Licencimi i arkivave private?
Nevila Nika:Problemi te rregullorja

Licencimi i arkivave private?<br />Nevila Nika:Problemi te rregullorja<br>
Ish drejtoresha e Arkivës së Shtetit,  Nevila Nika, ka folur në një intervistë për “Shqiptarja.com”  rreth debatit për çështje të rregullores “Për licencimin e arkivave private” bashkangjitur një Vendimi të Kryeministrisë të datës 24 janar 2018.

Në këtë debat janë përfshirë disa specialistë të arkivave dhe studiues të njohur. Gjatë intervistave të dhëna për “Shqiptarja.com” deklaratat kontradiktore të secilit prej të intervistuarëve, të lënë përshtypjen e daljes së një rregulloreje të diskutueshme.

A e kapërcen kjo rregullore kuadrin  ligjor, kur në Nenin 29.1. të Ligjit 2003 shkruhet se “Asgjësimi i dokumenteve të shpallura me rëndësi historike kombëtare, në pronësi të arkivave privatë, është i ndaluar”, ndërsa në pikën 3.7 të rregullores bashkangjitur VKM-së për “Licensimin e arkivave private” shkruhet që privati “Të kryejë asgjësimin e dokumenteve, pas miratimit nga komisioni epror përkatës i ekspertizës, sipas rregullave në fuqi.”? Kjo është çështja.

Interpretimi profesional i rregullores në marrëdhënie me ligjin duket ende i paqartë edhe për vet specialistët. Nevila Nika që ka një karrierë të gjatë në institucionin e Arkivave të Shtetit, jo vetëm si ish-drejtuese, por edhe si punonjëse e këtij institucioni pohon se nuk ka asgjë të keqe nxjerrja e një VKM-je, që ka të bëjë me licensimin e arkivave private. Por sipas Nikës, problemet dalin me rregulloren. “Ajo që konstatohet në këtë Rregullore është se pjesa më e madhe e saj ka natyrë biznesi dhe joprofesionale-arkivore, mjafton të shohim se cilat janë kërkesat”, shprehet Nevila Nika në intervistën për “Shqiptarja.com.”

Intervista

Sipas një Vendimi të Kryeministrisë të datës 24 janar 2018 është bërë miratimi i rregullores “Për licencimin e arkivave private”. Duke iu referuar edhe rregullores bashkangjitur këtij vendimi, ju, jo vetëm si ish drejtuese e Arkivit, por edhe si punonjese e këtij arkivi në vite si e gjykoni?
-Në Ligjin “Për Arkivat” nr. 9154 datë 06.11.2003 kapitulli IV i kushtohet Arkivave Private (nenet 25–35), ku përcaktohet qartësisht se cilat janë kushtet për t’u njohur një Arkiv Privat, të drejtat e detyrimet ligjore të tij. Sipas nenit 25 të këtij Ligji,  kriteret për licensim përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.

Në nenin 29 të ligjit citohet “Asgjësimi i dokumenteve të shpallura me rëndësi kombëtare, në pronësi të arkiave private është i ndaluar”, ndërsa vendimi për licensimin u jep të drejtën e përpunimit dhe asgjësimit të dokumentacionit arkivave private, është normal ky ndryshim?
-Në nenet në vazhdim të kapitullit të IV, vërejmë se për t’u njohur një Arkiv Privat, pra edhe për të marë licensën për t’u konsideruar si i tillë, është e domosdoshme që Pasuria dokumentare e arkivit privat të jetë shpallur se i përket kategorisë së dokumenteve me Rëndësi Historike Kombëtare shkurt RHK (neni 26). Pra është e domosdoshme që një Arkiv Privat, të ketë në zotërim (të trashëguara nga familja, pjestarë të shquar që kanë lidhje me zotëruesin e aktual, apo edhe të grumbulluara ndër vite si rrjedhojë e një veprimtarie zyrtare, shoqërore ose krijimtarie), për të mundur të marë licensën që të konsiderohet i tillë. Dhe deri këtu jemi të gjithë dakord se nuk ka asgjë të keqe nxjerrja e një VKM që ka të bëjë me licensimin e arkivave private.

