Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji i ka kërkuar SPAK që të nisë hetimet për lidhjen e kryeministrit Edi Rama me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së McGonigal, i cili është arrestuar në SHBA.

Ervin Salianji ka informuar sot se i ka dërguar shkresat me aktakuzën dhe lajmet e mediave ndërkombëtare për arrestimin e ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal SPAK, SHISH dhe Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar hetimin e lidhjeve të tij me kryeministrin Edi Rama.

 “Të gjitha mediat ndërkombëtare e kanë pasur në faqe të parë dhe lajm të parë Shqipërinë, si një vend i cili ka tentuar të korruptojë në këtë rast. Unë s’mund të bëj dot as prokurorin, as akuzatorin, por moralisht mendoj se nuk ka asnjë çështje më të rëndësishme. Nuk ka asnjë reagim nga institucionet shtetërore. Për këtë arsye sot si deputet i kam dërguar këto shkresa SPAK-ut, SHISH dhe Ministrisë së Brendshme, Policisë dhe Agjencisë së Inteligjencës së Ministrisë së Brendshme”, tha Salianji.

Akuzat e opozitës, kryeministri Edi Rama i ka konsideruar një mal të mbarsur me fantazi e ligësi dhe do të pjellë më pak se një mi. Rama thotë se hetimi gjithçka është hetuar nga SHBA dhe nuk ka të bëjë as me atë, as me qeverinë shqiptare.  Ai i konsideron qesharake edhe akuzat e tjera të opozitës për përfshirjen e oligarkut rus në biznes në Shqipëri, duke e trilluar si një  konspiracionin agjenturor.

Ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal u arrestua dy ditë më parë në SHBA dhe po përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Akuza tjetër lidhet me 2 shqiptarë, pasi zyrtari i lartë i FBI, po hetohet për marrjen 225 mijë dollarëve nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, ish agjent shqiptar i inteligjencës, dhe mosdeklarim të tij, për të cilin ky i fundit pretendon se ia ka dhënë borxh.