Leku si valutë e dytë në Kosovë?

Leku si valutë e dytë në Kosovë?
Asnjë valutë nuk është e ndaluar në Kosovë. Pagesat mund të bëhen me lekë, dollarë, lira, lireta, dinarë. Krejt kjo varet se cilën valutë pranojnë palët në transaksion. Madje, në listën zyrtare të kursit valutor të Bankës Qendrore të Kosovës, në mesin e tridhjetë valutave të tjera është edhe leku.

Mirëpo, në praktikë ndodh diçka tjetër. Lekun, kosovarët e përdorin vetëm pasi hyjnë në territorin e Shqipërisë. Kur të kthehen, edhe nëse u mbetet ndonjë qindarkë në xhep e kanë vështirë ta konvertojnë në euro, meqenëse bankat me dëshirë nuk e pranojnë lekun.Poashtu edhe transaksionet që bëhen ndërmjet bizneseve në Kosovë dhe atyre në Shqipëri mbyllen me euro- jo vetëm si monedhë për përllogaritje, por edhe për pagesë. Kjo nuk ndodh për shkak të fanatizmit të kosovarëve për të mbrojtur paranë që kanë në qarkullim, por që të dyja palët duan valutë të fortë- euro, pa marrë parasysh problemet që ka ajo. Forma e tillë e pagesës kërkohet edhe nga pala shqiptare, meqenëse për eksportin e produkteve apo shërbimeve të tyre duan valutë të fortë.

Ditëve të fundit, nga Tirana erdhi një ide që Kosova të përdorë lekun si valutë të dytë. Kur ka thënë këtë deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Mesila Doda, nuk ka menduar për unifikimin e monedhës mes Shqipërisë dhe Kosovës, por vetëm për një zyrtarizim të lekut në Kosovë. Sipas saj, kjo do të sillte përfitime ekonomike për të dy vendet dhe do të ndikonte pozitivisht edhe në skenarët e ndryshueshëm lidhur me fatin e Eurozonës.

Ide që ia vlen të analizohet, posaçërisht nën prizmin e bashkimit të dy vendeve. Ndërkaq, nëse deputetja ka menduar vetëm për rritjen e shkëmbimit të mallrave ndërmjet dy vendeve, atëherë kjo është një ide e kotë, meqenëse valuta asnjëherë nuk ka qenë pengesë, sa oferta e varfër e ekonomive të dy vendeve.

Ndërkaq, e tërë çështja nuk është e thjeshtë, meqenëse futja e lekut si valutë e dytë në Kosovë nuk mund të ndodhë për shkak të disponimit të një individi, apo institucioni, përderisa nuk ndërtohen mekanizmat e sistemit monetar, që në esencë do të paraqisnin hapin e parë drejt integrimit të tregut. Kjo çështje nuk qëndron në vullnetin e guvernatorit të BSH-së, Ardian Fullani, se a do t’i thotë kolegut të tij në Prishtinë, Gani Gërgurit- merrni lekë sa të doni dhe futeni në qarkullim në Kosovë. Këtë nuk ka mundur ta bëjë Banka Qendrore Europiane me rastin e futjes së euros në qarkullim, meqenëse paraprakisht është dashur të ndërtojë mekanizmat për funksionimin e tregut unik monetar, të zëvendësojë të gjitha valutat domicile, e më pastaj e tërë zona e euros të funksionojë me një valutë të vetme – jo vetëm si instrument i përllogaritjes, por edhe për pagesa.

Ndërkaq, kur është në pyetje Kosova dhe Mali i Zi, gjërat janë zhvilluar më ndryshe. Në rastin e parë, vendit i mungonte valuta e vet, ndërsa paraprakisht në përdorim kishte markën gjermane. Ishte krejt e natyrshme që kjo markë të konvertohet në euro edhe për faktin se Kosova, për shkak të statusit të atëhershëm, më shumë ishte problem politik dhe ekonomik i Evropës. Edhe Mali i Zi euron e pranoi vetëm për përdorim, meqenëse ai nuk i takon zonës së euros. Madje, për një kohë si valutë të dytë kishte edhe dinarin jugosllav, meqenëse para pavarësimit i takonte sistemit që kishte këtë valutë zyrtare.

Në aktualitetin ekonomik në Kosovë dhe në Shqipëri, zbatimi i idesë së deputetes Doda nuk do të jepte ndonjë efekt drejt zhvillimit apo integrimit të të dyja vendeve, pos që do t’i shkaktonte edhe më shumë kokëçarje Bankës së Shqipërisë për të ruajtur stabilitetin e valutës. Nga ana tjetër, Kosova do të paguante një kosto për përdorimin e lekut. Pos kësaj, rreziku për zhvlerësimin e lekut do të ishte shumë më i madh se tani, meqenëse edhe më tutje bizneset do të insistojnë që transaksionet e tyre t’i zhvillojnë me euro, e cila atyre iu duhet më shumë se sa leku, i cili nuk mund të ketë përdorim matanë kufijve të shtetit shqiptar.

Kur është në pyetje Kosova, futja e valutës së dytë zyrtare në përdorim do të krijonte bukur shumë telashe, më shumë të natyrës operative. Në rastin më banal po përmendim se të gjithë artikujt që janë në shitje çmimet duhet t’i kenë në të dyja valutat, kurse blerësi përcaktohet se si do të bëjë pagesën, apo se sistemi bankar duhet të futë pakot paralele, ato të shprehura në euro dhe në lekë, ku paraqiten kushtet dhe çmimet për shërbimet që ofrojnë ato. Ndërkaq, Banka Qendrore e Kosovës, me kompetencat që ka nuk ka ndonjë mekanizëm efikas për kontrollimin e tregut monetar, apo për ndërhyrje me qëllim të ruajtjes së valutës, në këtë rast të lekut. Sërish kjo kompetencë do t’i mbetej Bankës së Shqipërisë, e cila, për shkak të statusit politik që ka Kosova, nuk mund të ndërhyjë në mënyrë të drejtpërdrejtë në tregun saj, por vetëm se mund të rrisë, apo të zvogëlojë masën e monedhave që ka në qarkullim jashtë kufijve ku ajo ka kompetencë.

Duke pasur parasysh këto rrethana, atëherë para futjes së lekut si valutë zyrtare në Kosovë kërkohen një varg veprimesh paraprake, të cilat fillimisht ndërlidhen me kompetencat e BQK-së, e më vonë me veprimin e përbashkët me BSH-në, ose unifikimin e kritereve për funksionimin e sistemit monetar. Një organizim i këtillë vetvetiu imponon ndërtimin e formave që domosdoshmërisht do të drejtonin kah integrimi i sistemit monetar. Në esencë ky do të ishte edhe integrimi i tregut dhe i tërë ekonomisë.

Ndërkaq, kur është në pyetje shkëmbimi tregtar ndërmjet dy vendeve, ai asnjëherë nuk ka qenë nën presionin e asaj se me çfarë valute do të bëhet pagesa. Eksporti dhe importi kryesisht kanë qenë të penguar nga barrierat absurde që kanë aplikuar qeveritë e të dyja vendeve. Për këtë flet rasti i çimentos, verërave, patates, bllokimi i projekteve në energjetikë… Në anën tjetër, vëllimi i tyre ka reflektuar edhe ofertën e të dyja ekonomive.

Sado që ai ende mbetet modest, shkëmbimi tregtar është duke shënuar rritje. Vjet eksporti i Kosovës drejt Shqipërisë, krahasuar me vitin 2005, është rritur gjashtë herë, sa edhe importi. Rritjet më të mëdha shënohen në vitin 2010 dhe 2011, për shkak të përmirësimit të infrastrukturës rrugore, e cila ka lehtësuar qarkullimin e mallrave. Kjo gjendje tregon se qeveritë e të dyja vendeve më shumë duhet të fokusohen në heqjen e barrierave administrative, përafrimin e kushteve për themelimin dhe zhvillimin e biznesit, ndërtimin e infrastrukturës funksionale, se në deklaratat që tingëllojnë mirë, por që janë larg nga mundësitë reale që ofrojnë të dyja vendet.

Marre nga MAPO
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Mbappe debuton me gol! Reali fiton Superkupën e Europës ndaj Atalantës, 'Galaktikët' trimfuan 2-0

Mbappe debuton me gol! Reali fiton Superkupën e Europës ndaj Atalantës, 'Galaktikët' trimfuan 2-0