Linda Rama në Kongres: Fëmijët e këtij vendi meritojnë një ofertë të re, mbrojini nga interneti, pse nuk kemi një teatër të ri? (VIDEO)

Nën duartrokitjet e delegatëve të Partisë Socialiste, podiumit të Kongresit iu drejtua edhe bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama. Fokusi kryesor i fjalës së gruas së kryeministrit, ishin fëmijët dhe një ofertë e re që duhet të ketë për gjeneratën e re. Qendrat komunitare, çerdhet, kopshtet, shkollat dhe mjediset argëtuese zunë vendin kryesor në fjalën e saj.

Ajo ngriti pyetjen se përse nuk kemi ende një teatër të ri për fëmijët, kur harxhohen fonde për mega show si festivali në RTSH? Një tjetër pyetje, që ngriti Linda Rama ishte se përse sot nuk kemi një sistem funksional të klasave sportive për fëmijët në shkolla? Sipas saj, kryeministri, që është edhe bashkëshorti i saj, nuk i ka dhënë një argument bindës për këtë cështje.

"Në gjithë këto vite të gjata, është hera e parë që jam dhe për më tëpër, që flas në një forum të Partisë Socialiste. Përveç pjesmarrjes në takimet e mëdha të nisjes a mbylljes të fushatave elektorale, ku i jam gjendur Edit në krah, kam ruajtur me fanatizëm bindjen se koha, rruga, betejat, me të gjitha çfarë kanë brenda në vorbullën e jetës suaj në këtë front, në opozitë apo në qeveri, i përkasin vetëm dhe vetëm familjes së madhe politike.

Ndërsa familjes së vogël, asaj të gruas a të burrit, nënës a babait, prindërve e fëmijëve, i përket vetëm mbështetja, e padukshme por e patundshme, pa kushte, pa u lodhur dhe as dorëzuar. Mbështetje për njeriun e saj, që një pjesë të konsiderueshme të jetës së përditshme e ka të lidhur me familjen e madhe politike, por edhe për kauzën të cilës ai i është përkushtuar, në dobi të Shqipërisë, ku kemi lindur dhe ku kanë lindur, e nesër do të lindin fëmijë, fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë.

Por, befasisht e ndjeva te natyrshme edhe ftesën e papritur që m’u bë për të ardhur këtu, e për të marrë fjalën në këtë ditë të grave, me gratë dhe për gratë, me moton e bukur Edhe Një! Them befasisht, sepse vijimësisht të natyrshme kam ndjerë të kundërtën, refuzimin për t’u shfaqur si protagoniste qoftë edhe një moment, nën çatinë e madhe të Partisë Socialiste, po edhe nën dritat e skenës publike përgjithësisht. E gjithë pse-ja e pranimit të kësaj ftese, pikërisht sot dhe pikërisht ketu, mbase do të dalë në rreshtat e fjalës sime, por lejomëni t’ju them se në sekond, ky m’u duk momenti e vendi i duhur për të folur publikisht. Prandaj, faleminderit kujt i shkoi mendja për të ma bërë këtë ftesë dhe faleminderit të gjithave ju, që me mikpritjen tuaj kaq miqësore, ma konfirmoni se bëra shumë mirë që e pranova pa asnjë mëdyshje.

Faleminderit Lindita, për prezantimin që aq bujarisht më bëre dhe uroj që të jem nje vlerë e shtuar në këtë aktivitet domethënës. Fjala ime që përzien brenda nënën, studiuesen, aktivisten civile dhe shoqen e jetës së kryetarit tuaj aq të dashur për shumë prej jush, nuk pretendon të jetë asgjë më shumë se sa shprehje e deshirës së mirë për të ndarë publikisht me ju, disa mendime modeste.

Në vjeshtën e vitit 2005, Partia Socialiste zhvillonte zgjedhjet për kryetarin e saj të ri. Në atë kohë, së bashku me kolegë të mi, sapo kishim filluar të merreshim me zbatimin e një modeli të ri të shkollës si qendër komunitare, diku në një Komunë në jug të vendit. Kryetari i asaj komune ishte delegat në atë kongres zgjedhor. Ishte ai kongresi i trazuar që në fund zgjodhi Edin kryetar, pak muaj pasi Partia Socialiste kishte kaluar në opozitë. Në përfundim të Kongresit, Kryetari i Komunës erdhi në zyrën tonë për të diskutuar për aktivitetet që planifikonim të kryenim në shkollën e komunës së tij.

Në një moment dikush e pyeti: Po hë, si vajti kongresi? Nuk zgjodhëm ne delegatët,- tha. Zgjodhën fëmijët tanë. Na mbytën me mesazhe që të zgjidhnim të gjatin! Është modern ai dhe e ka të lehtë me ta, - e mbylli kryetari me një buzëqeshje që sa ç’tregonte dyshim tek i gjati, aq edhe lehtësim apo besim, që ishte bërë siç kishin dashur fëmijët e tij!

