Letra: Hetues Reshati më kërkoj të pranoja atë që thoshte Sabri Pilkati, se Myslym Keta dhe ne ishim për likujdimin fizik të Enver Hoxhës…

Letra: Hetues Reshati më kërkoj të pranoja atë që thoshte Sabri Pilkati, se Myslym Keta dhe ne ishim për likujdimin fizik të Enver Hoxhës…

Grupi Operativ Special që u krijua menjëherë pas arrestimit të ish-Ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehut, në mesin e muajit tetor të vitit 1982, në krye të të cilit ishte zv/ministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, dhe si vartës të tij kishte Enver Zenelin e Hasan Ulqinakun, ndërmjet masave të tjera, siç ishin; studimi dhe analiza e një numër të madh dosjesh arkivore, që i përkisnin një periudhe të gjatë kohe, (1945-1982), u bëri thirrje dhe u kërkoi edhe disave prej ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes së PPSh-së dhe ish-kuadrove të lartë drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, oficerëve të Sigurimit të Shtetit, etj., që të jepnin me shkrim, ato që ata dinin, apo kishin dyshime, lidhur me “veprimtarinë armiqësore”, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, apo dhe personave të tjerë, me të cilët ata i kishte lidhur puna apo jo, gjatë periudhës që ata kishin shërbyer pranë asaj ministrie, apo në Degët e Brendshme në rrethe, në sektorin e Zbulimit Politik, pranë përfaqësive tona diplomatike të akredituara në shtete të ndryshme të botës, etj.

Ndër ish-funksionarët e lartë të PPSh-së dhe kuadrot drejtuese e oficerët e Sigurimit të Shtetit, etj., që iu përgjigjën kësaj thirrje, duke dhënë dëshmitë e tyre me shkrim pranë Grupit Operativ Special, ishin: Liri Belishova, (ish-anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së për propagandë, artin dhe kulturën), Nesti Kerenxhi, (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Punëve të Brendshme), Xhule Çiraku (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Rexhep Kolli (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Zija Kambo (ish-gjeneral-major dhe komandant i Gadrdës së Republikës), Zoi Themeli (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Nevzat Haznedari, (ish-gjeneral-major dhe Kryetari i Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme), Hekuran Pobrati (ish-kolonel dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit), Feti Smokthina (ish-kolonel dhe Komandant i Gardës së Republikës), Zylfi Saliu (ish-kolonel, oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit, kryetar Dege të Brendshme në disa rrethe, e deputet i Kuvendit Popullor), Lelo Sinaj, (ish-oficer madhor dhe Drejtor i Sigurimit të Shtetit), Halil Zeneli (ish-kolonel i Sigurimit dhe kryetar Dege të Brendshme në disa rrethe), Ilo Manushi (oficer madhor dhe shefi Drejtorisë së Kuadrit të Ministrisë së Brendshme), Xhemal Bejto Fasllia, (ish-oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme), Ibrahim Kubati (ish-kuadër i lartë, i dënuar me burg politik, së bashku me të vëllanë, Ali Kubati, ish-nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, shok dhe miq të ngushtë të Myslym Ketës), Mark Dodani (ish-nënkolonel dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit) etj., etj.

Nga letrat në fjalë të dërguara në adresë të Grupit Operativ Special pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo personalisht ministrit Hekuran Isai, në vitet 1982-1983, në numrat e kaluar, kemi publikuar letrat e Liri Belishovës, Hekuran Pobratit dhe Mark Dodanit, në këtë shkrim, kemi përzgjedhur për botim, letrën e Ibrahim Kubatit, drejtuar Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, (degës së Sigurimit), e cila mban datën 19 nëntor të vitit 1982, pak ditëve pasi ai ishte liruar nga burgu i Spaçit, (me amnistinë që u dha asokohe nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë), ku ai vuante dënimin që nga viti 1980, si i burgosur politik.

