LEZHË-Angjelina Zefi dhe dy vajzat e saj, të mbetura jetime pas vdekjes së bashkëshortit, jetojnë në mjerim në një banesë të vjetër të mbuluar nga lagështira, në fshatin Tresh.
 
Teksa të gjithë përgatiten për natën e ndërrimit të viteve, kryefamiljares i duhet të stërmundohet për të siguruar bukën e  përditshme për dy vajzat e saj.
 
Përballë skamjes, sëmundjes së njërës prej vajzave dhe pamundësisë për të gjetur një punë, Angjelina Zefit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të bëjë apel për ndihmë.
 
"Jetojmë me 5 mijë lekë pension dhe 4 mijë lekë ndihmë ekonomike. Jetojmë me shumë vështirësi, pasi nuk përballohet".
 
Angjelina rrëfen se jeta e saj ka qenë një kalvar vuajtjesh dhe mundimesh, pasi për një kohe të gjatë njërën prej vajzave e ka pasur të sëmurë.
 
"Kam vuajtur shumë në spitale, pasi njëra nga vajzat është me sëmundjen e tokës dhe ftohje. Bëj apel për të më ndihmuar për shtëpinë për këta fëmijë, të vendosin dorën në zemër".
 
Situatës së vështirë që po kalon familja Zefi i shtohet dhe borxhi i faturave të energjisë elektrike të cilët nuk janë paguar prej vitesh. Zonja e shtëpisë thotë se shumicën e kohës e kalojnë në errësirë.

[gallery]20311[/gallery]

dy.b/shqiptarja.com