Lindja e Krishtit, Dodaj dhe Massafra urojnë shqiptarët! Arqipeshkvët nxisin shpresë, mesazhe pro familjes e paqes

Reflektim dhe ecje në kërkim të shpresës, më shumë vëmendje ndaj të rinjve dhe politika pro jetës kanë kumtuar në mesazhin e tyre të urimit me rastin e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, drejtues të Kishës Katolike në Shqipëri.

“Të vihemi në ecje. Në ecje si popull i Zotit, si shtegtar të shpresës, në krah të bnjë jubileu që shënon 2025 vjet nga Lindja e Krishtit.  Zoti shkon përtej veprave tona, që në këtë kohë gjithnjë e më shumë bën të dëgjohen zhurmat e luftës, britma e dhunës, klithma e padrejtësisë, gumëzhima e korrupsionit galopant, sepse ulërima e parë është në zemrën e njeriut, që ka varrosur zërin e ndërgjegjes në themelin lajthitës të kullave të Babelit. Kemi iluzionin se po bëhemi si Zoti dhe ndihemi zotër në jetën e të tjerëve. Por kemi nevojë të themelojmë një qytetërim dashurie.”, - u shpreh Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, imzot Arjan Dodaj.

Ndërsa imzot Angelo Massafra, Arqipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit vërejti se “Me këtë Krishtlindje të Zotit përurohet edhe Viti i Jubileut, i cili dëshiron të jetë një kohë e rivendosjes së ekuilibrave mes Hyjit dhe njerëzimit, mes njerëzve dhe krijimit, mes njeriut dhe njeriut."

Prandaj, mesazhi im i urimeve për këtë Krishtlindje 2024, i fundit i shërbimit tim si Bari i kësaj Arqipeshkvie të Shkodër-Pult, dëshiron të jetë ky: Të mësojmë nga Hyji metodologjinë e mishërimit, duke e zbatuar atë në jetën tonë kishtare dhe shoqërore, duke u bërë bashkëpunëtorë aktivë të Hyjit për shpëtimin e botës sonë.”,- tha Massafra.

Imzot Dodaj nënvizoi se në këto tre dekada kemi kërkuar të lirohemi nga fantazmat e së kaluarës për të projektuar një jetë të re, por kemi pasur larg nga ndërgjegjja Zotin.

Të dy arqipeshkvët dhanë një mesazh pro jetës dhe familjes.

“Asnjë fëmijë nuk është gabim, por dhuratë. Sa nevojë ka vendi ynë për fëmijë sot dhe sa nevojë kanë fëmijët për familje, për edukatorë, për politika pro jetës dhe familjes. Përndryshe jemi të destinuar drejt shuarjes me shifrat alarmuese të zbrazjes demografike.”, - tha Dodaj.

“Të gjitha familjeve të kësaj toke të dashur shqiptare dhe në veçanti atyre të kësaj Arqipeshkvie, ju uroj që të kenë marrëdhënie të shëndosha sipas modelit të Familjes së Shenjtë. Të rinjve ju uroj që t’i hapen jetës, që të mos shkurajohen në ndërtimin e të ardhmes së tyre duke ndjekur rrugën e të mirës. Personave të moshuar dhe të vetmuar që ndjejnë humbjen e shkaktuar nga mërgimi në masë, ju uroj që të gjejnë ngushëllim në mbështetjen e bashkësisë. Mërgimtarëve që jetojnë larg tokës dhe shtëpisë së tyre, ju uroj që të mos e humbasin dashurinë për atdheun e tyre dhe shpresën për një kthim të mundshëm të lehtësuar nga kushte më të mira të jetesës. Të burgosurve ju uroj që të shpresojnë edhe një herë në një jetë të ndershme dhe në një shans të dytë.”, - vijoi Massafra.

Ndërsa ka folur për ruajtjen e tokës dhe natyrës, imzot Dodaj solli si shembull Nënë Terezën, ndërsa vërejti se është e nevojshme të rikuperojmë dialogun, duke kapërcyer pengesat e indiferencës dhe paragjykimit.

“Veçanërisht politikanët të mësojnë politikë më të shëndetshme për të ndihmuar popullatën që të dizintoksikohet nga politika e konfliktit, dhunës dhe vulgaritetit. Fëmijët dje të rinjtë ju vëzhgojnë dhe jo rrallë herë ju imitojnë.”, tha Dodaj.

Viti që po vjen është një vit jubilar që shënon 2025 vjet nga lindja e Krishtit. Ky jubile me temë “Shtegtarë shprese” synon të na kujtojë para së gjithash gjendjen tonë në këtë tokë dhe të na nxitë, që ta jetojmë kohën e shtegtimit tonë me shpresë.

B.G/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë