Lezhë- Shtëpia dykatëshe e Mlikjave është ndër më të vjetrat në Lezhë, me vlera të rralla historike e arkitektonike por prej vitesh e lënë në degradim.
Pakgjë ka mbetur nga shkëlqimi i dikurshëm i kësaj banese karakteristike lezhjane. Siç shihet nga pamjet e Report TV, muret janë plasaritur dhe suvaja ka rënë. Po kështu çatia është kalbur dhe rrezikon të shembet.
Specialisti i Monumenteve në Bashkinë Lezhë thotë se objekti është Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe kërkon ndërhyrje urgjente.
“Një monument kulture i cili ka vlera historike jo vetëm për qytetin e Lezhës dhe familjen historike të Mlikajve por për gjithë territorin e Shqipërisë pasi aty është edhe vendi ku është ngritur muzeu i parë etnografik në qytetin e Lezhës në vitin 1981” tha Anton Ndreca- specialist, bashkia Lezhë
Duke qenë monument Kulture i Kategorisë së Parë, restaurimi i takon Ministrisë së Kulturës dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
“Kërkohet një fond i caktuar si çdo ndërhyrje restauruese kërkon edhe një fond sepse në momentin që do të ndërhysh do të ndërhysh në thelbin e origjinalitetit dhe veçantitë që ajo shtëpi paraqet” tha ai.
Shtëpia e Mlikajve ndodhet në lagjen “Skënderbeg” dhe është ndërtuar në shekullin e XIX me një teknike të veçantë të punimeve si të mureve, çatisë, dyerve. Ka një sipërfaqe prej 300 metër katror dhe nga viti 1979 dhe deri në vitin 1991 ka shërbyer si muze etnografik.