Ibrahim Kubati, me profesion agronom dhe i diplomuar në Bullgari, prej disa vitesh kishte shërbyer si drejtor i rezervateve të gjuetisë në disa rrethe të vendit, ku shkonte udhëheqja e lartë e PPSh-së për gjueti, (Dajt, Kune-Vain. Velipojë, Divjakë, Elbasan, Librazhd, Karaburun, Korçë, etj.) dhe ai njihej edhe si njeri i afërt i Kadri Hazbiut, e cili e merrte shpesh me vete kur shkonte për gjueti. Ibrahimi ishte arrestuar (në vitin 1980) si pjesë e një “grupi armiqësor”, ku bënin pjesë edhe i vëllai i tij, Ali Kubati (ish-nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tiranës), Bardhyl Mano, ose siç njihej ndryshe si; Lola Mano (ish-funksionar i lartë me disa detyra shtetërore), Edip Ohri, (ish-kolonel, komandant i Aviacionit Luftarak të Shqipërisë dhe deputet në Kuvendin Popullor), Sabri Pilkati (ish-prokuror dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës), Shyqëri Këllezi, (djali i xhaxhajt të Abdyl Këllezit, ish-shoqërues personal i Enver Hoxhës gjatë Luftës dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhave),të cilët u dënuan me vite të gjata burgu politik.

Të gjithë pjesëtarët e këtij “grupi armiqësor”, përveç miqësisë së ngushtë me njëri tjetrin, kishin edhe lidhje krushqie (Sabri Pilkati, kishte për grua motrën e Myslym Ketës, Edip Ohri, kishte për grua, motrën e Ali dhe Ibrahim Kubatit, kurse Myslym Keta, kishte për grua, motrën e Bardhyl Manos), kishin qenë edhe shokët dhe miqtë më të ngushtë të Myslym Ketës, (“Hero i Popullit”), që nga periudha e Luftës, si pjesëtarë të njësiteve guerile të Tiranës e formacioneve partizane, miqësi të cilën e kishin ruajtur edhe pas vdekjes “aksidentale” të tij (në 1966), duke e vazhduar atë, deri ditën që u arrestuan. Në këtë grup shokësh, bënin pjesë edhe kolonel Adnan Qatipi dhe Safet Kurti, (ish-pjesëtarë të njësiteve guerile me Myslym Ketën) të cilët nuk u arrestuan si të tjerët, (gjë e cila, edhe për shkak të intrigave të Sigurimit, bëri që të hidheshin hije dyshimi mbi ta), por patën dhe ata probleme, duke u shkarkuar nga detyrat që kishin, apo duke i nxjerrë në pension, (Safet Kurti), ende pa mbushur 50 vjeç!

Siç do të shohim edhe nga letra në fjalë e Ibrahim Kubatit, gjatë procesit hetimor, hetuesit kanë insistuar që ai, të pranonte akuzën, ku thuhej se ata, pjesëtarët e atij grupi, në biseda mes tyre dhe me të tjerë, shprehshin se; Myslym Keta nuk kishte vdekur aksidentalisht, por atë e kishte eliminuar Sigurimi i Shtetit, pasi udhëheqja e lartë, kishte shumë frikë nga ai. Kjo gjë, e cila është përfolur nën zë edhe gjatë periudhës së regjimit komunist, bëhet e ditur edhe nga ish-oficeri i lartë i Sigurimit të Shtetit, nënkolonel Mark Dodani, në letrën që ai i’a dërgon ministrit Hekuran Isai në vitin 1982, ku ai tregon se; në vitin 1965, e kishte thirrur zv/ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-major, Rexhep Kolli, (që njëkohësisht ishte dhe Drejtori Sigurimit të Shtetit), i cili i kishte ngarkuar si detyrë, që ai (Marku), të vriste Myslym Ketën, pasi Lymi kishte kaluar në tradhti e donte të arratisej nga Shqipëria.

Për atë gjë, Rexhep Kolli i kishte treguar Markut edhe urdhrin me shkrim, të firmosur nga ministri i Mbrojtjes, gjeneral-leitnant Beqir Balluku dhe ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Kadri Hazbiu. Ndërsa me këto u njohëm në tre shkrimet e kaluara nga letra e Mark Dodanit, lidhur me bisedat e shokëve dhe miqve më të më ngushtë të Myslym Ketës, (Edip Ohri, Bardhyl Mano, Sabri Pilkati dhe Ibrahim e Ali Kubati), si dhe për ato që u kërkonte hetuesia atyre, etj., na njeh letra e Ibrahim Kubatit, (që publikohet për herë të parë nga Memorie.al), e cila mendojmë se hedh dritë mbi misterin e vdekjes së “Heroit të Popullit”, Myslym Keta, një nga ngjarjet më të përfolura që nga viti 1966, por bën të ditura edhe raportet e marrëdhëniet që kishin pjesëtarët e atij grupi me njëri tjetrin!

DOKUMENTI ARKIVOR ME LETRËN E IBRAHIM KUBATIT, I SAPO LIRUAR NGA BURGU I SPAÇIT ME AMNISTINË E VITIT 1982, DËRGUAR MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME, HEKURAN ISAI

MBI DISA ÇËSHTJE QË KANË TË BËJNË ME PROCESIN HETIMOR KUNDËR MEJE DHE PERSONAVE TË TJERË QË LIDHEN ME MUA

Do të mundohem të jem racional dhe konçiz në të shkrojtur, megjithëse kam frikë se s’do të arrij plotësisht këtë objektiv.

Kam kohë që bluaj në vetë vete, për të shprehur atë që ndjej dhe mendoj, por e kam patur të pa mundur. U mundova në hetuesi të veproj në këtë mënyrë, por nuk më vajti mbarë, po kështu dhe në periudhën e vuajtjes së dënimit. Fjalimi i shokut Enver para zgjedhësve, më dha impulse të forta, me sqaroi pikëpyetjet që më ishin grumbulluar në kokën time dhe me forcoi bindjen, për ta materializuar vendimin e marrë nga unë, për t’ju drejtuar vetëm Partisë.

Dy takimet e bëra me ju dhe lirimi i parakohshëm imi, ndryshuan gjërat e po më detyrojnë që t’ju drejtohem juve, me bindjen që mund të hedh dritë mbi disa çështje të ngutshme, e shumë të rëndësishme për Partinë. Di të dalloj “personalen” nga të “përgjithshmen”. Me hallet personale nuk jam mirë, bilanci është negativ. Një nënë që më vdiq (ose “ma vranë”), pesë shkurorëzime, tre të burgosur, përjashtime nga Partia, ç’rregullime familjare e tjera e, mbi të gjitha, brenga e madhe e një “ish-armiku”, i parë nga të tjerët, e pse jo dhe vrasja e ndërgjegjes për gabimet e bëra nga unë, si para ashtu edhe pas arrestimit (në hetuesi).

Këto gjëra i shkruajta për të sqaruar situatën dhe jo për t’u shfajësuar dhe kërkuar lëmoshë. Kam marrë një vendim të prerë për ta filluar jetën nga e para, për të përfituar vetëm nga e “përgjithshmja” (për të cilën do të flas më poshtë). Me që ra fjala, dua të bëj një sqarim: ai shoku juaj (që nuk ja di emrin dhe mund të jetë edhe eprori i juaj), që takova në Spaç, më bëri një aluzion, nëse jam mirë apo jo nga mentë! Tani unë jam mësuar të mbaj në kurriz shumë gjëra, kështu që edhe atë fyerje e gëlltita. Po mundohem tash e tutje, ta përmbaj veten, por them se kushdo që të ishte në vendin tim, të kalonte ato peripeci edhe mund të shmangej. Çështë e vërteta, kam emocione, madje dhe të forta, kështu pata dhe me ju që ishit personat e parë të lirë që shikoja.

Përsa i takon “të përgjithshmes”, ajo ishte jo vetëm e ndritur por hyjnore e na i ka mbushur zemrat me hare dhe optimizëm. Ajo më takon edhe mua dhe fëmijëve të mi e, s’ka forcë të ma mohojë. Unë atë e ndjej në shpirt, e shikoj tek njerëzit e për çudi e pashë edhe tek shumë të burgosur në Spaç dhe rrugës kur u liruam, si thirrnin e brohorisnin me emrin e udhëheqësit në gojë. S’dua të bëj agjitacion a reklama, por Enver Hoxha, është bërë atribut i Partisë dhe i popullit dhe kjo do të thotë shumë.

Para se të filloj në çështjet e hetuesisë, do të bëj një sqarim e, do të shpreh një mendim timin, që mund të jetë edhe i gabuar. Kur shikohesh nga unë për të shfaqur mendimet e sugjerimet rreth hetuesisë, Kristoforit, unë çuditesha, mbasi të gjitha problemet i kisha sqaruar dhe aty nuk ishin një apo dy hetues, por gjashtë, që vepronin kolektivisht dhe që dinin gjithçka.

E dyta gjatë periudhës që qëndrova në “stash” pata shumë provokim të stilit të Kristoforit dhe e ndjeja që s’mund të bëja asgjë. Pata edhe pas arrestimit të Kristoforit. Pastaj, Kristoforin e dija njeri të Partisë dhe së fundi nuk kisha krijuar bindje, që gjithçka shkonte në destinacion.

