LEZHË - Një ngjarje tragjike është regjistruar këtë të mërkurë rreth orës 16:30 në zonën turistike të Ranës së Hedhun në Shëngjin. Dy të rinj nga Kosova kanë humbur jetën si pasojë e mbytjes në det, ndërsa tre të tjerë ndodhen në spital.

Sipas informacioneve paraprake bashkë me tre të rinj të tjerë ata ishin futur për t’u larë, por janë rrëmbyer nga dallgët e forta. Fatmirësisht 3 të tjerët i shpëtuan mbytjes dhe ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

Të rinjtë ishin pjesë e një grupi turistësh nga Kosova, të cilët kishin ardhur me autobusë për të vizituar Shëngjin dhe zonat përreth.

Në zonën e plazhit ku ndodhi ngjarja e rëndë, mësohet se nuk ka kulla vrojtimi dhe as flamuj të kuq që përdoren si sinjalizues për të ndaluar pushuesit të futen në det të trazuar. 

"Rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.

Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.

Sipas informacionit paraprak nga Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, 2 prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore", njoftoi sot policia.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ngushéllime: 03/06/2026 18:06

    Ngushéllime te sinqerta

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 1 Qershor, 11:02

    Jeni me Edi Ramën për zhvillimin e Zvërnecit?