Letra e rrallë e dy amerikanëve që
sillnin ndihma në Shqipërinë e ‘45-’47

Letra e rrallë e dy amerikanëve që<br />sillnin ndihma në Shqipërinë e ‘45-’47
Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore gjendja e popullsive ishte tejet e mjerueshme për shkak të masakrës njerëzore dhe shkatërrimeve apokaliptike.

Për këtë arsye Organizata e Kombeve të Bashkuara për të dhënë ndihma të menjëhershme dhe për të nisur rimëkëmbjen ngriti një administratë të posaçme, e cila anglisht me shkurtim u quajt UNRRA. Më 11 prill 1945 qeveria shqiptare nënshkroi marrëveshjen përkatëse dhe më 7 gusht misioni i UNRRA-s u vendos në Tiranë.

Kujdes i veçantë u tregua për fëmijët. E mbaj mend fare mirë se si në shkollë, unë atëherë isha në fillore, vihej kazani për të zier qumështin pluhur, me të cilin na jepnin edhe biskota. Ndodhte që qumështi ngjiste në fund gjatë zierjes dhe kishtë një erë e një amzë, që ende sot më ngacmojnë, por ajo mbështetje ishte shpëtimtare.

Ushqimet vinin nga depot prej të cilave ishin furnizuar njësitë ushtarake në front. Prandaj do të vinin në portin e Durrësit me anije luftarake, madje ishte planifikuar që ushtarakët të shoqëronin shpërndarjen e ndihmave deri në pikat e nevojshme. Qeveria shqiptare pati dyshime se pas kësaj mënyre mund të fshiheshin edhe qëllime të tjera, prandaj që në fillim nuk i lejoi anijet ushtarake të hynin në Durrës dhe ndërmori zbarkimin me mjete të tjera.

Marrëdhëniet me misionin u acaruan dhe kjo çoi në largimin e tij në qershor 1947. Gjendja e vendit vijonte të ishte e rëndë, madje edhe jugosllavët e kishin keqësuar më tej me grabitjen prej depove shqiptare të shumë mallrave, që kishin mbetur. Pikërisht në këto rrethana u ngrit një zë për ta ndihmuar Shqipërinë nga çifti amerikan Xhejks.

Edvin Xhejksi (anglisht Edëin Jacques) me të shoqen, Dorotinë, kishin ardhur në Korçë më 1932 si misionarë për të bashkëpunuar me çiftin tjetër amerikan me mbiemrin Kenedi. Ata kishin ngritur një shkollë bashkë me misionin protestant. Mirëpo më 1933 me vendim të Ahmet Zogut u mbyllën të gjitha shkollat private dhe Kenedët u detyruan të largoheshin.

Xhejksi qëndroi si përgjegjës për misionin dhe kishin hapur edhe një dhomë leximi si bibliotekë. Ai merrej me përkthimin e fletëpalosjeve dhe shtypjen e shpërndarjen e materialeve të Misionit të Dhurimit të Shkrimeve, ndërsa më 1934 u lejua shitja e librave nëpër vend.

Që nga ai vit madje Xhejksi u interesua që të rishikoheshin përkthimet biblike për t’i përditësuar dhe për këtë bisedoi më pas me Fan Nolin, me qëllim që të përfshihej edhe ai. Pak kohë qëndroi edhe në Elbasan për të mësuar shqipen me ndihmën e Lef  Nosit. Më 1935 ndërmori një udhëtim nëpër Shqipëri.

Megjithatë, përkujdesi kryesor i Xhejksit ishte të mblidhte lëndën për një histori të Shqipërisë, sepse nga marrëdhëniet e përditshme me shqiptarët atij iu ngjall një respekt dhe dashuri e veçantë për këtë popull të lashtë. Ndërkaq ngjarjet u rrokullisën me shpejtësi.

Në prill 1939 fashistët italianë e pushtuan vendin. Prefekti i Korçës më 19 shtator i kërkoi Edvinit bashkë me të shoqen të largoheshin dhe më 20 maj 1940 ata ikën nga Korça. Ishte amerikani i fundit që largohej nga Shqipëria e pushtuar. Por atij asnjëherë nuk iu nda zemra nga shqiptarët.

Në Amerikë Xhejksi vijoi punën si pastor në kishën e Fiçburgut. Ai ndiqte lajmet nga Shqipëria dhe mësoi se drejtuesi i UNRRA-s kishte thënë: “Asgjëkundi tjetër në botë nuk kam parë kaq shumë uri sesa kam parë në Shqipëri.”

