Ashtu siç kishin paralajmëruar socialistët nuk u tërhoqën dhe miratuan me 84 vota pro formulën e re të pagave të magjistratëve. Me miratimin e Presidentit të Republikës, i cili vetëm pak orë më pas firmosi me urgjencë dekretin, ligji hyri në fuqi menjëherë duke bërë që në gjykatat dhe prokuroritë e vendit nga kjo e premte të shpërndahen pagat me llogaritjen e re.
Formula, e miratuar pas mesnate me 81 vota socialistësh dhe 3 të PSD-së, përcakton se paga referuese e magjistratëve të jetë sa 38% e pagës së Presidenti të Republikës nga 36% që ishte, me një rritje prej rreth 8500 lekësh.,
Vetëm pak orë pas votimit në Kuvendit, Kryeministri Rama ftoi publikisht përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor të kontribuojnë për një ligj të ri që sipas tij do të japë një zgjidhje qëndrueshme afatgjatë e do të garantojë ekuilibrin e përhershëm të piramidës shtetërore të pagave.
"Uroj dhe besoj që përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor, që nga drejtuesit e dy këshillave dhe me radhë drejtuesit e institucioneve të gjyqësorit, do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për t’u ulur së bashku në një tryezë pune pa humbur kohë, e për të adresuar temën e sistemit të pagave të magjistratëve në funksion të një zgjidhjeje të qëndrueshme afatgjatë, e cila i garanton ata përgjithnjë po njëkohësisht garanton edhe ekuilibrin e përgjithëhershëm të piramidës shtetërore të pagave. Tryeza jonë do të mirëpresë edhe pjesëmarrjen e ekspertëve të Këshillit të Europës, si edhe kontributin e Komisionit Europian për Efiçencën e Drejtësisë", shkroi Rama.
Tryeza, e cila sipas Kryeministrit duhet të mblidhet pa humbur kohë, do të ketë pjesëmarrjen e Këshillit të Evropës.
"Magjistratët e Shqipërisë nuk duhet ta harrojnë se shkalla e tyre deri dje e paimagjinueshme e pavarësisë dhe trajtimi i tyre me pagat më të larta në Republikën e Shqipërisë dhe ndër më të lartat në rajon, nuk ranë nga qielli, po mbajnë vulën e vullnetit të kësaj shumice qeverisëse, e cila nuk do konflikt me gjyqësorin po bashkëveprim institucional, në respekt të pavarësisë së ndërsjellë. E nëse kemi mosdakordësi, na takon t’i trajtojmë me urtësi dhe durim duke dhënë një shembull dinjiteti shtetëror për qytetarët tanë e njëkohësisht edhe për partnerët e Shqipërisë”, shkruan Rama.
Edhe pse kryeministri foli për urtësi dhe durim në trajtimin e mosdakordësive, magjistratët mendojnë ndryshe. Përmes një deklarate, 4 shoqata gjyqtarësh dhe prokurorësh paralajmërojnë vijim të betejës me ekzekutivin sërish në Gjykatë Kushtetuese. Miratimi i ndryshimeve ligjore sipas tyre u shoqërua me shkelje të rënda kushtetuese.
"Shoqatat tona mbeten të palëkundura në qëndrimin e tyre për rivendosjen e të drejtave kushtetuese të magjistratëve, të cilat janë cenuar haptazi nga ligji i miratuar në orët e mesnatës. Në këtë kuadër, informojmë opinionin publik se, me të njëjtën urgjencë me të cilën ky projektligj u shqyrtua, u miratua dhe u dekretua, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe shqyrtimin e çështjes me përparësi", thuhet në deklaratë.
Magjistratët thonë se kjo çështje nuk ka të bëjë me interesa financiare por me pavarësinë e sistemit. Me miratimin e ligjit në Kuvend rritja 8500 lekë e pagës referencë është 9-fish më e vogël se ajo që vetë magjistratët thonë se ka vendosur Gjykata Kushtetuese.

Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve njoftojnë se do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese ligjin e ri për pagat e magjistratëve, duke kërkuar pezullimin dhe shfuqizimin e tij si antikushtetues.
Deklarata
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë dhe Forumi i Grave Gjyqtare të Shqipërisë shprehin vendosmërinë e tyre për të vijuar ndjekjen e procesit kushtetues lidhur me pagat e magjistratëve.
Me keqardhje kemi ndjekur procedurën parlamentare për miratimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’”. Që në fillim, kjo procedurë është karakterizuar, në vlerësimin tonë, nga shkelje të kërkesave kushtetuese, duke nisur nga miratimi i projektligjit përtej afatit kushtetues, mungesa e një analize financiare nga Këshilli i Ministrave, mungesa e konsultimit efektiv dhe dëgjimi tërësisht formal i grupeve të interesit dhe, në fund, hyrja e menjëhershme në fuqi e ligjit.
Shoqatat tona mbeten të palëkundura në qëndrimin e tyre për rivendosjen e të drejtave kushtetuese të magjistratëve, të cilat janë cenuar haptazi nga ligji i miratuar në orët e mesnatës. Në këtë kuadër, informojmë opinionin publik se, me të njëjtën urgjencë me të cilën ky projektligj u shqyrtua, u miratua dhe u dekretua, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe shqyrtimin e çështjes me përparësi.
Kjo kërkesë bëhet e domosdoshme pasi, përmes këtij ligji, cenohet jo vetëm statusi financiar i magjistratëve, i cili është i lidhur ngushtësisht me garantimin e pavarësisë së tyre, por edhe vetë themelet e shtetit të së drejtës, për shkak të mosrespektimit të hapur të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Shoqatat tona shprehin bindjen e plotë në integritetin e procesit kushtetues dhe besimin se Gjykata Kushtetuese do të rivendosë standardet kushtetuese të cenuara. Kemi besimin e plotë se do të jetë pikërisht procesi kushtetues ai që do të sqarojë çështjet e ngritura dhe do të hedhë poshtë përpjekjet për të diskredituar magjistratët dhe kërkesat e tyre legjitime.
Theksojmë edhe një herë se kjo çështje nuk ka të bëjë me interesa financiare, siç është tentuar, në mënyrë të shtrembëruar, t’i paraqitet opinionit publik gjatë gjithë këtij procesi. Ajo lidhet me respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, garantimin e pavarësisë së organeve të drejtësisë dhe mbrojtjen e themeleve të shtetit të së drejtës.
Për mbrojtjen e këtyre parimeve dhe vlerave kushtetuese, shoqatat tona mbeten të palëkundura dhe do të përdorin çdo mjet ligjor që Kushtetuta dhe ligji u vënë në dispozicion.
-
Magjistrat qesharak i perdorin fjalet si te kene qef. Kushtetuta nuk vendosi kurre ne nje page ate e vendoset vet nga qe jetoni ne nje bote tjeter fare e mendoni vec qe mbaruat juridiken jeni mbi te gjitha ama mos te harrojme jeni shkaku edhe shembulli i pa barazise ne shqiperi me vendime skandaloze edhe vetem te mendosh qe nje Pensionist merr 150 mij lek edhe ju kerkoni me shum se 800 mij rritje esht absurditet qe nuk kuptohet dot.
Përgjigju -
Po tenton te besh nje krahemarrje sic vepron me /takimet/ me qytetaret per reformen territoriale dhe me flamingot per Zvernecin e Sazanin? Me drejtesine te ngeci sharra ne gozhde.
Përgjigju -
Në se ngrihen të gjitha institucionet,policia,ushtria ,mjekësia,arsimi etj.dhe kërkojnë të tilla rroga çfar ndodh dhe në cilin vënd të botës ka ndodhur....? Drejtësia e ndyrë dhe e korruptuar e ka shkatërruar këtë vënd dhe këta që e kërkojnë të tillë janë të ndyrë....
Përgjigju









Komente
Komento