TIRANE-  Ilir Kupa i arratisur nga burgu i Trikallës në Greqi në Mars të 2013 dhe i arrestuar në Shqipëri në 24 Janar 2015 me anë të një letre dërguar gazetës “Shqiptarja.com” tregon se si ai së bashku me 7 shokët e tij u arratisën nga burgu. Sipas Kupës burgu u sulmua nga jashtë dhe askush prej tyre s’kishte armë. Por, cili është Ilir Kupa dhe ku ndodhet ai sot? Kupa është një emër i njohur për drejtësinë greke, pasi ai është proceduar disa herë për grabitje e armbajtie ndërsa prej marsit 2013 ai u shpall në kërkim, pasi u arratis nga burgu.

Kupa u prangos në Shqipëri ku vuan tashmë një dënim për armbajtie pa leje, ndërkohë që ndaj tij janë të hapura dhe dy procese gjyqësore. Një prej procesve lidhet me kërkesën e palës greke që kërkon ta dënojë për arratisjen dhe kundërshtimin me armë të gardianëve dhe procesi në fazë hetimi lidhet me bandën e grabitësve “Babagjyshët” të cilit 2 vite më parë morën nën kërcënimin e armëve 200 mijë euro në argjendarinë e qendrës tregtare TEG.