Si për çdo vit, më 17 dhjetor, udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të takohen me liderët e Ballkanit Perëndimor, takim ky që do të zhvillohet për 4-tin vit radhazi n Bruksel. Samiti organizohet në prag të mbledhjes së fundit të Këshilit Evropian për këtë vit.

Në tryezën e përbashkët, Shqipëria dhe Mali i Zi do të ulen si pararojë e negociatave për anëtarsim krahasuar me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor si dhe me afate të paracaktuara të anëtarësimit, respektivisht në 2028 dhe 2029. Kryeministri Rama dhe homologu malazez Spajiç kanë arritur që të përfshihen në integrimin gradual me përfitimin nga fondet paraanëtarësimit dhe lehtësira të tjera.

Kryesisht samiti i 17 dhjetorit pritet të fokusohet në gjetjet më të fundit të Paketës së Zgjerimit 2025, me Malin e Zi dhe Shqipërinë në krye referuar arritjeve drejt anëtarësimit. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh do të zërë po ashtu vend qendror, i konsideruar gjerësisht në Bruksel si një nga mjetet më efektive për afrimin e rajonit me BE-në, si ekonomikisht ashtu edhe në aspektin e reformave.

Ky samit do t’i japë një dorë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor ku pjesë e diskutimeve pritet të bëhet dhe bllokimi i negociatave për Maqedoninë e Veriut për shkak të një mosmarrëveshje dypalëshe me Bullgarinë.

Gjithashtu për diskutim pritet të jetë dhe situata politike në Bosnjë dhe Hercegovinë, prapambetja demokratike në Serbi si dhe Kosova, e cila brenda vitit shkon 2 herë në zgjedhje të përgjithshme.

Ky samit është zhvilluar në vitin 2022 në Tiranë. Liderët e BE-së dhe ato të Ballkanit Perëndimor do të takohen përsëri vitin e ardhshëm më 1 qershor në samitin BE–Ballkani Perëndimor 2026, që do të zhvillohet për të dytën herë në Malin e Zi.