E pra, Edi erdhi në krye të Partisë Socialiste si një thirrje e fëmijve të atyre që mes plot ndryshimeve të vështira, pengesave të mëdha, sakrificave të pazakonshme, rënieve e ngritjeve, i dhanë jo pak Shqipërisë së trazuar të 15 viteve të para pas daljes në rrugën e lirise e të demokracisë. E fëmijëve ishte në fakt edhe thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, që mblodhi popullin e tërë në hapjen e asaj rruge 30 vjet më parë. E fëmijëve mbetet sot e gjithë ditën arsyeja themelore pse politika duhet të ekzistojë, pse partitë duhet të ndeshen në betejën e vizioneve dhe ideve për të nesërmen, pse vetë Partia Socialiste duhet të vazhdojë të kërkojë me shumë nga vetja dhe pse, ju, gratë e vajzat e kësaj familjeje të madhe, duhet të këmbëngulni në përpjekjen tuaj për të qenë gjysma më e mirë e kësaj familjeje të madhe.

Ka ndodhur një ndryshim i madh, real dhe i paimagjinueshëm deri jo shumë vite më parë, që personalisht më bën të ndjehem mirë, shumë mire, kur flas jashtë vendit për përfaqësimin gjinor në Shqipëri. Kjo me siguri është pjesë e qenësishme e arsyes që më bëri të vij këtu sot, tek ju, gratë që i përkisni partisë që ka meritën e padiskutueshme për këtë ndryshim dhe që keni barrën e padiskutueshme ta thelloni atë. Ta bëni atë një ndryshim që shtrihet poshtë, pasi ka ndodhur lart. Sepse, që ta themi deri në fund, kur një burrë del në dritën e skenës publike, ai është një më shumë në gjininë e të shumtëve. Ndërsa një grua në skenën publike, e mbart si hijen e vet detyrimin për t’u bërë një zë dhe forcë tërheqëse më shumë e gjinisë së saj.

Eshtë vërtetë krenari, ta shohësh sot Shqipërinë mes 5 vendeve të para në botë për pjesëmarrjen e grave në qeveri dhe po ashtu, të shohësh se në tabelën globale të aksesit të gruas në sferën publike, Shqipëria ka pozicionin më të mirë krahasuar me çdo tabelë tjetër.

Në këndvështrimin tim modest, kjo ngjitje me vlerë historike e gruas në lartësinë e vëmendjes së partive politike, falë Partisë Socialiste, është një vlerësim i admirueshëm jo thjesht i meritës individuale dhe as i kontributit thjesht individual. Është një vlerësim sa i drejtë, aq edhe kurajoz, sa politik, aq edhe humanist, për përpjekjen dhe kontributin afatgjatë, të nënave, mësueseve, aktivisteve civile në betejën e vazhdueshme të tyre për zhvillim dhe emancipim. Kjo përpjekje që vijon, në format e veta të panumërta, në të gjitha qelizat e organizimit shoqëror, familjet e këtij vendi, meriton plotësisht që rrjeti i fuqizuar sot, i grave dhe vajzave në politikë, të gjejë forma e mënyra për t’i vënë ambiciet individuale dhe aksesin në skenën publike, në dispozicion të familjeve të zakonshme, ku nënat e bijat zhvillojnë betejat e tyre emancipuese në kushte ende tejet të vështira.

Përpara një auditori të tillë është i fortë tundimi për të prekur çdo temë të mundshme që lidhet me të përditshmen tonë, por dua të qendroj tek më e rëndësishmja brenda meje, që është ajo thirrja e fëmijëve, e cila kalon si jehonë, në tërë zinxhirin që lidh vitet dhe përcillet vit pas viti, në grupmoshat e kalamajve tanë. Për mua ata, fëmijët tanë janë shembëlltyra e Europës që kemi brenda nesh. Detyrimi ynë që t’i trajtojmë ata si të tillë, jo vetëm kur flasim me ta apo për ta, po edhe kur flasim me njëri-tjetrin dhe për publikun, them se qëndron mbi të gjitha detyrimet e tjera... Me këtë të fundit kam parasysh dëmin e pallogaritshëm që i bëhet kësaj Europe të brishtë nga egërsia, vulgariteti, varfëria e mjedisit tonë publik të komunikimit.

Europiani i vogël që lind e rritet në familjet tona, ka nevojë për një përkujdesje të jashtëzakonshme, që të zhvillohet mëndjehapur e tolerant dhe të dijë te identifikojë të përbashkëtat e të çmojë të veçantat, mes modeleve, kulturave e qyteterimeve.
Dhe na takon të gjithave të pyesim, po mbase juve ju takon edhe më shumë se kaq, që jo vetëm të pyesni po edhe të ushtroni presion për të marrë pergjigjet e duhura në terrenin e jetësimit të politikave publike:

“A bëhet vërtetë gjithçka duhet që gjenerata më e re, ajo e fëmijëve tanë, të jetë nesër mishërimi i përkatësisë europiane të Shqipërisë?

