TIRANE - Komisioni i Ligjeve me votat e deputetëve të mazhorancës i ka propozuar Kuvendit mosdhënien e pëlqimit për dekretet e kreut të shtetit Bujar Nishani, për emërimin e dy emrave që Presidenti ka propozuar si anëtar të Gjykatës së Lartë. Historia e rrëzimit të dekreteve të Presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, po vijon në mëse një vit e gjysëm, për shkak të mosmarrëveshjeve mes Presidentit Nishani dhe mazhorancës.

Ndërkohë që kandidaturat e propozuara nga Nishani ishin Fuat Vjerdha dhe Markelian Koça, të cilët para dy ditësh patën një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve. Arsyet e mospëlqimit të dy emrave të porpozuar, shpjeguar relatori i çështje, deputeti Armando Subashi. I  cili u shpreh se Presidenti i Republikës nuk ka respektuar procedurat dhe nuk është konsultuar me grupet parlamentare në Kuvend, përpara se të propozonte dy emrat për anatër të Gjykatës së Lartë. “Presidenti i Republikës nuk ka respektuar procedurat dhe kjo ka bërë që situate të thellohet më negativisht.

Ndërkohë që Presidenti nuk është konsultuar as me grupet parlamentare në Kuvend, kështu që kërkojmë që dekreti të rrëzohet”, u shpreh deputeti socialist, Armando Subashi, i cili ishte dhe relator i çështjes. Ndërsa kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili duke kërkuar që të rrëzohen dekretet e Nishanit, u shpreh se i është kërkuar herë pas here Presidentit që të ndërtojmë një proces transparent.

Ndërkohë që deputeti demokrat Eduard Halimi, ka kundërshtuar qëndrimin e mazhorancës ndaj dekreteve të kreut të shtetit dhe i ka quajtur qëndrimin e shumicës si “kapje të institucioneve të drejtësisë”. “Qëllimi i mazhorancës është është koherent gjatë gjithë këtyre muajve, qëllim i hapur politik, qëllim për të kapur institucionet e drejtësisë. Votat kundër gjyqtarëve të ndershëm janë vota pro gjyqtarëve të korruptuar.

Ligji për Gjykatën e Lartë është bërë në mënyrë të njëanshme ku gjithçka do të bëhet me prezencën qeveritare të minstrit të Drejtësisë që i porpozon Presidentit anëtarët e Gjykatës së Lartë”, tha Halimi.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)