Edhe atij vetë i kishin ardhur letra nga të njohur prej Shqipërisë, te të cilët vinte re se nuk i drejtoheshin si lypës, por i kërkonin të falur, që kishin nevojë për ushqime dhe veshmbathje. Mori vesh se në fund të qershorit UNRRA do të largohej për arsye politike, madje edhe ndihmat e deriatëhershme kishin qenë relativisht të pakta. I prekur thellë nga kjo, Xhejksi nuk psherëtiu me dhimbje, por vendosi të ndërmerrte vetë një fushatë për të ndihmuar shqiptarët.

Iu drejtua me një letër kishave të ndryshme, që të mblidhnin ushqime dhe veshje për t’i dërguar në Shqipëri. Këtë letër po e jap të përkthyer shqip. Aty ka përshkruar konkretisht se çfarë duhej bërë, madje ka paraqitur edhe shpenzimet që duheshin për transportin, duke marrë përsipër edhe paketimin për dërgimin me det. Ka hetuar me hollësi çdo rrugëzgjidhje dhe nga çdo palë, që mund të sillte ndihmesë për këtë veprimtari.

Letra është e datës 17 qershor 1947, domethënë plot shtatëdhjetë vjet më parë dhe e nënshkruar nga të dy bashkëshortët. Por ajo që bie fort në sy është një flamur i kuq me shqiponjën e zezë, që e kurorëzon letrën. Për ta kuptuar se si është bërë flamuri në këtë letër të daktilografuar, më duhet të shkoj përpara në vitet pasuese.
Më 1995 është botuar libri i E. Xhejksit, i cili më 1996 ka dalë i përkthyer shqip me titullin “Shqiptarët. Populli shqiptar nga lashtësia deri në vitin 1912”.

Në fund ka një bibliografi të gjerë me libra, pjesën më të madhe të të cilëve Xhejksi i kishte në bibliotekën e vet dhe bashkë me materiale të tjera i kishte nisur për në atdhe, kur u detyrua të largohej nga Korça. Ai kishte lindur më 1908 dhe vdiq më 1996. Gjithë arkivin e tij i vëllai dhe e motra më 1998 e dërguan në Seminarin baptist të Denverit.

Pasi e mori vesh këtë, drejtori i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante në Tiranë, dr. David Hosaflook, u interesua për mundësinë që biblioteka dhe arkivi i Xhejksit të vinin në Tiranë. Dhe kjo u bë e mundur pas shumë përpjekjesh. Tashti në këtë arkiv është edhe një vulë me shqiponjën e pikërisht me këtë vulë është bërë shqiponja në flamurin e letrës së qershorit 1947.

Ende pa u rrëzuar diktatura ushatarke e Enver Hoxhës më 1986, Xhejksi erdhi për një vizitë në Korçë, ndërsa bëri një vizitë të dytë edhe më 1991. Këto rikthime e ndihmuan për t’i dhënë dorën e fundit librit të vet për historinë e shqiptarëve.

Ndërkaq, ka interes të kthehemi përsëri shtatëdhjetë vjet më parë, që  të mësojmë se çfarë ndodhi pas letrës së tij. Të dhënat tregojnë se ai ka dërguar 500 pako nga 10 kg për 65-70 familje shqiptare dhe do të kishte dërguar shumë më tepër, në rast se përsëri me dyshimet e saj antiamerikane qeveria e kohës nuk do ta ndalonte ardhjen e pakove më 1949, sidomos meqë shoqëroheshin edhe me literaturë ungjillore, ngaqë një misionar gjithmonë interesohet edhe për ushqimin shpirtëror, mirpo në këtë rast ai me realizëm shton: “”Ne e kuptojmë se as dëshirat e mira dhe as lutjet për vëllezërit dhe motrat e mjeruara nuk do t’i ushqejnë ose do t’i veshin ata vërtet, këtë e bën puna.”

Duke e lexuar këtë letër, më erdhën ndërmend fjalët e njohura të Fan Nolit: “Mbaju, nënë, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë” dhe më duket se mund të shtohej gjithashtu: se ke miqtë në Amerikë, miq të vërtetë me zemër dhe me ndihmë bujare.
 
Ndihmoni Shqipërinë
Pikërisht para se të fillojmë pushimet, le t’i drejtojmë zemrat tona te nevojat e dëshpëruara të miqve shqiptarë, të varfëruar nga lufta. Qendra Ndërkombëtare për Ndihmë Popullsisë Civile me seli në Gjenevë ka njoftuar, se “Shqipëria është një nga vendet më të shkretuara rëndë në Europë.” Kryetari i UNRRA-s citohet se ka thënë: “Asgjëkundi tjetër në botë nuk kam parë kaq shumë uri sa kam parë në Shqipëri.” Po na vijnë shumë letra nga njerëz, që aspak nuk lypin, por kërkojnë falje se kanë nevojë për ushqime dhe veshje.

