250 familje të kompleksit “Laguna Blu” i janë drejtuar me një letër kryeministrit, Edi Rama ku i kërkojnë që të marrë masa për anullimin e lejes së ndërtimin dhe prishjen e mëtejshme të terreneve sportive në këtë zonë.

Banorët, duke i kutjuar Ramës korrupsionin në këtë histori, ku Aleksandër Frangaj akuzohet se ka privatizuar një pronë të përbashkët. Në letër përmendet dhe emri i gjyqtarit Artu Gaxhi.

Gjithashtu, banorët kërkojnë dhe fillimin e hetimeve ndaj kompanisë që ka kryer shitjen e ambienteve të kompleksit, duke e akuzuar për evazion fiskal.

Banorët i kanë kërkuar Ramës të mos vazhdojë të heshtë dhe shprehen se janë të gatshëm që në rast të mos ndërhyrjes së shtetit të përshkallëzojnë përpjekjet e tyre me çdo lloj mjeti.
 
Letra e plotë:

Zoti Kryeministër,
 
Para pak ditësh, siç jeni në dijeni, kemi dërguar në adresën tuaj një peticion ku ju informonim e njëherësh kërkonim ndërhyrjen tuaj për atë çka po ndodh në mjediset e kompleksit rezidencial “Laguna blu” në Qerret, Kavajë.
         Komuniteti ynë prej 250 familjesh që jeton në mjediset e kompleksit “Laguna blu”, i cili gëzon me ligj të drejtën e bashkëpronësisë së mjediseve të përbashkëta, ndjehet i cënuar rëndë e i dhunuar keq nga veprimet arbitrare, arrogante dhe në shkelje flagrante të ligjit të një prej banorëve të kompleksit tonë, shtetasit Aleksandër Frangaj.
Ju drejtuam juve nisur pikërisht nga angazhimi (dhe detyrimi) juaj publik në luftën kundër informalitetit, shkeljes së ligjit dhe korrupsionit, po për habinë dhe keqardhjen e shumëkujt prej nesh deri tani nuk kemi parë asnjë reagim zyrtar nga ju ose institucionet në varësinë tuaj.
         Në bazë të dokumentave, shihet tashmë qartë se pronësia mbi truallin e ish-terreneve sportive - ligjërisht pronë e përbashkët, prandaj dhe e patjetërsueshme, e të gjithë ne banorëve të fshatit turistik – është blerë në mënyrë të paligjshme përmes praktikash tejet korruptive prej shtetasit Aleksandër Frangaj e, për më tepër, madje mjerisht, me firmën e parardhësit tuaj u është ndërruar atyre edhe destinacioni (nga fusha sportive në godina banimi).
Sipas ligjit dhe çdo sistemi drejtësie normale, “vetëm një interes i fortë publik mund të detyrojë autoritetin publik (Shtetin) që të heqë të drejtën e një komuniteti kaq të gjerë për të përdorur sipërfaqet e përbashkëta (terrene sportive), por kurrë nuk mund të justifikohet privatizimi në favor të një individi tjetër”. Këtë mund ta bëjë vetëm një shtet i kapur e një drejtësi e korruptuar si kjo e jona – me firma gjyqtarësh sharlatanë si Artur Gaxhi.
 
Zoti Kryeminister,
kjo nuk është betejë gazetarësh, siç mundohet ta paraqesë Aleksandër Frangaj.  Kjo është një betejë për drejtësi, betejë midis një komuniteti të dhunuar në të drejtën e tij për të jetuar normalisht dhe shtetit, i cili ia ka privuar këtë të drejtë duke i ofruar favore një individi në dëm të komunitetit.
Ne nuk mund të pranojnë si “drejtësi publike” mundësinë që u ofrohet individëve të pushtetshëm për të kapur, korruptuar dhe gjunjëzuar shtetin.
Kjo është një betejë për fëmijët tanë, të cilët nuk meritojnë të rriten të dhunuar, vetëm për faktin që prindërit e tyre vendosën të jetojnë në këtë vend.      
Ndaj kërkojmë nga ju dhe ju institucionet që ju drejtoni të marrin masa të menjëhershme për anullimin e lejes së ndërtimin dhe prishjen e mëtejshme të terreneve sportive në Kompleksin Laguna Blu, kthimin e territorit në destinacion sportiv si edhe fillimin e procedurave ligjore që prona e marrë në menyrë korruptive nga Aleskander Frangaj të kthehet përsëri ne pronesi publike.
Kërkojme gjithashtu fillimin e hetimeve ndaj kompanisë EPIDAM, e cila është në themel të të gjitha praktikave korruptive lidhur me shitjen e ambienteve të Kompleksit. Ne e akuzojme atë për evazionin fiskal në lidhje me kontratat e shitjeve të banesave, për të cilat komuniteti mund te dëshmojë me fakte.  
Mbetemi me shpresën dhe dëshirën për të besuar që ju dhe drejtësia  do ta thotë shpejt fjalën e saj me profesionalizëm e ndershmëri, por jemi të përgatitur që, edhe në rast mospërmbushjeje të pritshmërive tona, t’i përshkallëzojmë intensivisht përpjekjet tona me çdo lloj mjeti. 
Komuniteti i kompleksit rezidencial “Laguna Blu”

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)