 
Në këto materiale të shkruara ose të përkthyera, ai është munduar të helmojë ndërgjegjen e personave të ndryshëm me të cilët ka biseduar, kurse me të pandehurit, Genci Leka e D.Blloshmi, ka pasur qëllim që t’i nxitë, stimulojë e frymëzojë më tej ata, për t’u thelluar në veprimtarinë kriminale e sabotuese. Dhe me këta dy të pandehur ia ka arritur qëllimit.
 
Si nga përmbajtja e këtyre shkrimeve e shënimeve që ka pasur, dhe akt-ekspertimet letrare të ekspertëve kompetentë, del se ata janë me frymë thellësisht armiqësore. Disa të tjera kanë përmbajtje nihiliste, pesimiste, flasin për mërzitjen, për vdekjen, mohojnë jetën, kuptimin e punës së dobishme etj. Pra i bëhet jehonë çdo gjëje të shëmtuar, negative, regresive me këto shkrime e shënime.
 
Ja se çfarë thuhet në disa nga këto shkrime: “S’ka asgjë më të vërtetë të bukur, përveç asaj që nuk shërben për asgjë. Gjithçka është e dobishme, është e shëmtuar” ose “koha shkon dhe koha ikën/ dhe ne “ecim”/ dhe qeshim kur qan jeta/ dhe kur qesh varri vdesim”.

Por dispozicioni i madh i këtij të penduari për t’i ngritur e bërë jehonë çdo gjëje të huaj e negative, del edhe nga një fakt tjetër, sepse edhe kur ka lexuar shkrimtarë të huaj përparimtarë, si Shekspirin, Hygonë, Gorkin etj., ka gërmuar e ka nxjerrë aty pjesët që janë më negative, ose ka lexuar edhe veprat e tyre me përmbajtje jo të shëndoshë, të cilat edhe këta autorë i kanë mohuar në shkrimet e mëvonshme.

Kështu p.sh., nga Gorki ka nxjerrë citatin “nuk ka njeri që të jetë egoist më i madh se i sëmuri”. Nga poeti ynë i Rilindjes, Naim Frashëri, ka marrë citatin: “Mos u bëj mjaltë se të hanë mizat” e shumë të tjera si këto, me të cilat janë mbushur plot blloqe e kalendarë, të cilat i shërbenin si ushqim i ideologjisë së tij, si dhe për të infektuar personat e tjerë të cilëve ua lexonte.
 
Për më tepër, në mjaft shkrime e shënime të tjera të përgatitura nga i pandehuri pasqyrohet urrejtja dhe ligësia e tërbuar e tij që ushqen ndaj realitetit tonë socialist dhe fitoreve të mëdha që janë arritur në vendin tonë nën udhëheqjen e Partisë, siç është poezia “Sahara” me të cilën ai bën aluzion për vendin tonë, se “ka ngelur pa miq e pa shokë”… Pra, e konsideron vendin tonë të “izoluar”, pa miq, “shkretëtirë”.

Është e qartë se realiteti ynë i mrekullueshëm flet për të kundërtën. Ne kemi plot miq, partitë Marksiste-Leniniste dhe popujt përparimtarë të botës. Vendi ynë gëzon një autoritet dhe prestigj të lartë, që çdo ditë po ngrihet e po shkon më tej. Për këtë flet më mirë jehona që kanë bërë punimet e materialeve të Kongresit të 7-të të PPSH, në shumë vende të botës etj.
 
I pandehuri Vilson, si armik i tërbuar, ka ëndërruar e shpresuar për ndryshimin e situatës në vendin tonë; d.m.th., për përmbysjen e pushtetit popullor. Jetën ekonomike, politike e shoqërore, në bisedat që ka zhvilluar e nxjerrë në kundërshtim të hapur me realitetin e gjërave. Se, sipas tij, gjoja jeta është e rëndë, normat (në kooperativë) të larta, shpërblimet të ulëta e nuk mund të përballohet jetesa. Përmbysjen e pushtetit popullor ai e ka pritur nga ndërhyrja e imperialistëve amerikanë dhe revizionistët sovjetikë.
 
Ka lavdëruar e ngritur lart, rendin politik shoqëror të Jugosllavisë e të vendeve të tjera kapitaliste, se atje jetohet më mirë, me liri veprimi e mendimi, kurse tek ne, sipas të pandehurit, njerëzit nuk janë të lirë të veprojnë si të duan.
 