A është kuptuar vërtetë me gjithsej, se sfidat e femijeve tane nuk do jene te njejta me ato qe perballojme ne dhe per rrjedhoje tejkalimi i modelit tone eshte domosdoshmeri, por njëkohësisht një kërcënim i madh vjen me të?

Dhe pastaj, a mjafton të paturit e vetëdijes së ndryshimit dhe vullneti për të përqafuar realitetin e ri, për t’ia dalë tejkalimit pa rënë pre e kërcënimit të humbjes së vlerave e të normave, që brez pas brezi erdhën deri tek ne si guidë morale e jetës sonë?”

Le të marrim për një çast ndryshimin epokal që ka sjellë në jetën e fëmijve interneti dhe platformat e tij.

Aktualisht, numri i përdoruesve të internetit në Shqipëri e ka kaluar mesataren botërore dhe po rritet vijimësisht. Këtë na e thonë numrat, por numrat nuk na thonë se cila është jeta në internet e fëmijve dhe siguria e tyre në të. Mosha e fëmijëve që fillojnë të përdorin internetin vjen duke u ulur. Këtë thonë numrat, por ne nuk dimë se si mendja e një fëmije të vogël e interpreton dhe e absorbon ushqimin e ekranit pa asnjë standard të garantuar sigurie në duart e tij.

Prindërit janë ende rojet e pazëvendësueshëm të fëmijëve nga kërcënimet e frikshme të internetit, por 30% e tyre nuk janë vetë përdorues të internetit dhe shumë të tjerë, të mbingarkuar me problemet e një jete aspak të lehtë për ta, preferojnë t’ia lënë internetit të bëjë rojen e fëmijëve.

Një fëmijë përdorues i internetit në Shqipëri shpenzon mesatarisht 2.9 orë online në ditët e javes dhe 3.3 orë në një ditë pushimi. Shumica e fëmijve e aksesojnë internetin nga ekranet e telefonave dhe kjo është kaq e lehtë dhe kaq atraktive sa rrezikon që e vetmja mëhallë që do të njohin të jetë mëhalla digjitale, të vetmit shokë të jenë miqtë imagjinarë digjitalë, heronjtë më domethënës të jenë ata që nuk ekzistojnë dhe gjuha e tyre numër një e komunikimit të jetë zhargoni i shkurtimeve dhe i shenjave në ekran.

Kam përshtypjen se në këto kushte, oferta tradicionale, e cila edhe ajo ka mangësitë e veta të mëdha, nuk mjafton. Shkolla, kopshte, çerdhe, kënde lodrash, janë bërë shumë, po jo vetëm duhen shumë akoma, po edhe sikur të mbaronte nevoja për to, mendoj se prapëseprapë jemi të zbuluar në raport me sfidën në fjalë.

Prandaj të dashura mikesha socialiste, ju lutem angazhohuni me fuqinë e përfaqësimit tuaj, në qeveri, kuvend, këshilla bashkiakë apo hapësira të tjera ndërvepruese, ku zëri juaj dëgjohet, për një ofertë të re për fëmijët e këtij vendi.

Është e qartë pse duhet të kemi një Teatër të ri të Operës dhe Baletit, një Teatër të ri Kombëtar apo të tjera salla teatri si ArtTurbina, në të tjera zona të vendit, të gjitha këto me standarde europiane. Po a mundet të jemi të qeta ne, nënat e këtij vendi, kur i vetmi teatër femijësh, është ende Teatri i Kukullave, një hije e ftohtë e atij që ishte kur Tirana ishte thuajse një e pesta e asaj që është sot?! Ose pse, si ka mundësi qe falë fondeve publike, të mbijetojë si një megashow televiziv në kohën e konkurrencës së lirë, Festivali i Këngës në Radiotelevizion, ndërkohë që fëmijët nuk kanë asnjë festival muzike?!

I bukur shumë është stadiumi i ri kombëtar dhe bukur janë bërë stadiumet e tjerë, që me siguri janë më pak se sa ata që i duhen Shqipërisë që merret me futboll. Po a ma thotë dot njeri, sepse nga i gjati që kam në shtëpi nuk e kam marrë dot një përgjigje bindëse, pse nuk e kemi dot në këtë vend një sistem funksional klasash sportive për fëmijët në shkolla?!

Më në fund dëgjova se do të bëhet edhe Kopshti Zoologjik sipas standardeve europiane dhe shpresoj qe këtë herë të bëhet vërtetë, por pse mua nuk më duket e pamundur që të kemi kopshte të bukur kafshësh të buta edhe në zona të tjera të vendit, ku fëmijët të mund të kalojnë kohë e të mësojnë për to.

