LEZHË - Dëmtimi dhe vjedhja e pronës publike është kthyer në shqetësim në Lezhë. Rasti më i fundit u regjistrua gjatë natës të së premtes, (19 prill 2024) në lulishten e re përballë vendvarrimit të Gjergj Kastriotit Skëndërbeu.

Një person u kap në flagrancë nga Policia e Rendit dhe ajo Bashkiake duke vjedhur kabullin elektrik të ndriçimit të këtij investimi të realizuar së fundmi.

Hajduti bënues në lagjen “Gurra” u shoqërua në polici ku po kryhen veprimet hetimore, ndërsa në lidhje me rastin reagoi përmes nje statusi në rrjetin social facebook dhe kryebashkiaku Pjerin Ndreu.

“Vjedhja e kabujve elektrik është një histori e turpshme që qytetarë të papërgjegjshëm e bëjnë! Kjo ka sjellë shpesh probleme me ndriçimin dhe me mbarëvajtjen e punëve të tjera!

Sot polica bashkiake dhe ajo e rendit bënë të mundur kapjen në flagrancë të një shtetasi nga lagjia "Gurra" duke vjedhur kabullin elektrik të lulishtes së re dhe shatërvanit përballë vendvarrimit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti!

Turp!” shkruan Ndreu.

Rastet e vjedhjeve të kabujve të ndriçuesve elektrik kanë qenë të shpeshta gjatë viteve të fundit në Lezhë, ndërsa policia dhe bashkia bëjnë më dije se nuk do të ketë tolerime ndaj keqbërësve.