Lida Miraj:Berati 5 vite në UNESKO
Ministria e Kulturës e shpërfill

Lida Miraj:Berati 5 vite në UNESKO<br />Ministria e Kulturës e shpërfill
BERAT- Asnjë përfaqësues i Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës nuk ishte në Berat të hënën, edhe pse Berati është kryqëzuar këto vitet e fundit me kritika nga specialistë brenda dhe jashtë vendit. Ndërhyrje të gabuara, restaurime nga persona të paspecializuar, ndërtime pa leje, pakujdesi të shumta në mirëmbarjen e kësaj pasurie të rrallë të trashëgimisë botërore. Të gjitha këto janë përmendur të hënën e 8 korrikut në Berat në një konferencë shkencore ku u kujtua 5-vjetori i shpalljes së Beratit pasuri botërore nga UNESCO, organizuar nga Bashkia e qytetit në bashkëpunim me shoqatën 'Antipatrea'.

Pesë vite pas hyrjes në organizatën botërore, në këtë aktivitet u dha alarmi për rrezikun e daljes prej saj. Shkak për këtë po bëhen ndërtimet e shumta pa leje, që po ia zënë frymën qytetit 2500-vjeçar. "Ne duhet t'u lëmë brezave jo kopjen e fotografisë së Beratit, por vlerat reale të tij. Nëse nuk merren masa të menjëhershme, por vazhdohet me degradimin e vlerave, Berati do rrezikohet të përjashtohet nga UNESCO", - ka thënë Pavllo Shkarpa, kryetar i shoqatës "Antipatrea", duke kritikuar punën e deritanishme të qeverisë qendrore, si për mungesën e financimeve po ashtu edhe të projekteve në këtë zonë muzeale. Sipas tij deri më tani përllogariten rreth 35 ndërtime pa leje në zonën muzeale.

Edhe pse personat përgjegjës për mbrojtjen e kësaj trashëgimie kanë munguar në këtë takim, pjesmarrës të shumtë specialistë dhe të apasionuar pas trashëgimisë kombëtare bënë thirrje që t’i pritet hovi shpërfytyrimit të këtij qyteti muze.

Arkeologia dhe studiuesja Lida Miraj, pjesmarrëse në këtë takim, tha për Shqiptarja.com se gjendja është kritike. Në këtë intervistë ajo flet për dëmet e shumta, ndërhyrjet e gabuara, dhe papërgjegjshmërinë e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve karshi një pasurie të tillë.
 
Znj. Miraj, për ju si specialistë e trashëgimisë, si e gjen Beratin ky 5-vjetor?

E gjen me një moskujdesje totale të institucioneve shtetërore që kanë në mbrojtje monumentet e kulturës e natyrisht edhe qytetet muze, si Berati, Gjirokastra, etj. Kjo u pa edhe në mungesën totale të Ministrisë së Kulturës, të specialistëve ose jo specialistëve, punonjës të kësaj Ministrie; mungesën absolute të pjesemarrjes së Institutit të Monumenteve të Kulturës apo edhe të zyrës rajonale, që janë në varësi të MTKRS. Në të kundërt me këtë që thashë, merrte pjesë nënkryetari i Komunës së Prizrenit si edhe specialistë të mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës nga Kosova, ku doja të permendja arkitekten mjaft aktive në këtë fushë, Gjejlane Hoxha.
 
A nuk ishin ftuar zyrtarët e MTKRS në këtë aktivitet? Pse mungonin?

Në këto 5 vjet nga ana e Ministrisë së Kulturës mund të thuhet se nuk është bërë asgjë për tu shënuar. U ngrita në mbledhje dhe e pyeta se përse nuk ka absolutisht asnjë përfaqësues nga MTKRS-ja apo institutet e zyrat në vartësi të saj. U tha hapur se ishin ftuar të gjithë, por që pa njoftuar aresyen askush nuk kishte ardhur. Arsyeja e mungesës? Papërgjegjshmëria!
 
Po ju vetë me ç’status ishit në këtë konferencë?

Pa asnjë status, vetëm për të asistuaar pas një thirrjeje telefonike nga kryetari i Shoqatës Antipatrea, Ing. Pavllo.
 
Në këtë takim është diskutuar rreziku i daljes se Beratit nga UNESCO...Sa real është ky rrezik?

Ka disa rregulla të shkruara, të cilat duhet të zbatohen nga vendet që pas miratimeve institucionale, pranohen në listën e UNESCO-s. Këto vende të Trashëgimisë Kulturore Botërore, qofshin qytete, si në rastin e Beratit, apo objekte të veçanta, nën çadrën e UNESCO-s ndalojnë ndërhyrjet konservuese apo restauruese me mungesa të pjesshme apo totale të profesionalizmit, siç po ndodh rëndom, për fat të keq, në vendin tonë, perfshirë edhe Beratin. Në Berat nuk ka fonde qeveritare të akorduara për mirembajtje. Qytetarët, nisur nga nevoja utilitare, bëjnë ndërhyrje pa kriter sepse askush nuk i kontrollon e aq më pak t'i ndalojë. Kalldrëmet e bukura, natyrisht kanë nevojë për mirëmbajtje e riparime.
 
Kush i bën ndërhyrjet e gabuara specialistët apo banorët vetë?

Vetëm në Kala ka bërë disa ndërhyrje Instituti I monumenteve të Kulturës me fonde nga Bashkimi Europian dhe u prishën kalldrëmet shekullore, për t'u zëvendësuar me shtresë guri të ndryshme nga ajo që trashëgohet. Punonjësit që punuan kishi mungesë profesionalizmi.
Ndërsa në banesa, seicili ndërhyn si të dojë, sepse Instituti nuk ka bërë asnjë studim se si duhet të restaurohen banesat. Janë pronë private, por janë edhe trashëgimi kulturore kombëtare e ndërkombëtare.

(Shkrimi u publikua sot në gazetën "Shqiptarja.com")
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Ministri Andonovski: Venezuela të dëshmojë se ka pasur sulm hakerësh nga Maqedonia e Veriut në zgjedhjet e saj

Ministri Andonovski: Venezuela të dëshmojë se ka pasur sulm hakerësh nga Maqedonia e Veriut në zgjedhjet e saj