11 emigrantë me origjinë nga vende të Afrikës, Azisë dhe Karaibeve tentuan të largoheshin drejt Italisë me një gomone, por mjeti lundrues pësoi avari në det pak orë pasi ishin nisur nga brigjet e Vlorës.
Emigrantët janë nisur me gomone nga një vend që ende nuk është përcaktuar ekzaktësisht nga policia, por rreth 8 milje larg grykëderdhjes së lumit Vjosë mjeti lundrues nisi të fuste ujë.
Të rrezikuar nga mbytja, ata lëshuan sinjalin SOS. Menjëherë u aktivizuan mjetet lundruese të Delta Forcës dhe të Policisë Kufitare, të cilat lokalizuan gomonen dhe shpëtuan të 11 personat që ndodheshin në bord.
Sipas Policisë, emigrantët janë nga Haiti, Afganistani, Bangladeshi, Pakistani dhe Liberia.
Pas shpëtimit, të lodhur, por në gjendje të mirë shëndetësore, ata priten me ujë dhe ushqim, ndërsa më pas do t'u nënshtrohen kontrolleve mjekësore. Teksa zbresin nga skafi i policisë kufitare në Triport të Vlorës dhe hipin në furgonin e policisë, ata deklarojnë se destinacioni i tyre ishte Italia.
Sipas autoriteteve, monitorimi i hapësirës detare me radarë tregon se gjatë 48 orëve të fundit nuk është konstatuar asnjë tentativë për të lëvizur drejt ujërave ndërkombëtare.
Në momentin e ndërhyrjes, në gomone ndodheshin vetëm emigrantët. Gjithsesi ka dyshime se mund të ketë persona të tjerë që janë përfshirë në trafikimin e emigrantëve. Ndaj emigrantët u shoqëruan në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, ku po merren në pyetje për të zbardhur itinerarin që kanë ndjekur dhe mënyrën se si siguruan mjetin lundrues.
Hetimet janë përqendruar në identifikimin e personave që dyshohet se kanë organizuar këtë tentativë të kalimit të paligjshëm te kufirit.
Policia kufitare ka reaguar për shpëtimin e 11 emigrantë të paligjshëm rrezikuan mbytjen në brigjet e Vlorës.
Në njoftimin zyrtar policia shprehet se nga monitorimi i hapësirës detare me radarë gjatë 48 orëve të fundit nuk ka pasur asnjë tentativë të mjeteve lundruese për të lëvizur drejt ujërave ndërkombëtare.
Ndërkohë sa i përket gomones që po lëviznin blutë thonë se, mjeti lundrues kishte një sasi të vogël dhe të pamjaftueshme karburanti në serbator.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, menjëherë pas marrjes së kërkesës për ndihmë, përmes një telefonate nga një numër grek, rreth orës 07:30 të ditës së sotme, se disa emigrantë rrezikonin të mbyteshin në det, në veri të ishullit të Sazanit, u nisën drejt zonës së sinjalizuar.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe koordinimit të shërbimeve të Policisë Kufitare, Rojes Bregdetare dhe Guardia di Finanza (GDF), u bë i mundur lokalizimi i gomones në hapësirën detare dhe nxjerrja në breg, në gjendje të mirë shëndetësore, e 11 emigrantëve nga vende të ndryshme.
Nga veprimet e deritanishme hetimore rezulton se mjeti lundrues ishte një gomone me përmasa të vogla (rreth 3 metra me motor 25 KF), me sasi të vogël dhe të pamjaftueshme karburanti në serbator.
Gjithashtu, nga monitorimi i hapësirës detare me radarë rezulton se gjatë 48 orëve të fundit nuk ka pasur asnjë tentativë të mjeteve lundruese për të lëvizur drejt ujërave ndërkombëtare.
Grupi i posaçëm hetimor, i ngritur për këtë rast, vijon punën nën drejtimin e Prokurorisë, për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin me prova ligjore të këtij rasti.
Komente








Po mjetin ai nga Haiti e drejtonte? Futini brenda re gjithe per shkelje kufiri mos guxoje kush te vije.
Përgjigju