Fajësia e tij për krimin e agjitacionit e të propagandës, megjithëse u përpoq ta mohojë, u vërtetua me provat materiale (shkrimet, përkthimet e shënimet), me dëshmitë e dëshmitarëve të përmendur më lart, si dhe me atribuimet e të pandehurve, Genci Leka dhe Vilson Blloshmi.

"Aty nga mezi i vitit 1973, secili nga këta dy të pandehur vihen në dijeni për grupin e personave që kryente përvetësime në këtë kooperativë bujqësore, nga i pandehuri D. Blloshmi. Ky i pandehur, i cili ishte martuar me të motrën e të pandehurit Genci, pasi ishte zhytur thellë në veprimet e përvetësimeve në dëm të kooperativës bujqësore, në muajin qershor të vitit 1973 shkon në shtëpinë e këtij të fundit për t'u këshilluar se si të vepronte.
 
I pandehuri D. Blloshmi e vuri në dijeni se në sektorin e Bërzeshtës ishte në aktivitet e kryente vjedhje një rrjet i tërë personash, kush ishin ata, si dhe forcat e mënyrat me të cilat i kryenin vjedhjet. I pandehuri Genci, menjëherë e shfrytëzon këtë për qëllimet e tij të errëta ndaj pushtetit popullor. Ai, menjëherë vihet në krye të këtij grupi vjedhësish, duke e drejtuar me anë të të pandehurit D. Blloshmi.

Pasi mësoi për ekzistencën e rrjetit të madh të vjedhjeve të pronës së kooperativës,i pandehuri Genci i jep udhëzime herë pas here të pandehurit D.B, që të zgjerojnë më tej përvetësimet dhe personat, dhe i shpjegon qëllimet armiqësore që do të arrinin: "Të dobësojmë ekonominë e kooperativës,të ulen e të pakësohen të ardhurat e anëtarëve që të bëhen sa më tepër njerëz të pakënaqur e kështu të shtohen radhët e të pakënaqurve ndaj pushtetit popullor".

Ky i pandehur, duke udhëzuar e nxitur të pandehurin D. Blloshmi që të vazhdojë vjedhjet i ka thënë: "Vazhdoni që të vidhni, mirë bëni që vidhni, veç kini kujdes se mos ju kapin, këta të marrin shpirtin. Mbajeni mirë me Mihane Çerrin, se tek ajo nuk dyshon njeri". Po në shtëpinë e të pandehurit Genc Leka, ku kanë qenë të grumbulluar dhe disa persona të tjerë me përbërje të keqe politike, të afërm të tij, midis të cilëve dhe A. Leka..........................., i cili do të gjykohet në një çështje të veçantë për krimin e nenit 73/1, ka qenë dhe i pandehuri D.B.

Aty është vjellë vrer ndaj pushtetit popullor nga të gjithë të pranishmit dhe u bisedua edhe çështja e përvetësimeve që kryente rrjeti i gjerë i personave që është në aktivitet. Aty, i pandehuri Genci e udhëzoi më tej të pandehurin D.B për të vazhduar veprimtarinë armiqësore dhe sabotuese në dëm të kooperativës, i shpjegon edhe një herë për qëllimet armiqësore që do të arrinin me anë të përvetimeve e shpërdorimeve që po kryheshin.
 
Po në vitin 1975, në një bisedë tjetër që është bërë midis të pandehurve Genci Leka, D. Blloshmi e Bedri Blloshmi...është menduar që të punësoheshin si kafsharë, në mënyrë që të realizonin sa më lehtë detyrën...
 
...Pas kësaj, ai përsëri e porositi të pandehurin D.B që të vazhdonte më tej vjedhjet, të ruanin lidhjet me M.C se tek ajo nuk dyshon njeri për vjedhje, meqë është komuniste. Kurse i pandehuri Bedri i është përgjigjur: "Se si e kemi rregulluar ne me M., o Genc, nuk ka perëndi që të na shkatërrojë!". Këto shprehje të këtij të pandehuri flasin për vendosmërinë që të vazhdonte më tej veprimet armiqësore, në dëm të ekonomisë së kooperativës bujqësore, për lidhjet e ngushta që kishin vendosur midis tyre e në veçanti me ish-magazinieren e sektorit Bërzeshtë M. Ç., e cila përvetësonte dhe u krijonte kushte të favorshme këtyre sabotatorëve që të dëmtonin pasurinë e përbashkët.
 
