LEZHE- Policia Rrugore e Lezhës ka rritur përqendrimin e tyre në akset që lidhin zonat turistike. Në bazë të një plani masash janë rreth 15 patrulla që monitorojnë të gjitha segmentet me fluks të lartë qarkullimi.
 
Që prej ditës së djeshme në mbështetje të Policisë Rrugore të këtij qarku kanë ardhur edhe homologet e tyre Kosovar. Ata do të jenë të përqendruar kryesisht në Rrugën e Kombit dhe segmentin e superstradës Milot-Lezhë me 4 patrulla.
 
Në hyrje të plazhit të Shëngjinit që ka edhe fluksin me të madh të trafikut, rrugorëve u kanë ardhur në ndihmë edhe efektive të ndërhyrjes së shpejtë. Shefi i qarkullimit rrugor në Lezhë Valentin Florini ka bërë të ditur se zonat bregdetare të Shëngjinit dhe Tales dhe rruga e kombit do të jenë nën monitorimin e tyre gjatë 24 orëve pa ndërprerje. Sipas tij këto masa vijnë si një domosdoshmëri jo vetëm për normalizimin e trafikut, por minimizimin e ndjeshëm të aksidenteve.
 
Drejtuesit e qarkullimit rrugor në Lezhë kanë bërë të ditur gjithashtu se në varësi të fluksit dhe problematikës që do të lindë gjatë sezonit, masat e marra prej tyre do të intensifikohen duke rritur akoma më shumë prezencën e tyre në rrugët që mbulon Qarku i Lezhës.

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)