Lira Gjika: Përveç familjes, shkolla
të fuqizojë edukimin e fëmijëve

Lira Gjika: Përveç familjes, shkolla<br />të fuqizojë edukimin e fëmijëve
Edhe pak ditë kanë ngelur nga fillimi i vitit të ri shkollor, parauniversitar. Fëmijët kanë marrë librat e tyre dhe presin ditën e parë të shkollës. Ata, pasi kanë kaluar 3 muaj pushim në verë, kanë ndryshuar oraret e zgjimit, në disa raste deri në shumë orë. Pengesa më e vështirë për të përshtatur fëmijët, që të përvetësojnë ritmet e shkollës, janë oraret e reja të zgjimit dhe të përgatitjes për të mësuar.

Psikologia, Lira Gjika, e ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” na thotë disa këshilla për ndryshimin e orareve të reja të fëmijëve para fillimit të shkollës dhe përgatitjen e tyre për këtë vit shkollor. Gjika, thotë se jo vetëm familja duhet të luajë një rol, por rëndësi ka dhe shkolla.

“Nga një liri e madhe, fëmijët duhet të futen në rregulla. Dhe është shkolla ajo që bën organizimin e mendimit, përfshirjen e gjuhës dhe të fjalës. Në qoftë se edukimi i përket familjes, i edukuar apo i paedukuar qofshin ata nga familja, shkolla duhet ta fuqizojë edukimin e tyre”, tha ajo.

Në fund të pushimeve të verës, edhe mendja e fëmijëve duhet të kthehet në regjimin e shkollës. Kjo mbase është pjesa më e vështirë e përgatitjes së kthimit në shkollë. Cilado të ketë qenë metoda e zgjedhur për të kryer detyrat gjatë pushimeve, në dy javët e fundit, para rifillimit të mësimeve, duhet që patjetër fëmijët të rifitojnë besimin me libra dhe ushtrime. Dhe kjo metodë sipas psikologes Gjika nuk bëhet duke e mësuar fëmijën të mësojë përmendësh.

“Duhet t`i mësojmë fëmijët jo t`i bëjnë gjërat përmendësh. Të mos tregojnë vjersha përmendësh. Sepse deri në një fazë të jetës, sensorët e tyre do të thithin, por nuk do të zhvillojnë në mënyrë të mirë sistemin e të kuptuarit.

“Para fillimit të këtij viti shkollor - thotë psikologia Gjika, prindërit duhet ta organizojnë mëngjesit e tyre dhe të fëmijës. Në këtë mënyrë, duke u organizuar, ata nuk bëhen vonë edhe për veten e tyre në punë por as për fëmijët në shkollë”.

Një tjetër këshillë që psikologia Gjika dha për prindërit ishte dhe zgjedhja e ambjentit të shkollës për fëmijët e tyre. Ajo i vë një rëndësi të madhe zhvillimit të programeve shkollore dhe atmosferës në shkollë, të cilat çojnë në zhvillimin e vullnetit të fëmijës për ta frekuentuar atë dhe për t`u zgjuar herët.

“Një fëmijë që mezi zgjohet në mëngjes e ka më shumë të zhvilluar ndjenjën e frikës se sa faktin e dëshirës për t`u shkolluar. Kjo vjen nga fakti që ai në shkollë gjen një ambjent të ashpër dhe jo mikëpritës. Fëmija e do shkollën”, tha ajo.

Psikologia Gjika u ndal dhe te konceptet e familjes. Ajo e vuri theksin e saj te edukimi që familja i jep fëmijës: “Familja është bërthama. Përqëndrimi kryesor është familja. Burri, gruaja dhe fëmija. Aty ku prodhohet jeta dhe e ardhmja”.

Ajo u dha disa këshilla prindërve për emancipimin e fëmijës në shoqëri: “Duhet të tregoheni të kujdeshëm me fëmijët. Mos e ngrini zërin, mos ngrini dorë sipër tij dhe më e rëndësishmja mos i bëni pyetjen “Pse” fëmijës”, tha ajo.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria do të zhvillojë Industrinë Ushtarake, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aktpadi e re kundër ish-Presidentit Trump lidhur me rastin e 6 janarit

Aktpadi e re kundër ish-Presidentit Trump lidhur me rastin e 6 janarit