Policia e Lezhës ka arrestuar këtë të enjte, 3 ish-punonjës të Hipotekës në Lezhë, po aq janë proceduar në gjendje të lirë dhe një noter është shpallur në kërkim pasi akuzohen për veprat penale " Falsifikim dokumentash" dhe "Shpërdorim detyre".
 
U deshën 3 muaj hetime me metoda speciale që Sektori i Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Lezhës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Kurbinit, të ndalonte gjatë operacionit të koduar "Hipoteka" këto persona: Haxhi Lika, 59 vjeç, banues në Rubik Mirditë, "ish Kryetar i Komisionit të Tokës në ish N.B. Gjorëm, Bashkia Kurbin", Ndue Gega, 52 vjeç, banues në Lezhë, me profesion Inxhinier Topograf,  "ish Specialist në ZVRPP Kurbin" dhe Halit Ajazi,  51 vjeç, banues në Laç Kurbin, "ish Përgjegjës i Sektorit të administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës Kurbin".
 
Po ashtu sipas policisë së Lezhës ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për 3 ish-punonjës të tjerë të Hipotekës ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
 
3 ish-punonjësit që do të gjykohen në gjendje të lirë janë : Fran Zymaj, 64 vjeç,  banues ne Laç Kurbin, "ish Regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kurbin"., Idriz Koçi, 61 vjeç, banues në Laç Kurbin,  "ish Përfaqësues i Këshillit të Rrethit në Komisionin e ndarjes së Tokës në Bashkinë Kurbin" dhe Pashkë Leka, 55 vjeç,  banuese në Laç, "ish Përgjegjëse e Sektorit të  administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Bashkinë Kurbin",
 
Në kërkim është shpallur 73 vjeçari nga Tirana, Nikoll Kola me detyrë ish-noter në Laç në vitin 2006.

7 ish-punonjësit akuzohen pasi në vitin 2006, dyshohet se kanë falsifikuar dokumentacionin e një sipërfaqeje prej 15 mijë metrash katrorë, tokë arë, duke e kaluar pronësinë e saj nga personat me iniciale L.M., Gj.M. dhe F.M. në favor të shtetit, e më pas në pronësi të dy të tjerëve me inicialet N.P. dhe P.C, regjistrimi i së cilës është bërë në ZVRPP-në e Kurbinit.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)