Por ajo që konstatohet në këtë Rregullore, është se pjesa më e madhe e saj ka natyrë  biznesi dhe jo profesionale-arkivore mjafton të shohim se cilat janë kërkesat për punonjësit që duhet të ketë ky biznes që të mund të regjistrohet e të marë licensën në fjalë. Vërejmë me keqardhje se në asnjë rrjesht të saj nuk shprehet detyrimi që duhet të kenë punonjësit e arkivit privat për të zbatuar Kodin Deontologjik të Arkivistit. Ky Kod është një detyrim ligjor, Ligji nr.9154 datë 06. 11. 2003, kapitulli IX, neni 89, por me sa duket kjo Rregullore është mbi Ligjin.

Gjithashtu po në këtë kapitull neni 90 parashikon që “arkivistët e rrjetit arkivor shtetëror nuk mund të jenë anëtarë të partive politike. Përgjegjësia  e tyre si ruajtës të trashëgimisë dhe informacionit rrjedh nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe përcaktohet nga ligjet në fuqi”. Ndërsa neni 91 detyron arkivistin të jetë i paanshëm në ofrimin e shërbimit për shfrytëzimin e dokumenteve dhe respektimin e kufizimit ligjor për mbrojtjen e të dhënave të jetës private (dokumente shkollore, punësimi, spitalore, jetëshkrimi etj) të individit dhe të interesave të vecanta të shtetit (siguria kombëtare), pavarësisht se ai mund të njihet me to për shkak të detyrës.

Disa ish drejtues të arkivave, apo arkivistë të njohur shprehen se “lënia e arkivave në dorë të privatit do të bëjë që të ketë humbje të mëdha dokumentesh, dosjesh dhe çorganizim. Ju vet si mendoni? 
-Nisur nga sa thashë pak më parë cila do të jetë garancia që do të mund të japë një biznes privat për punonjësit e saj, të cilët nuk gëzojnë ligjërisht as Statusin e Nëpunësit Civil (me të drejtat e detyrimet që ai parashikon), do të punojnë e do të sillen njësoj si arkivisti që e gëzon këtë Status? 

Në një pikë të rregullores shkruhet se për Miratimin e Rregullores së Arkivave Privatë ngarkohet edhe “Qendra Kombëtare e Biznesit” për zbatimin e këtij vendimi. A mund të na e shpjegoni se cili mund të jetë roli i biznesit në arkiva?
-Pas regjistrimit fillestar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), në të gjithë procedurën e licensimit në krye do të jetë Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave së bashku me Këshillin e Lartë të Arkivave, i cili gjithashtu ka për kryetar Drejtorin e Përgjithshëm. Më duhet të sqaroj këtu se në Këshillin e Lartë të Arkivave shumicën e përbëjnë pjesëtarë të Drejtorisë, pra shanset për oponencë profesionale dhe ligjore (konflikte të mundshme interesi) janë pothuaj zero.

Problem tjetër tejet i nxehtë është padyshim fakti se një Arkiv Privat i licensuar, sipas kësaj Rregulloreje do të mund të marrë për të kryer përpunimin tekniko-shkencor të dokumenteve nga fondkrijues shtetërorë ose jo. Kur flasim për përpunim tekniko-shkencor të fondeve arkivore nënkuptohen të gjitha proceset e punës me dokumente bazuar në Ligjin “Për Arkivat” dhe “Normat tekniko-profesionale dhe metodologjike të shërbimit arkivor në Republikën e Shqipërisë”, pra hartimin e listave me afatet e ruajtjes për dokumentet e një fondkrijuesi, krijimin e njësive të ruajtjes, hartimin e inventarëve për njësitë që përmbajnë dokumente RHK, inventarëve për njësitë e ruajtjes që përmbajnë dokumente me afat ruajtje të përkohëshëm dhe natyrisht realizimin e procesit të asgjësimit të këtyre të fundit. Dhe është ky proces i fundit që paraqet edhe rreziqet më të mëdha për pasurinë dokumentare ose thënë ndryshe për Kujtesën tonë kombëtare.

 Por meqënëse ligjërisht vetëm fondkrijuesi mund të vendosë për pasurinë e tij dokumentare, lënia e saj në duar të një biznesi privat pakëson ushtrimin e kontrollit ligjor që ka fondkrijuesi mbi dokumentet e veta. Pra kemi të bëjmë nga njëra anë me një marëdhënie të zakonshme koncesioni, ku biznesi ftohet të kryejë një punë shtetërore dhe nga ana tjetër biznesi privat do të ketë në dorë dokumentacionin shtetëror, i cili mund të jetë i natyrave të ndryshme, ndoshta edhe “tepër sekret”, “sekret”, “rezervat”, “i kufizuar”, gjë që mund të vërë në diskutim integritetin e shtetit, sigurinë kombëtare dhe pa harruar sigurinë e jetës së qytetarëve.

Nga institucioni i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivës më është cituar se “Rregullorja e arkivave private duhet të ishte miratuar që në vitin 2003”. Jeni marrë ju vetë, apo paraardhësit tuaj me këtë çështje?
-Përsa i përket Rregullores së funksionimit të D.P.A., e cila sipas prononcimit të personave të autorizuar nga drejtuesit e këtij institucioni, “duhej të ishte miratuar që në 2003”, pra për rjedhojë institucioni ka vepruar për 11 apo më shumë vite pa Rregullore është krejtësisht i pavërtetë, dhe natyrisht edhe i qëllimshëm. 

Pas miratimit të Ligjit “Për Arkivat” në nëntor 2003 dhe automatikisht shfuqizimit të Ligjit të mëparshëm të miratuar në vitin 1994, u hartua edhe Rregullorja e re e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në përputhje të plotë me atë cfarë parashikon Ligji në fjalë. Ndryshimet e shpeshta e të pajustifikuara të Rregullores së funksionimit të institucionit dhe Strukturës Organizative, por edhe nxjerrja e udhëzimeve, vendimeve e rregulloreve në numër të konsiderueshëm mund të japin përshtypjen se po “punohet” fort, por duhet pranuar se vetëm sjellin pështjellim në një institucion që kërkon profesionalizëm të lartë, përkushtim dhe qëndrueshmëri institucionale.

Ndryshimet e organizimit strukturor të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (ky është emërtimi zyrtar që nga viti 1994) për shkak të njohjes tejet të përciptë të punës arkivore në vendin tonë e më gjërë, si edhe shkurtimi i numrit të punonjësve në këto 4 vjetët e fundit kanë sjellë pasoja aspak të këndëshme për institucionin.   

Mësova nga ju se pas daljes së këtij vendimi keni diskutuar edhe me një kolegë të huaj. Mund të na thoni ndonjë nga opnionet e dikujt prej tyre?
- Po është e vërtetë. Një kolege nga Italia më shkruante para disa ditësh se, “dokumentet e institucioneve shtetërore e publike janë pasuri shtetërore dhe idea e privatizimit të një sektori kaq strategjik për shtetin është absurde. Nuk mund t’i lejojmë vetes luksin të eksperimentojmë me kujtesën dokumentare. Kam përshtypjen se ka individë për të cilët arkivat janë baraz me magazinat e silazhit. Është e dhimbshme të shohësh punën e sakrificat e një jete të brezave të arkivistëve shqiptarë  të cënohen nga amatorë, të cilëve ju mungon ndjeshmëria e sidomos largpamësia për të kuptuar rrezikun që përbën një gjë e tillë”.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi