Lida Miraj: Pse Amfiteatri i Durrësit
u fut te 7 më të rrezikuarit

Lida Miraj: Pse Amfiteatri i Durrësit<br />u fut te 7 më të rrezikuarit
TIRANE - Renditja e amfiteatrit të Durrësit në krye të listës së 7 monumenteve më të rrezikuarave në Europë nuk është një lajm i keq. Përkundrazi është një lajm shumë pozitiv.  Arkeologia Lida Miraj e thekson këtë duke shpjeguar të gjithë arsyet e saj që nga promovimi i vlerave të rralla të tij e deri tek thithja e fondeve falë këtij programi që do ta rijetëzojë dhe do ta shpëtojë amfiteatrin nga rreziku që i kanoset. E pranishme në Kongresin e Europa Nostra, në Athinë, Lida Miraj tregoi për “Shqiptarja.com” bisedimet, masat që do të merren për këto 7 monumente të rralla, çfarë e rrezikon në të vërtetë amfiteatrin e Durrësit, etj.
 
Znj.Miraj, ju ishin një prej anëtarëve që ndoqët kongresin e Europa Nostras në Athinë? Çfarë u diskutua aty dhe çfarë u tha për amfiteatrin e Durrësit?
-Në asamblenë e përgjithshme, që u mbajt në Muzeun e Akropolit u diskutua në detaje për Programin '7 më të rrezikuarit”. Të gjithë folësit kanë përfshirë Komisioneren Androula Vassiliu, nënkryetarët e Europa Nostra, Costas Carras e Denis de Kergolay, ish-Presidentin e Europa Nostras, princin konsort të Danimarkës, presidentin aktual Placido Domingo, drejtorin e Institutit të Bankës Europiane të Investimeve, vunë theksin në rëndësinë e këtij programi.

Europa Nostra dhe Banka Europiane e Investimeve do të sjellë një grup ekspertësh, për të bërë vlerësimin e analizën me detaje të situatës në amfiteatrin e Durrësit. Në këtë rast u theksua rëndësia e ndërgjegjësimi i komunitetit, edukimi i nxënësve të shkollës. U tha se BE do të fokusohet shumë në ruajtjen, mbrojtjen e propagandimin e vlerave të trashëgimisë kulturore.

Po ashtu paralelisht, në kohën kur këshilli i Europa Nostras diskutonte problematikat e punës, në sallën ngjitur u bë një konference shtypi në praninë e mediave dhe të drejtuesve të EN ku theksi u vu në faktin që partitë politike nuk duhet të luajnë me trashëgiminë, por të jenë së bashku për ruajtjen e vlerave.
 
Flasim pak për Amfiteatrin e i Durrësit, që u shpall nga Europa Nostra në krye të listës së shtatë monumenteve më të rrezikuara në Europë. Është ky një lajm i mirë apo një lajm i keq? Si duhet ta interpretojmë?
-Shpallja e Amfiteatrit të Durrësit, një nga 7 monumentet në rrezik në Europë, është një lajm shumë pozitiv. Ju menjëherë do të pyesni se përse është lajm i mirë? Është lajm i mirë sepse bën të mundur që të njihet vlera e këtij monumenti të rëndësishëm dhe unik të vendit tonë, dhe kjo njohje bëhet nga Europa Nostra, një institucion, që është zëri i trashëgimisë kulturore në Europë, që për programin ‘7 me të rrezikuarit’ është në partneritet me Bankën Europiane të Investimeve dhe me partneritet të associuar me Bankën e Zhvillimit të Bashkimit Europian.

Ky bashkëpunim ofron një platformë ideale për t’ju përgjigjur me sukses problemeve të shekullit të XXI, dhe në këtë shekull është Kultura ajo që është vënë në qendër të projekteve Europiane. Rivitalizimi i amfiteatrit është i rëndësishëm jo vetëm për Durrësin e Shqipërinë, por edhe për të gjithë Europën. Renditja e amfiteatrit në 7 monumentet më të rrezikuara tregon se ky monument ka nevojë për ndërhyrje emergjente dhe kjo duhet bërë nga ekspertë profesionistë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Ky lajm nga ana tjetër e bën publikun shqiptar në përgjithësi e atë të Durrësit në veçanti, më të vetëdijshëm për urgjencën e nevojës së restaurimeve dhe për përgjegjësitë që ndjehen për një pasuri kaq të madhe kulturore që ne trashëgojmë.
 
Sa i rrezikuar është në të vërtetë amfiteatri i Durrësit? Çfarë e rrezikon më së shumti, çfarë faktorësh?
-Rreziku më i madh i një monumenti vjen nga harresa. Jo të gjithë banorët e Durrësit e dinë, se në krahun perëndimor të bulevardit kryesor, që lidh sheshin qendror me portin ‘fle’ një monument i shkëlqyer. Amfiteatri është shumë i rrezikuar nga lagështira, është i rrezikuar nga keqbërja, është i rrezikuar nga padija e ndërhyrjeve, etj. etj. Para dy javësh isha në amfiteatër me studentë të arkitekturës dhe dua të them se asnjëherë nuk e kam parë më ‘të lagësht’ se këtë herë, muret me myshk jeshil, mozaiku i kërcënuar nga lagështia ekstreme, restaurime pa kriter, etj., etj. Këtu do të doja të përmendja edhe një fakt tjetër: në kapelën mesjetare, qe dekorohej me afreske shume interesante, para disa vitesh u ndez një gome makine, zjarri e tymi i së cilës zhduku pothuaj totalisht afresket, të cilat nëntoka i ruajti me shumë kujdes për më se 7 shekuj.
 
Sa monumente të tjera në Shqipëri duhet të përfshihen në këtë projekt? Në ç'shkallë është rrezikshmëria e tyre?
Edhe shumë monumente të tjera… Por Europa ka gjithashtu shumë. Le të shpresojmë që do të ketë edhe të tjerë monumente nga Shqipëria. Të mos harrojmë faktin se para disa vitesh fitoi çmim nga Europa Nostra e Këshilli i Europës, restaurimi i Kishës së Shën Gjergjit, në Shipckë me autor arkitektin profesionist restaurator Kliti Kallamata. Është hera e dytë që një aplikim nga Shqipëria merret në konsideratë, dhe kjo nuk është pak.

7 MONUMENTET MË TË RREZIKUARA TË RREZIKUAR
 
Amfiteatri romak i Durrësit
 
Qendra Historike e Nikosias, Qipro
 
Fortifikimet e shekullit të 17-të Vauban në Briançon, Francë
 
Manastiri i periudhës së Rilindjes në San Benedeto Po, Itali
 
Manastiri i shekullit të 15-të në Setúbal, Portugali
 
Peizazhi i Rosia Montana, minierë në Rumani
 
Kisha armene e Shën Gjergjit në qytetin turk Mardin.


Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print) 18.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Venezuelë/ Protesta të dhunshme kundër fitores së Maduros! Opozita: Gonzalez mori 73% të votave, zgjedhjet u manipuluan

Venezuelë/ Protesta të dhunshme kundër fitores së Maduros! Opozita: Gonzalez mori 73% të votave, zgjedhjet u manipuluan