Dy persona janë arrestuar nga Policia e Lezhës në kuadër të operacionit të koduar "Gjurma".

Në pranga ra Elger Uka, 26 vjeç, me precedent penal për vjedhje, i cili ishte shpallur në kërkim. Sipas Policisë, ai dyshohet se gjatë muajit korrik ka vjedhur xhirot ditore në 9 biznese të ndryshme në qytetin e Lezhës.

Gjithashtu u arrestua edhe Aurel Pjetri, 39 vjeç, i dyshuar se dy ditë më parë vodhi një iPad dhe një çantë me sende personale nga një automjet i parkuar. Gjatë ndalimit, policia i gjeti iPad-in, të cilin ai sapo e kishte marrë pas riparimit në një servis në Shkodër, ndërsa në banesë iu sekuestrua edhe çanta e vjedhur.

"Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë, për zbardhjen e rasteve të vjedhjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen e Forcës Operacionale të DVP Lezhë, u finalizua operacioni policor i koduar "Gjurma".

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan 2 shtetas:

-E. U., 26 vjeç, banues në Lezhë, me precedent të theksuar penal për vjedhje, i shpallur në kërkim, pasi dyshohet se gjatë muajit korrik 2026 ka vjedhur xhirot ditore në 9 subjekte të ndryshme në qytetin e Lezhës;

-A. P., 39 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se dy ditë më parë ka vjedhur nga një automjet i parkuar një iPad dhe një çantë me sende personale të drejtueses së automjetit.

Në momentin e kapjes së 39-vjeçarit, shërbimet e Policisë i gjetën iPad-in e vjedhur, të cilin ai sapo e kishte marrë pas riparimit në një dyqan në Shkodër.

Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet dhe u sekuestrua edhe çanta e vjedhur", njofton Policia. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë