TIRANE- Shoqata e efektivëve të larguar nga policia reagon për projektligjin e Policisë së Shtetit. Sipas tyre, kufizimi për të mos u rikthyer në detyrë asnjë efektiv që është i larguar më shumë se dy vite nga puna, është një veprim arbitrar dhe qëndrim politik për të gjithë ata që u larguan padrejtësisht nga puna me ndryshimin e qeveris në shtator të një viti më parë.
 
“Neni 47 i këtij projektligji cenon parimin kushtetues të sigurisë juridike të punonjësve të policisë të liruar me ligjin nr.9749, datë 04.06.2017, “Për Policinë e Shtetit”, ligj që njeh rikthimin dhe përparësinë e tyre për rikthim si dhe të punonjësve të liruar, ose të përjashtuar pa shkak ligjor. Po kështu, projektligji i ri në kundërshtim me nenin 18 të Kushtetutës së republikës së Shqipërisë, diskriminon pa asnjë arsye objektive punonjësit që janë liruar ose përjashtuar nga Policia e Shtetit dhe që me vendim gjyqësor ka rezultuar ndërprerje e paligjshme e marrëdhënieve të punës”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Punonjësve të Policisë në Lirim.
 
Projektligji për Policinë e Shtetit pritet të shqyrtohet për miratim në seancat e ardhshme parlamentare.
 
Shoqata e efektivëve të larguar nga policia u kërkon grupeve parlamentare të shqyrtojnë me kujdes këtë projektligj, duke mbajtur parasysh të drejtat e qytetarëve.
 
Sipas tyre, në rast se ku projektligj do të miratohet, ata do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur si antikushtetues.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)