TIRANE- Ligji i ri për shërbimet funerale parashikon edhe ngritjen e varrezave fetare. Në bazë të këtij ligji të depozituar në Kuvend, autoritetet fetare kanë të drejtë që t’i ndërtojnë  pranë objekteve të kultit të tyre duke shërbyer ritet fetare gjatë momentit të varrimit. Për to do të duhet më parë që të merret leja nga njësitë vendore.

“Administrimi i varrezave fetare bëhet nga bashkësia përkatëse fetare ose nga subjekte private, me të cilat organet drejtuese të komunitetit fetar lidhin kontratë për administrimin e varrezës. Rregullat për funksionimin, ritualin dhe administrimin e varrezës fetare miratohen nga organet drejtuese të bashkësisë fetare. Publiku duhet të ketë akses në çdo kohë mbi këto rregulla.

Rregullat sipas kësaj pike nuk mund të bien ndesh me dispozitat detyruese ose ndaluese të këtij ligji dhe kushteve teknike të ndërtimit të varrezave. Varrimi i personave që nuk i përkasin të njëjtit besim në varrezat fetare është në tagrin e bashkësisë fetare që administron varrezën. Kushtet dhe rrethanat në të cila kryhet varrimi i këtyre personave përcaktohen në rregulloren e varrezës, sipas pikës 4, të këtij neni”,- thuhet në ligjin e depozituar në Kuvend.

Kësisoj tani më varrezat fetare janë rikthyer në legjislacionin shqiptarë që pas prishjes së institucioneve fetare në vitin 1968 nga regjimi komunist në Shqipëri.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)