Në Spaç të burgosurit, pëshpëritnin që; shoku Enver ka thënë, se deri tani unë kam vënë gishtin në këto punë, por tani do të vej dorën. Fjalimin para zgjedhësve e dëgjova dhe e lexova disa herë, kështu që kam formuar bindjen, t’ju drejtohem njëlloj si edhe Partisë. Po filloj nga çështja:

1-Problemi kyç i hetuesisë për mua, ka qenë çështja e Lym Ketës. Nuk e mbaj mend me saktësi, çfarë kam firmosur për këtë punë, por di të them se insistohej në fillim (që orën e parë të hetuesisë) të thonja se (unë dhe Bardhyli), pohonim se Sigurimi e kishte vrarë Myslym Ketën, ndër të tjera, se ai paraqiste rrezik për udhëheqjen, si trim që ishte.

E vërteta ishte ndryshe. Bardhyli kishte dyshuar se, mos e kishin vrarë Myslymin (mbasi ai dinte gjithçka për të), bile e kishte verifikuar problemin në vend, nëpërmjet Vito Koçit dhe i kishte rezultuar aksident i thjeshtë. Edhe Bardhyli, nuk e kishte këtë mendim. Por Kristofori me Bashkim Asllanin, kërkonin pikërisht këtë gjë.

Kam deponuar se Bardhyli thonte në atë kohë, që udhëheqësi nuk i bëri vizitë në rastin e vdekjes, familjes. As Mehmet Shehu jo. Por ky i fundit, i qëndroi afër familjes, i dërgonte makinën e vet, më duket se i lidhi edhe kredinë, për ndërtimin e shtëpisë. Vizitë i ka bërë vetëm Kadri Hazbiu, i cili e mbante veten shok të tij dhe që ndodhej afër. Më kujtohet se në qeli me mua, ndodhej dhe një tjetër, që quhej Hasan. Ndër provokimet që më bënte shpesh herë, përmendte Myslym Ketën, që sikur të ishte gjallë, ai do ta bënte kërdinë, në mbrojtje të Beqir Ballukut, etj, etj.

Një herë i thashë hetuesit tim, një fjalë që kisha dëgjuar nga im vëlla, e më duket se ishte thënë nga Babë Myslimi: “Ç’kini me Myslym Ketën, ai ka qenë trim, por si ai ka patur me dhjetëra e qindra Tirana” dhe shtova nga vetja, se po fryhet shumë figura e tij. I thashë të gjitha këto, se më është krijuar bindja se figura e Myslym Ketës, është sajuar, deformuar nga tradhtarët, si Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, për ta përdorur për qëllimet e tyre djallëzore.

Në hetuesi, kam deponuar gjithashtu, se dija nga Bardhyli, se ai dhe shokët e tij, dyshonin për tim vëlla, Aliun, se mos i kishte denoncuar tek Kadriu; por ishin qetësuar më vonë, pikërisht kur ishte kthyer nga Gjermania dhe u kishte thënë fjalë jo të mirë, në adresë të Safet Kurtit, thënë nga Kadri Hazbiu.

Fjalët e Kadri Hazbiut për Safetin, nuk më kujtohen tamam, por pak a shumë, ishin këto; pse e mbani afër, ai s’është shok i mirë, etj. Këto fjalë Bardhyli i interpretonte, si mesazh i Kadriut, për t’u ruajtur nga Safeti, sepse sipas tij, Safeti e kishte paditur Myslym Ketën.

Unë e kam njohur dhe takuar dy herë Kadri Hazbiun, kur më merrte me detyrat e gjuetisë dhe të rezervateve të gjuetisë, në Kune dhe Vain. Di mirë që gjuante dhe mbante afër vëllanë tim, si dhe Bardhylin (Mano), etj., (për vëllanë tim, nuk e shtoj pyetjen, se këtë çështje, do ta trajtoj më vonë).

Kadri Hazbiu, i njihte pikëpamjet e Bardhylit, Sabriut (Pilkatit), që prej kohësh, nga Asllan Haka. Atëherë përse i mbante afër këta njerëz, përse rrokesh me Bardhylin, por kështu edhe Mehmet Shehu, që gjuante me Bardhylin? Përse pastaj, në momentin e volitshëm prej tyre, i linçuan, d.m.th., i hodhën në orbitë, për të plotësuar qëllimet e tyre?!