Për shkak të marrëdhënieve politike Shqipëria ka marrë relativisht pak nga ndihmat e UNRRA-s; gjithsesi UNRRA do të largohet më 30 qershor. Me aq sa dimë ne, nuk ka asnjë grup prej njerëzish jo shqiptarë, që të dërgojë ndihma për Shqipërinë. Për shkak të mbisundimit rus dhe të refuzimit nga Amerika për të dhënë njohjen diplomatike, ne ende nuk kemi mundësinë të kthehemi për të plotësuar nevojat e tyre shpirtërore. Por mund të dërgojmë pako me ushqime dhe veshje, duke u siguruar kështu miqve shqiptarë, se vëllezërit dhe motrat e tyre në ungjill nuk i lënë të vdesin urie, të paveshur dhe pa asnjë ndihmë.

Kisha Baptiste e Hajlandit këtu në Fiçburg të Masaçusetsit, ku shërbejmë ne, ka dërguar rreth 300 kg rroba të përdorura dhe disa pako me ushqime, e si rrjedhim sapo na kanë ardhur letra prekëse falënderimi. “Por çfarë janë ata mes aq shumë të tjerësh?” Prandaj po ju ftojmë që të ndihmoni për këtë punë. Kisha juaj, shoqëria juaj misionare, shkolla e së dielës, Përpjekja e Krishterë ose Shkolla e pushimeve e Biblës a po hartojnë ndonjë projekt misionar të vlefshëm? A mund t’ju sugjerojmë që të jetë për ndihmë Shqipërisë?

USHQIMET. Për fat të keq, pakot e organizatës CARE ende nuk mund të shkojnë në Shqipëri. Me kënaqësi ne do të dërgonim ushqimet plotësuese të mëposhtme: karamele, çokollata të ëmbla, kafe të bluar, sheqer pluhur, miell tërshëre, miell gruri, oriz, supa pluhur dhe kubikë me koncentrat lëngu mishi, mish në kuti, yndyrë dhjamë, kallëpë sapuni, reçel në kuti, peshk të tharë ose të tymosur, djathë, rrush të thatë, kumbulla, qumësht pluhur dhe miell.

VESHMBATHJET. Të jenë të përdorura, jo të reja, por në gjendje të mirë. Këpucët janë të mirëseardhura. Në çdo pako do të vihet literaturë ungjillore. Ne do të kujdesemi në Fiçburg për formalitetet postare, për përmasat dhe peshën e pakove, deklaratat e përmbajtjes për doganën etj., si dhe për vërtetimet e dizinfektimit për rrobat. Disa njerëz mund të parapëlqejnë të japin ndihmë FINANCIARE; me këtë do të blihen ushqime ose do të paguhen shpenzimet postare. Për të dërguar një pako prej 10 kg në Shqipëri kushton 3,57 dollarë.

Duhen 4 ose 5 muaj që pakoja të mbërrijë atje. Po të dërgohen tashti, do të shkonin rreth krishtlindjeve dhe do të ndihmonin për të kapërcyer vuajtjet e dimrit. Ju lutem, a do të bënit gjithçka mundeni tashti shpejt? Duke lexuar te Gjoni 2:14-17, ne e kuptojmë se as dëshirat e mira dhe as lutjet për vëllezërit dhe motrat e mjeruara nuk do t’i ushqejnë ose do t’i veshin ata vërtet; këtë e bën puna.

Kam përpara këtu letra me kërkesa, të cilat mund të plotësohen vetëm në qoftë se të tjerë njerëz do të bashkohen me ne në këtë veprimtari mëshire e dashurie. Ju lutemi që grupi juaj të dërgojë çfarëdo nga artikujt e mësipërm në çdo sasi me këtë adresë: 27 Cedar St, Fitchburg, Mass. Njerëzit tanë të kishës do të ndihmojnë për t’i mbështjellë e paketuar, që të dërgohen jashtë.
Për shqiptarët dhe në emër të Krishtit.
                   Edwin dhe Dorothy Jacques.
17/vi/47



letra amerikaneve

letra amerikaneve
  Një prej kampeve të refugjatëve çam në Shqipëri trajtuar me ndihma nga UNRRA

 Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier! Qytetarët me flamuj kuq e zi paradë në qendër të qytetit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier! Qytetarët me flamuj kuq e zi paradë në qendër të qytetit