Me 77 vota pro, ligjvënësit miratuan ditën e djeshme ligjin për barazinë gjinore. Në ligj është e shkruar qartë se Shqipëria njeh vetëm dy gjini: burrë dhe grua. Nga këtu nis dhe kundërshtimi i madh i opozitës, të cilët thonë se mazhoranca pa për qëllim zhdukjen e familjes tradicionale shqiptare.

Për të analizuar me tej konfliktin publik, referuar dhe protestave të djeshme kundër miratimit të këtij ligji nga qytetarët, për Report Tv në studion e ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, ishte e ftuar Lindita Pano, përfaqësuese e Koalicionit shqiptar pro familjes dhe Ejnxhi Pepa nga Linja e këshillit për gra dhe vajza.

Lindita Pano tha se referimi i dy gjinive si burrë dhe grua dhe jo femër dhe mashkull, i ka hapur dyert të paktën 5 apo 7 gjininë në Shqipëri.

“Është përkufizimi i gjinisë  është çelësi dhe Kali i Trojës në këtë ligj. Gjini në fjalorin shqip do të thotë “Tërësia e tipareve natyrore, që dallojnë mashkullin nga femra dhe që i përcaktojnë secilit rolin e veçantë në riprodhimin e llojit; seks.”

Në fjalon shqip gjinia lidhet me biologjinë, në këtë ligj është konstrukt social. Gjin kupton sipas ligjit “Rolet e ndërtuara sipas kontekstit social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat.”

Nuk është më mashkull dhe femër, është burrë dhe grua. Burrë mund të jetë dhe një transgjinor, sipas këtij ligji. Këtu ndryshon e gjitha te përkufizimi i gjinisë. Çfarë është identitet gjinor “Përshkruhet si një ndjesi personale dhe e brendshme e gjinisë që mund të mos përputhet me seksin e lindjes”. Kjo përfshin ndryshime të pamjes trupore, ose të funksioneve mjekësore. Brenda binaritetit burrë grua, nëse gjinia përcaktohet si konstrukt social, ti ke të paktën 5 ose 7 gjini. Më përpara se të shtohej fjala burrë grua, dera ishte e hapur për të paktën 70 gjini”, tha Pano.

Ndërkohë nga ana tjetër, Ejnxhi Pepa thotë se ky ligj mbron punën si të burrave ashtu dhe të grave. Gjithashtu ajo thotë se ligji i ka dhënë më tepër mbrojtje viktimave të dhunës në familje, ka ndaluar diskriminimin në punë si dhe njeh punën e papaguar, që kryesisht bëhet nga gratë. Sipas saj, ligji njeh vetëm dy gjini.

“Gjëra të rëndësishme që prek ky ligj janë gratë rurale ose që punojnë në bujqësi. Janë grupe më pak të njohura për punën e tyre. Ndalon diskriminimin në punë, në kulturë, në shëndetësi ofron dhe mbrojtje për viktimat e dhunës në familje dhe digjitale. Është e pavërtetë. Ky ligj nuk e shkatërron familjen shqiptare.

Janë disa nene që forcojnë dhe tentojnë të mbrojnë familjen shqiptare. Tentojnë nënat nga heqja nga puna në momentin që mbesin shtatzëne. Mbrojnë nënën dhe babain kur duhet të kujdesen për fëmijët e tyre dhe në rastet kur janë sëmurë. Ky ligj njeh punën e përkujdesjen e papaguar që kryesisht bëhet nga gratë. Ky ligj do të çojë përpara barazinë gjinore në Shqipëri, do të fuqizojnë rolin e gruas në shoqëri. Me këtë ligj gratë dhe burrat do të kenë mundësi dhe barazi gjinore. Ky ligj njeh vetëm burrë dhe grua”, tha Ejnxhi Pepa.