2-Mbasi u vërtetua se unë nuk isha agjent i bullgarëve, u kalua në organizatën kundër-revolucionare. Më thanë se unë nuk e dija këtë, por ata më kishin futur mua dhe unë duhesh të ndihmoja patjetër. Jeta e shokut Enver ishte në rrezik dhe unë duhet të isha më i shqetësuar, të vrisja mendjen, të kujtoja çdo detaj e t’i ndihmoja. E në këtë periudhë, më trajtuan si shok e më bindën se Bardhyli, është agjent i UDB-së. Unë me timen kujtoja gjithçka, bëja supozime, përmendja emra, etj., etj. Njëherë në mbrëmje vonë, Kristofori (Mërtiro) dhe Bashkimi (Asllani), më thirrën shumë të tronditur, që t’i ndihmoja seriozisht, për të vërtetuar se Bardhyli, është agjent. Vura re se gjithçka ishte e inskenuar, ata prapëseprapë, ishin shumë të shqetësuar në këtë pikë.

Pastaj u kalua në maketin e organizatës kundër-revolucionare. Maketin e ndërtoi Bashkimi (Asllani), gjatë një nate të tërë me mua. Unë e shkruaja dhe po të ishte e vërtete ajo, do të vërtetoheshin, ndryshe unë s’kisha pse të kisha frikë. Maketi përmbante në formë tezash, qëllimet kryesore të organizatës, që synonte likuidimin e udhëheqjes e të shokut Enver, me të gjitha mënyrat, me armë, helm, etj. Zëvendësimin e pushtetit tonë me atë revizionist, e gjëra të tjera që nuk më kujtohen. Por maketi ra poshtë e nuk u vërtetua.

Me sa më kujtohet rreth maketit, u bë fjalë prapë për Myslym Ketën, Bardhylin dhe Edipin (Ohrin). Maketi m’u la ta mbaja unë në dhomë të izolimit dhe unë i pata vënë pikëpyetje të gjithave, gjë që e nxeh dhe e zemëron shumë Bashkimin. Në maket, përmendeshin të gjitha emrat e familjes time, për të cilat do të flas më vonë. Me gjithë se maketi ra poshtë, më kujtohet që shprehje të caktuara të tij, u futën në proçes-verbalet e tjera, si dhe pjesëmarrja ime, e Bardhylit, e Edipit, aktivisht për përmbysjen e pushtetit popullor.

3-Në proçes-verbalet e mbajtura dhe deri diku në gjyq, vihesh theksi vetëm në thënie që cënonin figurën e udhëheqësit dhe u lanë pa vënë thëniet, drejtuar kundër Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, e tjerë. Si dhe kam shpjeguar edhe në hetuesi, Edip Ohri fliste keq për Mehmet Shehun, e gjithçka ja atribuonte atij.

Në atë kohë, unë këtë ja u shpjegova hetuesve dhe i thashë se kjo ka lidhje me faktin se Edipi, ka shkuar keq me Mehmetin e, sidomos me te vëllanë, Duro Shehun, që ishte sekretar Partie për Aviacionin. Atë e hoqën, ndërsa Edipi donte të punonte pa rrogë, bile për këtë, kishte ndërmend ose donte t’i drejtohesh edhe shokut Hysni (nuk më kujtohet a ju drejtua apo jo).

Po kështu Edip Ohri fliste keq dhe për oficerët e Sigurimit, Kadri Hazbiun, dhe kjo i nevrikosi më shumë hetuesit (Bashkimin) se thëniet e tjera. Ai thonte se; organet e Sigurimit, do të japin llogari, se nuk qenë ato që zbuluan grupet puçiste, sabotatorët e tjerë, por qe udhëheqësi. Hetuesia u ndal shumë në problemin e caktimit të fushës së Aviacionit në Zadrimë, duke më pyetur mua, si e dija këtë problem, pse kundërshton Edipi që të bëhesh në Mallakastër, apo gjetkë! Unë mezi e kuptoja këtë çështje dhe i thashë se këtë, e ka sqaruar shoku Enver. Megjithëse këtij problemi i vunë shumë rëndësi, me sa më kujtohet, nuk u pasqyrua në proçeset e mbajtura.

4-Gjatë gjithë proçesit të hetuesisë, insistohesh për rolin e Myslim Ketës. Unë kam dëgjuar një histori prej Bardhylit, se si Myslim Keta, duke gjuajtur një herë në varkë, kishte mbetur varka në derdhjen e një lumi në det, ishin bllokuar disa orë, deri sa i kishin shpëtuar shokët e kufirit. Por këtë histori, e kisha harruar. Bashkimi kërkonte nga unë, që të pranoja se kjo ka qenë tentativë arratisjeje.