Në bisedat e takimet që bënin, i pandehuri Genci me të pandehurin D.B, i pari i frymëzonte dhe i nxiste më tej si këtë, ashtu dhe pjesëtarët e tjerë të grupit, të hajdutëve, me anë të tij për të vazhduar e zgjeruar veprimtarinë kriminale të vjedhjeve. Siç e pohuan edhe vetë në hetuesi e seancë gjyqësore, të dy të pandehurit përdornin shpesh parullat "vidhni se mall kooperative është, ne nuk kemi sesi të dëmtojmë ndryshe kooperativën vetëm me anë të vjedhjeve".
 
Po kështu, dhe i pandehuri Vilson Blloshmi, në vitin 1973, mësoi për rrjetin e gjerë të përvetësuesve që vepronin në Bërzeshtë, sepse në të bënte pjesë dhe vëllai i tij, i pandehuri Bedri Blloshmi, me të cilin jeton bashkë në një familje. Edhe ky armik i Popullit e i Partisë, i shfrytëzon veprimet që kryheshin, për qëllimet armiqësore të tij, për sabotimin e ekonomisë të kooperativës bujqësore, të ulej vlera e ditës së punës e të shtoheshin radhët e të pakënaqurve ndaj pushtetit popullor, siç ëndërronte ai.
 
Fillimisht, ky i pandehur, duke përfituar nga niveli i ulët arsimor e kulturor dhe vështirësitë e përkohshme ekonomike që kishte i pandehuri R. Sula, që punonte kafshar me të, qysh në vitin 1971, e komprometuan dhe e futën në rrugën e përvetësuesve.

Meqë i mungonin tre thasë doku nga ato që kishte në ngarkim për transportime me kafshët e kooperativës, i pandehuri Vilson i thotë që t'i merrte në magazinën e sektorit Bërzeshtë fshehurazi magazinieres, dhe kështu vepruan. Ai(Vilsoni), e gënjen dhe nxjerr jashtë magazinieren, kurse i pandehuri Rexhep merr dy thasë doku fshehurazi dhe një ia jep i pandehuri Vilson. Përsëri, në një rast në magazinën e sektorit Karkavec,i pandehuri Vilson e nxiti të pandehurin Rexhep dhe që të dy përvetësuan nga një thes bezeje.
 
Në vitin 1972, kur transportonin lëndë ndërtimi për kooperativën nga mali, i pandehuri ka përvetësuar 6 copë kolona ahu me dërrasa. Dhe kur e pyet i pandehuri tjetër R. Sula, ai i përgjigjet: se kështu e duan, nuk të paguajnë shpërblimin e punës... Ata vidhnin më pas nëpërmjet magazinieres.. Genci Leka i porosiste që "me atë të mos e prishin në mënyrë që të vazhdonin vjedhjet, ndihmojeni M.C, siç e keni ndihmuar për ndërtimin e shtëpisë dhe Bedriu e ndihmon në krahun tjetër" . Ndërsa në një rast tjetër, në vitin 1974 po ky i pandehur i ka thënë të pandehurit D.B, tek vendi i quajtur "Farka e Jevgut: "Ju me Bedriun jeni shumë të fortë, se edhe unë kafshar isha në kooperativë, por nuk e rregullova dot me magazinieren për të vjedhur aq mirë sa e keni rregulluar ju. E keni mirë, por tani mos e prishni më, mbajeni këtë terezi që keni".
 
Këto biseda të bëra nga i pandehuri Vilson me një nga anëtarët e grupit të sabotatorëve, të pandehurin D.B, flasin qartë se ai ka qenë në dijeni të grupit të vjedhësve të pronës së kooperativës dhe se më vonë, kur u sigurua për zgjerimin që kishte marrë, me organizimin që ekzistonte mes pjesëmarrësve, si dhe për faktin se në të marrin pjesë edhe njerëz me përbërje të mirë politike siM. Çerri, magaziniere e sektorit, bashkëshorti i saj R. Çerri, që shërbenin si mburojë e veprimeve kriminale të vjedhjeve, sepse tek këta nuk dyshonte njeri dhe se ata ishin korruptuar e zhytur thellë në veprimet që kryente grupi i vjedhësve, e shfrytëzuan për qëllimet e tija këtë veprimtari. Ky i pandehur, sikundër dhe i pandehuri Genci, e përpunojnë më tej grupin e vjedhësve, e orientojnë, e organizojnë dhe zgjerojnë për të thelluar veprimtarinë keqbërëse.
 