Bukur është punuar për të zgjeruar rrjetin e shkollave qendra komunitare, por a nuk duhet t’iu ofrojmë fëmijëve hapësira të reja takimesh, mes shkollave, përmes konkurseve që stimulojnë talentet e tyre?!

Ndarja e re territoriale, shprehur si ide dhe nevojë qysh në vitin 2002 dhe e finalizuar si ligj, më shumë se sa një dekadë më vonë, në thelb ka synuar krijimin e hapësirave për modele të avancuara të zhvillimit dhe të shërbimit, përtej gardheve dhe sinoreve të vjetra. Vizioni për këto hapësira të reja duhet të mundësojë që nevojat e fëmijëve për argëtim të mos mbyllen brenda ofertës minimaliste të lodrave nëpër lagje apo mureve të qendrave tregtare; edhe këto të fundit fare të pakta.

Vetëm një vizion i tillë do të mundë që lista e atraksioneve turistike të shkojë përtej trashëgimisë kulturore, trashëgimisë historike, detit dhe malit, ku fëmijët janë zgjatim i të rriturve, po jo arsyeja e parë pse të rriturit tërhiqen nga këto atraksione dhe vetëm ky vizion do t’i jepte argëtimit dhe zhvillimit artistik të fëmijve një adresë të qartë institucionale.


Në nëtorin e 105-të të pavarsisë, Zaho kishte mbushur 3 vjeç. Në kopshtin e tij po përgatiteshin për të festuar ditën e flamurit. Në mbrëmje, më vjen një mesazh nga mësuese Elda, që ishte dhe administratore e kopshtit së bashku me bashkëshortin e saj, qytetar amerikan. Zaho më ka surprizuar dhe më ka prekur sot,- më tha.

Të nesërmen në mëngjes po më priste dhe me tregoi: Dje po pyesnim fëmijët se përse e duam Shqipërinë dhe kur radha i erdhi Zahos, ai u përgjigj shumë thjeshtë: E duam, sepse është shtëpia jonë. M’u kujtua vetja ime,- vijoi. Ika në Amerikë e vogël dhe pas shumë viteve u ktheva me Davidin, të fejuarin tim pasi babai ishte sëmurë dhe ishte shtruar në spital. Ishte fillimi i viteve 2000. Dilnim në rrugë, kishte mbeturina dhe gropa, më vinte turp nga i fejuari dhe i thosha “më vjen keq”. Hipja në autobus, njerëz që shtyheshin, thosha “më vjen keq”. Shkoja në spital, ku asgjë nuk funksiononte siç duhej, pëshpërisja “më vjen keq”. Hynim në shtëpi, iknin dritat; dhe mua përsëri më vinte keq. Nuk e di sa herë e kam përsëritur togfjalëshin “më vjen keq” ato ditë. Ditën që u larguam, në momentin që do të fillonte fluturimi për të kaluar oqeanin, ai nxorri një letër dhe më tha: Ke thënë kaq shumë herë “më vjen keq” këto ditë. Të lutem shkruaj 10 arsyet se pse e do vendin tënd. Në mbi 10 orët e fluturimit tim, me vështirësi i bëra dhjetë arsye, por asnjëra nuk ishte një arsye sa për 10.

Ndaj, u preka. Kishte qenë aq e thjeshtë dhe aq domethënëse: Po, e dua Shqipërinë, se ajo është shtëpia jonë.

Me një falënderim të madh që më dhatë mundësinë të ndaj me ju dhe përmes jush, me të gjithë familjen tuaj të madhe të socialistëve, këtë fjalë timen dhe po ashtu, duke ju falënderuar për vëmendjen që me dhatë bujarisht, lejomëni ta mbyll duke ju thënë:

O e bëni ju, gratë socialiste të kësaj kohe kaq të favorshme për gruan në politikë, atë që politika duhet të bëjë për një ofertë të re për fëmijët që lindin e rriten në këtë vend, o s’e bën dot askush tjetër!

O e bën Partia Socialiste sot këtë vend, shtëpi të fëmijëve të të gjithë shqiptarëve, pa dallim krahine e kategorie sociale, o askush tjetër s’ka për ta bërë dot për kushedi se sa kohë akoma!

Uroj ta bëni dhe të merrni bekimin e historisë së të vetmes Europë qe ne kemi brenda nesh, historisë së fëmijëve tanë!

U bëftë më e mira për ju, familjet tuaja, fëmijët e këtij vendi, që është shtëpia e tyre
" tha ajo.


Lajmi kryesor:

Piedestali i Gruas në Kongresin e PS! Rama batuta: Kush ju cenon jepini dajak! Një bashkëkryetare në çdo organizatë


  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic