Ligji i Artit Skenik, debati që
bënë artistët para miratimit

Ligji i Artit Skenik, debati që<br />bënë artistët para miratimit
Ky është një ligj që i skllavëron artistët. I jep pushtet absolut titullarit. Është një ligj i bërë për drejtorët e institucioneve të artit jo për artistët. Në shkrimin e tij kritik tenori Rudin Sata evidentoi gjithë pikat nevralgjike të ligjit mbi artin dhe kulturën i cili është në fuqi që nga fundi i vitit të kaluar. Një pejs ëe komunitetit të artistëve i kanë ndjerë pasojat e këtij ligji që që në vitin e parë të funksionimit të tij. Ai nxit klientelizmin, prodhon diktaturë, shkatërron konkurrencën dhe nuk jep shanse për të gjithë artistët të rinj apo me përvojë. Ata kërkojnë ta rrëzojnë këtë ligj, pasi sipas tyre mendimet dhe propozimet e komunitetit të artistëve nuk janë marrë parasysh.

Por a është e vërtetë kjo? Shqiptarja.com ka zbardhur seancën dëgjimore që është mbajtur me 26 tetor 2010, para se ligji të votohej në parlament. Në këtë seancë dëgjimore zbulohet se çmendonin dhe ç’synonin secili prej diskutuesve. Gazeta do të botojë në vijim një pjesë të mirë të diskutimeve të pjesmarrësve, duke nisur nga drejtori i TKOB Zhani Ciko, i cili është vënë kwto kohë në shënjestër në institucionin që ai drejton, për të vijuar me drejtorin e teatrit kombëtar Kristaq Skrami, aktorët Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Alfred Bualoti, Mimoza Sofroni, etj…

Në seancën dëgjimore merrnin pjesë Valentina Leskaj, Mark Marku, Ismail Hoxha, Ardiana Gjonaj, Rajmonda Bulku, Gerti Bogdani, Gent Strazimiri, Gjergji Papa, Fatbardh Kadilli, Agim Leka, Luiza Xhuvani, Edi Paloka, Alfred Dalipi, Enkelejda Shkreli, Kastriot Islami dhe Marko Bello.
Të ftuarit për diskutime ishin Reshat Ibrahimi – përfaqësues i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë; Mimoza Sofroni – drejtoreshë e Artit dhe Kulturës në MKTRS; Zhani Ciko – drejtor i TOB-it; Kristaq Skrami – drejtor i Teatrit Kombëtar; Kiço Londo – drejtor i teatrit “Metropol”; Zamira Kita – drejtoreshë e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës; Ilir Sulkja – drejtor i teatrit “Skampa” të Elbasanit; Bashkim Hoxha – drejtor i teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit; Kastriot Çipi – përfaqësues i Qendrës Kombëtare të Teatrit dhe Kulturës; Arben Kumbaro – përfaqësues i Shoqatës së Kritikëve të Artit në Shqipëri, atashuar në UNESCO dhe Alfred Bualoti – përfaqësues i komunitetit të artistëve.
Ligji “Për artin dhe kulturën”, i votuar nga Komisioni për edukimin dhe mjetet e informimit publik, u miratua në Parlament nga shumica e djathtë më datë 18 nëntor 2010.

Zhani Ciko: Ndërhyrja e artistëve në ligj?
Pengon drejtuesin të shpalosë aftësitë e tij

“Pa dashur të bie në historizëm lidhur me ecurinë e bazës ligjore, është e vërtetë se shteti ynë, mbas ndërrimit të sistemit, në linjat kryesore kushtetuese të tij, mendoi me kohë të krijojë edhe bazën ligjore për përshtatjen e kulturës në kushtet e ekonomisë së tregut. Përpjekja e parë u bë me ligjin “Për teatrin”, i cili implementoi një sistem krejt të ndryshëm nga ai që ishte, pikërisht sistemin anglosakson. Domethënë, teatrot kthehen në qendra që mbështeten nga fondacionet dhe jo nga shteti. Baza artistike del jashtë strukturës së këtyre institucioneve dhe subvencionohet administrata. Të gjithë punojmë me kontrata. Kjo gjë ngjalli një reaksion të jashtëzakonshëm, përveç mentaliteteve prisheshin të gjitha trupat bazë që dallojnë një institucion nga një kompani. U konsideruan të gjitha kompani. Kështu ndodh edhe me baletin. Një gjë e tillë me të drejtë na çoi te rreziku tjetër, ai i mungesës së ruajtjes së destinacionit të tyre. Ka qenë grupi parlamentar i Partisë Socialiste që e mori këtë situatë në dorë dhe në atë ligj, që kishte shumë gjëra të diskutueshme, madje të papranueshme, vuri një pikë që ndalohet ndërrimi i destinacionit të këtyre institucioneve, gjë që ka ndodhur në shumë vende që kanë kaluar historinë tonë, si Bullgaria, Moldavia etj. Kjo ekziston edhe sot në projektligjin që propozohet, që nuk lejohet ndryshimi i destinacionit të këtyre institucioneve. Me ligjin “Për artin skenik” u bënë përmirësime, i cili krijonte hapësirën e nevojshme për të ruajtur një farë strukture të institucioneve dhe të raporteve me kompanitë artistike, pra, jo konsiderimin e tyre si kompani. Në të njëjtën kohë lë edhe mundësi krijuese në drejtim të menaxhimit të tyre. Bindja ime ligjore është pikërisht kjo. Në ndryshim nga ligjet për sh.p.k.-të dhe për shumë forma të tjera të administrimit të vlerave në një vend liberal, demokratik dhe i ekonomisë së tregut për një ligj artistik është që sado ligje që të ketë, të gjitha këto duhet të mbajnë një karakter krijues. Këtu dallohet roli i një drejtuesi, i një menaxheri ose i një individi tjetër, i cili realizon në mënyrë krijuese brenda normës ligjore, brenda auditimit të rregullt etj. Pra, duhet të kesh një farë baze. Në rast se çdo gjë do të kalojë me ndihmë nga komuniteti, kjo e centralizon dhe drejtuesi nuk ka mundësi të shpalosë aftësitë e tij. Ky është atrofizimi krijues i këtyre institucioneve. Ky projektligj që prezantohet nuk e ka këtë difekt.
Nuk jam shumë dakord me faktin që përfaqësuesit e sindikatës dhe të komunitetit duhet të jenë prezent. Ata në një farë mase janë në oponencë. Ata e dinë se çfarë ndodh në institucion dhe përmes luftës sindikaliste, peticioneve, ballafaqimeve dhe transparencës kanë të gjithë hapësirën ligjore t’i paraqesin drejtorit të gjitha kërkesat e tyre. Mundet që një individ i zgjuar të dijë se duhet dëgjuar edhe ky komunitet dhe bën pjesë në strategjinë drejtuese që njeriu i dëgjon kërkesat e tyre, i fton të jenë prezent në mbledhjet e bordit, por jo të jenë palë diskutuese, sepse humbet sensi i syrit që kontrollon drejtuesit nga jashtë.
Lidhur me këtë mendoj se kompetencat e drejtuesit duhet të jenë të plota. Sistemi më i mirë që është sot në botë, pa dashur të tregoj detaje, është se në shumë teatro të rëndësishme u hoq dhe u njësua funksioni i titullarit të institucionit me atë artistik. Në vendet e suksesshme, në këtë fushë, ka në krye një personalitet të artit dhe të kulturës, që është vizionar për institucionin, për politikën, për repertorin, për të gjitha dhe ka, pastaj, drejtorë ndihmës që zbatojnë këtë politikë. Sigurisht, kjo nuk mund të jetë e pavarur nga politika shtetërore, duhet t’u referohet evenimenteve ku merr pjesë arti, duhet t’u referohet mundësive të brendshme të institucionit, siç ndodh edhe në kompanitë e ndryshme individuale. Në këtë drejtim ai bën zgjedhjen e personave, me përjashtim të atyre që janë në fushën e financës, të administrimit, pra nëndrejtori ekonomik i institucionit me të drejtë mund të propozohet, por miratohet nga ministria, sepse ka të bëjë me një njohje të bazës ligjore dhe jo me përvojë krijuese. Ndërsa të tjerët, që nga drejtori artistik dhe bordi, duhet të propozohen nga ky, që të kenë një rrjedhë. Ashtu siç ndodh edhe në politikë që zgjidhet një qeveri, e cila do të drejtojë vendin dhe ka këtë strukturë, edhe këtu është e nevojshme të ndiqet kjo linjë, të jetë e kontrolluar, transparente, pra me të gjitha format që përmban shoqëria jonë. Jam për këtë mënyrë dhe kjo është gjëja më e mirë.