Bile ngulte këmbë, që Myslimi dhe Bardhyli, kishin hartuar planin, për të tentuar mbi jetën e udhëheqësit kryesor dhe për t’u arratisur. Sigurisht dhe ky variant nuk u vërtetua. Pastaj kërkonin me insistim, që të deklaroja, se Bardhyli ka dashur të arratisesh. Unë i thosha se kam dëgjuar që donin të dilnin për turizëm me Myslim Ketën, e vetëm kaq.

I thosha se Bardhyli, është aventurier në kuptimin e qejfeve, por jo për arratisje. Për këtë pikë, ka insistuar shumë Kristofori, Bashkimi, dhe hetuesi i vëllait (më duket se quhet Zaçe), bile më thonin se, nuk jam i sinqertë, mbasi im vëlla, ka pranuar që Bardhyli donte të arratisej. Kjo pikë ka zgjatur shumë, sa që hetuesi i vëllait tim, më solli një dorëshkrim nga vëllai, në prezencë të Bashkimit dhe më tha: “A e njeh shkrimin e vëllait”? dhe më tha të lexoja në një rresht, ku me të vërtet, dallohej fjala arratisje.

5-Kur mora fletë padijen, u trondita shumë dhe kërkova të takohesha me hetuesin tim. Me vjen Reshat Velaj (Leskaj) dhe hetues Marku. Unë i thashë se akt-padija, ose fletë-akuza, është shumë e fortë dhe përmban gjera të paqena. Reshati në prani të Markut, më këshilloi që të ngrihem pa frikë, e të them një thënie të Sabriut (Pilkatit), shënuar në fletë-padi, ku thuhesh: “Se ne, kemi qenë për likuidimin fizik të udhëheqësit”.

Unë u tmerrova, ndërsa ai qeshi dhe më përcolli. Më duket se të nesërmen, më thirri Kristofori, atij i thashë se unë se them këtë shprehje të Sabriut, se s’është e vërtetë. Ai më tha se ajo shprehja, ka kuptim figurativ dhe në asnjë mënyrë, të mos e themi, sepse Reshati, ma kishte thënë gabim.

Më tha se ndarja në grupe, është e tillë. Që grupi i parë ka dënime më të rënda, ndërsa për grupin e dytë, ku isha edhe unë, dënimet zbritnin. Unë kujtova në moment, që në grupin e parë kisha vëllain, heshti dhe ndërroi bisedë. Kështu Bashkimi më kishte thënë, se do të dënohesha 5 vjet. Pas gjyqit, unë bëra apelim për ulje dënimi.

Menjëherë pas kësaj, më thirri Kristofori dhe Reshati urgjentisht. Reshati na la vetëm dhe ai, d.m.th., Kristofori, më tha se; pse bëre apelim dhe se ç’kisha shkruar? Ja shpjegova, por vura re se u qetësua shumë dhe tha se; dënimi im, mund të kthehet në kondiconel, shumë kollaj.

6- Gjatë hetuesisë, kishte insistim edhe për Miço Kallamatën, i cili ishte anëtar partie i nëntorit 1941. Reshat Leskaj, në prani të Bashkimit, e më duket edhe të Markut (hetues i Ministrisë), foli për këngën e “200 Petritave”, e cila tashti duhesh hequr. Na bëri përshtypje dhe i pash me habi.

Kaloi shumë kohë dhe Miçua nuk u arrestua! Atëhere, në një takim ku ishte Reshati, Bashkimi, e më duket edhe Marku, ju drejtova dhe u thashë se: “Çdo të bëni me këngën e 200 Petritëve?! Reshati u nxeh dhe tregoi një histori për një të pandehur, që kishte lexuar diçka në tavolinë tek hetuesi dhe e kishte pyetur këtë më vonë, por nuk i piu ujë./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mirditori: 01/09/2023 23:44

    Turp,Turp,Jazëk.Shqiptari nuk e ka zakon të meret me të larguarit nga kjo jetë.Qëllimi i këtyre lloj shkrimesh është:-PËRÇARIA që pastaj të bëjnë QEFË zagarët e brëndshëm dhe qentë e jashtëm.Shumë keq që botohen shkrime të tilla(pa faksimile të lexushme)Dashnor është edrejta jote të mendosh ndryshe nga unëpor jo të përçash.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën