TIRANE-  Ndërsa në Lindjen e Mesme e veçanërisht në Siri është duke u rritur tensioni i luftimeve, Shqipëria do të ndalojë me ligj importin e çdo lënde kimike, përfshirë armët kimike, që dy vjet më parë ngritën në këmbë shqiptarët në një betejë të fituar me qeverinë e cila refuzoi shkatërrimin e armëve kimike siriane në vendin tonë. Për të shmangur një situatë të ngjashme me atë të nëntorit 2013, qeveria ka hartuar një projektligj "për menaxhimin e kimikateve" ku ndalon importin dhe eksportin e çdo lënde kimike. Në këto kushte, Shqipëria e parandalon me ligj kërkesën e çdo shteti që mund t'i vijë për të çaktivizuar armët kimike brenda territorit të vendit tonë. 

....
Në Shqipëri nuk do të vijnë armë kimike. Pavarësisht marrëveshjeve që mund të ketë nënshkruar vendi ynë armët kimike nuk do të lejohet të kalojnë në territorin tonë. Projektligji i ri i Këshillit të Ministrave për “Menaxhimin e Kimikateve” ndalon importin ose eksportin e këtyre armëve. “Importi dhe eksporti për lëndët e rrezikshme nuk do të zbatohet për armët kimike dhe lëndët paraprirëse të armëve kimike”, - thuhet në nenin 4 të projektligjit të ri.

Gjithashtu Shqipëria nuk do të lejojë as kimikatet që mund të përdoren për prodhimin e substancave narkotike e të substancave psikotrope dhe materialet radioaktive. Dy vite më parë Shqipëria u përfshi nga protesta të gjera nga qytetarët, të cilat kërkonin që të mos pranohej shkatërrimi i armëve kimike siriane në vendin tonë.

Protestat bënë që Kryeministri Edi Rama ti thoshte jo, kërkesës së ndërkombëtarëve për të asgjësuar armët kimike në Shqipëri.
 
Kimikatet
Duke qenë se përbëjnë rrezik për sigurinë e njerëzve, të gjitha llojet e kimikateve do të ruhen në masa të forta sigurie. “Kimikatet duhet të mbahen ose të ruhen në mënyrë të tillë që të parandalohet ndonjë rrezik, të mos shkaktohet konfuzion për ngjashmëri me mallrat e konsumit të përgjithshëm, veçanërisht me ushqime, ose për përdorimin gabimisht të tyre. Kimikatet e rrezikshme dhe paketimi i tyre duhet të mbrohen nga ndikimet e rrezikshme, veçanërisht nga ato të natyrës mekanike. Kimikatet e rrezikshme duhet të jenë qartësisht të identifikueshme dhe gjatë ruajtjes në magazinë duhet të mbahen të ndara nga mallrat e tjera. Kimikatet duhet të mbahen vetëm në paketim origjinal, të mbyllur dhe të pathyeshëm. Kimikatet e rrezikshme të vendosura në treg për t’u përdorur nga publiku mund të shiten në njësi të specializuara për kimikatet”, - thuhet në projektligj.

Gjithashtu në paketimin e kimikateve të rrezikshme dhe të artikujve që nuk janë të rrezikshëm, por përmbajnë të paktën një substancë të klasifikuar si të rrezikshme, duhet të përcaktohen emri tregtar i kimikatit, emri i substancës së rrezikshme që përmban përzierja dhe sasia e kimikatit që përmban ambalazhi.

Ndotja, rregulla të reja për asbestin dhe mërkurin
Vitet e fundit është vënë re një sasi e lartë asbesti në ajër. Për këtë qeveria ka parashikuar reduktimin e shkarkimeve të asbesitit. “Në parandalimin dhe reduktimin e ndotjes nga asbesti me qëllim mbrojtjen e shëndetit të njeriut dhe mjedisit përfshihen masa për reduktimin në burim të shkarkimeve të asbestit në ajër, të derdhjeve të asbestit në mjediset ujore dhe të mbetjeve të ngurta të asbestit”, - përcakton projektligji. Asbesti shkakton sëmundje kronike të mushkërive, që karakterizohet me dëmtim të indeve të mushkërive. Një tjetër lëndë e rrezikshme është mërkuri.

Mërkuri është një neurotoksinë. Ai prek cerebelumin, i cili është pjesa e trurit që ndihmon për të lëvizurin dhe koordinon lëvizjen. Merkuri dëmton gjithashtu veshkat dhe organet e tjera, por dëmi neurologjik që ai shkakton është i pakthyeshëm. Për mërkurin është parashikuar kontrolle për ata që hedhin mbetje teknologjike të pakontrolluara. “Në reduktimin e ndotjes dhe eliminimin gradual deri në zhdukje të plotë të përdorimit të mërkurit përfshihen masat për ndalimin e eksporteve, reduktimin e mërkurit në produkte, procese dhe në industritë që e përdorin, çlirojnë ose shkarkojnë mërkur në atmosferë apo lëshojnë në mënyrë të pakontrolluar mbetjet teknologjike që përmbajnë mërkur, detyrimin për ruajtjen dhe asgjësimin e sigurt të mërkurit”, - parashikon projektligji i ri. Gjithashtu do të hartohen rregulla për ndalimin e eksportit të mërkurit metalik, komponimeve dhe përzierjeve të caktuara të mërkurit, ruajtjes së sigurt të mërkurit metalik dhe kritere specifike të ruajtjes së mërkurit metalik të konsideruar si mbetje.
 
Kontroll lëndëve kimike, do testohet tek kafshët
Lëndët kimike që do të kalojnë tranzit në Shqipëri do ti nënshtrohet kontrollit të plotë. Lëndët kimike që janë të rrezikshme nuk do të lejohet të kalojnë. “Përpara çlirimit për qarkullim të lirë të kimikatit të rrezikshëm, autoritetet doganore verifikojnë dokumentacionin shoqërues të kimikateve të rrezikshme.  Në procesin e kontrollit të kimikateve të rrezikshme, inspektori i mjedisit është i autorizuar të vendosë: Ndalimin e importimit të kimikateve të rrezikshme, vendosja në treg e të cilave nuk është e lejuar në Republikën e Shqipërisë, duke urdhëruar kthimin te dërguesi. Ndalimin e kalimit transit të kimikateve të rrezikshme, paketimi apo etiketimi i të cilave nuk është në përputhje me dispozitat e aktet nënligjore të miratuara në bazë të këtij ligji, duke urdhëruar që kimikatet e rrezikshme të kthehen te dërguesi”, - përcakton neni 38 i projektligjit për “Menaxhimin e Kimikateve”.

Testimi
Sipas projektligjit testimet mbi kafshët kryhen vetëm në rastin kur, për qëllime të klasifikimit, alternativa të tjera nuk janë të mundshme. “Testimet mbi kafshë kryhen në përputhje me kërkesat për mbrojtjen e kafshëve që përdoren për eksperimente ose për qëllime të tjera shkencore. Ministri përgjegjës për shëndetësinë dhe ministri përgjegjës për bujqësinë miratojnë rregullat për mbrojtjen e kafshëve”, - thuhet në projektligj.
 
Tregtimi i paligjshëm, gjoba deri në 20 milionë
Prodhimi, vendosja në treg apo përdorimi i kimikateve dhe artikujve të rrezikshëm dënohet me gjobë në vlerën 300 000 deri në 500 000 lekë për përdoruesin, 500 000 deri në 1 000 000 lekë për furnizuesin, 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë për prodhuesin apo importuesin. Prodhimi, vendosja në treg apo përdorimi i një kimikati të rrezikshëm nga persona nën moshën 18 vjeç, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Reklamimi i kimikateve duke fshehur rreziqet që ato mund të paraqesin për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, dënohet me gjobë nga 300 000 deri në 800 000 lekë Zhvillimi i testimeve të kimikateve të rrezikshme nga prodhuesit, të cilat janë të ndaluara të kryhen në qenie shtazore, dënohet me gjobë nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë. Kryerja e çdo testimi të ri eko-toksikologjik dhe toksikologjik, dënohet me gjobë nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lek
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)