Kështu, në rrjetin e vjedhësve, që me kalimin e kohës po zgjerohej e po merrte përpjesëtime të mëdha, në vitet 1973-1974 u përfshinë edhe shumë persona të tjerë si roja i lëmit, punonjës të magazinës, transportues dhe mullixhiu i fshatit. Mullixhiu i fshatit u kthye në një vend për të lehtësuar sa më shumë përvetësimet, sepse mbuloheshin. Drithi nga lëmi ose magazina në shumë raste dërgohej në mulli, gjoja për t'u bluar, dhe natën merrej prej andej dhe çohej në persona të tjerë të cilëve u shitej.
 
Pra, edhe i pandehuri Vilson Blloshmi së bashku me të pandehurin tjetër Genci Leka janë kokat drejtuese të kësaj veprimtarie të gjerë armiqësore që është zhvilluar kundër pronës socialiste, për minimin e pushtetit popullor, domethënë për sabotim.
 
Fajësia e këtij të pandehuri është me tërësinë e fakteve dhe rrethanave që u përmendën më lart. Me atribuimet e të pandehurit D. Blloshmi, R. Sula, me të cilin ai ka pasur marrëdhënie shumë të mira,dhe nuk kanë asnjë interes të rëndojnë pozitën e tij, siç pretendoi ai në seancën gjyqësore. I pandehuri D.B ka shpjeguar se në bisedat që bënte me Vilsonin, ai e mësonte dhe e shtynte për të vazhduar më tej veprimtarinë kriminale, ai i jepte kurajë për këtë,...
 
... Këto të dhëna, si dhe fakti që i pandehuri Vilson pas thirrjes së vëllait të tij në hetuesika marrë pjesë në dy mbledhje, që kanë bërë disa nga pjesëtarët e grupit të përvetimeve dhe veprimtarisë sabotuese, ku ai ka udhëzuar e mësuar me çfarë qëndrimi duhet të mbajnë në qetësi, nuk lë asnjë dyshim se ai është koka drejtuese e sabotatorëve të ekonomisë së Bërzeshtës. Jo vetëm kaq, por ky i pandehur pas fillimit të ndjekjeve penalekundër të pandehurit Bedri Blloshmi, më 4.4.1976, duke arritur deri aty sa të bashkëpunojë me mashtruesin profesionist Ferit Çotra, i cili është dënuar me 5 vjet heqje lirie, për të korruptuar punonjës të organeve të diktaturës. Për këtë qëllim i ka dhënë të dënuarit F.C, të cilin e ka pasur shok të ngushtë, 6000 lekë që t'i jepte mitë personave që do të mbulonin çështjen penale në ngarkim të vëllait të tij.
  
Saharaja
 
(Një nga poezitë që ju bë ekspertiza dhe u përdor si provë në gjyq ndaj Vilson Blloshmit)
 
Nga Vilson Blloshmi
Saharaja, larg është Saharaja,
Saharaja shkëmb e rërë e gurë,
Që ka shok veç emrin e saja
Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.
Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë me mend’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë.
Saharaja nuk ka miq e shokë,
Saharaja nuk ka bijë, as bir.
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.
Natës s’i pëlqen në Sahara,
S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;
Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;
Perç’ e saj e zezë s’ka ç’të mbulojë.
As dhe një s’e di si është kandisur
Me kët’ plagë mbi shpinë rruzullimi,
Por se thonë në botë është stisur
Kur i duhej njerëzisë mallkimi.
Kur ai për keq e mban në gojë,
Saharaja e mban vesh e qesh.
Saharaja fillon të gëzojë,
Kur ne mallkohemi mes nesh.
E kur bie ndrojtur rrez’ e diellit
Dhe mbi gurët e pamyshkët ndrit,
I ngjan vello savani i qiellit,
Shkretëtirës shket e shkrepëtit.
Prandaj, kur urrejtjen e fortë e nxehur
Mbi dikë mallon e shfryn e shan,
Që nga skuta del kujtimi i dehur
Dhe thërret menjëherë Saharanë.
Kur mallkimi shfryn e kur kujtimi
Në pusin e harresës tret…
Kur hyn dielli e kur hesht thëllimi,
Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë.

blloshmi

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Aksident i trefishtë në aksin Pogradec- Korcë! Makinat përplasen me njëra-tjetrën, shkak shpejtësia dhe lagështia në rrugë

Aksident i trefishtë në aksin Pogradec- Korcë! Makinat përplasen me njëra-tjetrën, shkak shpejtësia dhe lagështia në rrugë