TIRANE- Nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, ka hedhur poshtë akuzat e opozitës se dy djemtë e saj kanë përfituar tenderin për OSHEE dhe koncesionin e hekurudhës Tiranë-Ballsh, gjë e cila sipas argumenteve të PD, përbën shkelje të ligjit për konfliktin e interesit dhe si rrjedhojë sjell humbjen e mandatit të deputetit për Leskajn. Deputetja socialiste deklaroi se biznesi i dy djemve të saj ka nisur para se ajo të fillonte karrierën politike. Gjithashtu, nënkryetarja e Kuvendit theksoi se djemtë e kanë zhvilluar biznesin e tyre edhe gjatë qeverisjes së Berishës si dhe kur kryetar i Bashkisë së Tiranës, ishte Lulzim Basha.

“Djali im është 48 vjeç, ka 20 vjet në biznes e ka ngritur në kohën tuaj. Nëse i ke bërë ndonjë privilegj çohu dhe thuaj. Nuk ka një qindarkë para publike në biznesin e tij. Ka paguar taksa, është nga taksapaguesit më të rregullt. Zero para publike në biznesin e tij”, u shpreh Leskaj. Shpjegimin për tenderin e OSHEE i atakuar fort nga opozita, nënkryetarja e Kuvendit e ka dhënë për herë të parë duke e bazuar në dokumente. Ajo tha se djali i saj është tërhequr që në tetor nga tenderi. “Ja ku e keni, ka aplikuar tek OSHEE, jo për stres por janë 20 pika të trajnimit, ka aplikuar dhe e ka refuzuar, është tërhequr vetë në tetor, jo në kohën kur nxorët ju papagallët që të sulmonin një njeri të ndershëm”, ka deklaruar Leskaj.

Ajo ka renditur një sërë projektesh ku djali i saj ka qenë konsulent, si i punësuar i një kompanie ndërkombëtare e cila është ndër 10 më të mirat në botë. “Terminali multimodal, bashkia Tiranë, fitues Bashkia Tiranë, financuar nga BERZH. “Ju thoni që ja ka dhënë Edi Rama që ndan paratë, ja ku është, unë nuk e besoj se Lul Basha ka ndarë paratë me djalin tim. Dhe nuk janë para publike. Studimi i fizibilitetit dhe rehabilitimin e digave, projekti është fituar në vitin 2012 dhe fitues qeveria “Berisha””, theksoi ajo, duke shtuar se aktiviteti i djemve të saj është i ndryshëm nga ai i fëmijëve të Berishës që punojnë si sekserë.

Por për ish-kryeministrin Sali Berisha, mandati i deputetes Valentina Leskaj është bërë “kurban” i Edi Ramës, pasi djali i saj e mori koncesionin e hekurudhës për interesa të kryeministrit. “Justifikimi është se janë para të Bankës Botërore ato janë borxhet që shqiptarët marrin tek Banka Botërore. Po hekurudha e kujt është? A e pranoni ju moj zonjë ligjin e konfliktit të interesit? Keni kryer krim kushtetues të gjithë ju që e keni lejuar këtë… Mandati yt ka marrë fund që kur djali yt ka marrë hekurudhën për interes të Ramës është bërë “kurban” i Ramës. Ti dorëzo mandatin”, u shpreh Berisha.
 
Apartamenti 
Leskaj tha se “djali i saj edhe pse biznesmen, jeton thjesht në një apartament të kohës së Enverit dhe jo në vila luksoze si djali i Berishës, i cili s’ka punuar qoftë edhe një ditë të vetme në jetën e tij
 
Berisha
“Keni kryer krim kushtetues të gjithë ju që e keni lejuar këtë… Mandati yt ka marrë fund që kur djali yt ka marrë hekurudhën për interes të Ramës është bërë “kurban” i Ramës. Ti dorëzo mandatin”