Lidhur me idenë e vjetër, që ka qenë edhe në ligjin tjetër, atë të bordit artistik për projektet artistike, është e domosdoshme të bëhet, ka ardhur koha që të bëhet. Është precizuar një raport midis përqindjeve që do të administrojë ky bord dhe asaj që i mbetet ministrisë. Unë jam dakord që të ruhet ky proporcion me këtë argument, sepse Ministria implementimin e politikave më esenciale, në fushën e kulturës, për kremtimin në jetën tonë të evenimenteve të mëdha, që ky shtet duhet t’i ketë si, për shembull, të ftojë një artist të madh ose festimin e një ngjarjeje të rëndësishme, duhet të dijë t’i suportojë. Nuk ka rëndësi se për kë do të jenë: për individin, për shoqatën, për grupin, për kompaninë apo për institucionin, por duhet të ketë një paketë, nuk mund të jetë e zhveshur nga çdo lloj pakete dhe të mbetet pre e ndarjes, siç i bën ky bord apo ky institucion i ri.
Ky institucion nuk duhet të veprojë me borde të pafundme, por duhet të ketë bordin me anëtarët e vet përfaqësues nga degë të ndryshme dhe këta, mund të kenë grupe, ku të jenë të përfshira edhe grupet e interesit, që seleksionojnë projektet dhe ia paraqesin bordit.
Bordi duhet të ketë pavarësi nga ministria. Nuk mund të merret përsëri firma e titullarit, sepse kështu është, ministria ka një bord. Kurse ky ligj i krijon hapësirë drejtuesit që do të drejtojë bordin, që të mbajë edhe përgjegjësi ligjore për vlerat që ai jep; është i auditueshëm, është i kontrollueshëm.
Lidhur me problemin e të ardhurave, të 90%-it, duhet të pranojmë se pas vitit 2005 ndodhi një fenomen shumë pozitiv. Ne kemi luftuar, janë edhe kolegët këtu, për rregullimin e gjendjes ekonomike të artistëve, të subvencionimit, që u bë me dyfishimin e pagave dhe kishim arritur deri gati në miratim; një gjë kjo mjaft e mirë. Në këtë moment, Qeveria që, sidoqoftë, është edhe një çikë “korçare” në administrimin e këtyre parave tha: “Jua rrita rrogën, por këto para do t’ua mbledh”. 90% të të ardhurave përsëri për mbështetjen e individit artist, mua më duket jo e drejtë. Një kriter që kishim miratuar, kur ishte zoti Klosi ministër, ishte që ky 90% të ndahesh për rikuperimin e mjeteve, për njërën për tjetrën, dhe një pjesë nga të ardhurat u kalonin njerëzve që të nxiten. Kjo është një pikë që e kemi diskutuar dhe që duhet riparë në përmasat e reja që duhet të ekzistojnë sot në kushtet tona.
Nuk dua të zgjatem më shumë, sepse shumë gjëra do të thuhen edhe nga të tjerët, por desha të shtoj se do të jetë një gjë shumë e madhe, e rëndësishme, në rast se Kuvendi do ta miratojë këtë ligj, (më falni, unë po ju them me respektin më të madh individualisht, edhe për këtë komision të nderuar) do të bëjë hapin e parë cilësor me këtë ky ligj, që një pjesë e buxhetit të pushtetit lokal të kalojë në funksion të institucioneve artistike. Kjo është reforma për mua. Kjo është ajo çka duhet bërë. Kjo është gjë e madhe që do të lejojë që edhe një komunë të japë diçka për kulturën, për angazhimin e njerëzve. Kjo është pika e re, është ideja e re që sjell ky ligj. Sa bie ndesh me kartën, me autonominë, është një problem juridik, por unë si artist, ose më shumë si drejtues i institucioneve, duke e njohur gjendjen e vendit, mendoj se nuk do të ndodhë më që, kur të mblidhen për Preng Jakovën, Shkodra të thotë: “Kemi bërë opera”. Pse mos ta bëjë sot? S’ka absolutisht arsye pse të mbahemi me bandën që kishte Gramshi, ose Skrapari dikur, (ka shumë mundësi që ta ketë edhe sot, një bandë, një formacion). Pra kjo është pika më e nxehtë dhe më pozitive që ka ky ligj, siç ka dhe zgjerimin. Është çështja se këtu vihet barazi midis llojeve të artit, domethënë edhe muzika serioze, edhe teatri, edhe teatri komik, edhe degët e tjera kanë të drejtë të ulen në një tavolinë të barabartë me ne; nuk ka arte të privilegjuara dhe arte sekondare. Ky është një korrigjim shumë i madh që sjell ky ligj.


  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

AMA: Pirateria sfidë serioze, bëhet në servera jashtë vendit! I kemi kërkuar AKEP mbylljen 128 faqeve online

AMA: Pirateria sfidë serioze, bëhet në servera jashtë vendit! I kemi kërkuar AKEP mbylljen 128 faqeve online