/ATSH-B.Jashari/- Liria dhe pavarësia e Kosovës është një vepër e madhe e popullit të Kosovës, ku të gjitha gjeneratat, në kohë dhe rrethana të ndryshme kanë dhënë kontributin e tyre, si edhe delegatët e 2 Korrikut të para 25 viteve, të Kuvendit kosovar.
Kështu tha sot kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, gjatë takimit me një delegacion të ish-delegatëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët në 2 Korrik të vitit 1990 shpallën Deklaratën Kushtetuese.
Veseli vlerësoi lart kontributin e delegatëve të 2 Korrikut, që nëpërmes këtij akti shprehen qartë vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës në atë kohë. "Shpallja e Deklaratës kushtetuese të 2 Korrikut ishte një moment i rëndësishëm historik në rrjedhën e përgjithshme të lëvizjes sonë për liri dhe pavarësi", u shpreh ai.
Kryetari Veseli, gjatë takimit u njoh me shqetësimet e ish-delegatëve të Deklaratës Kushtetuese lidhur me statusin e tyre, i cili parashihet të rregullohet me një ligj përkatës që aktualisht është në proces të draftimit.
Veseli theksoi se do të angazhohet që ky proces të përshpejtohet.
Ish-delegatët e 2 Korrikut 1990 kërkuan nga kryetari Veseli përkrahjen në këtë drejtim, si dhe mbështetjen institucionale me rastin e shënimit të 25-vjetorit të shpalljes së Deklaratës Kushtetuese.
Kryetari Veseli u shpreh se në kuadër të këtij shënimi do të organizojë një vizitë njoftuese të ish-delegatëve të 2 Korrikut në ambientet e Kuvendit të Kosovës, do të mbështes botimin e një monografie për legjislaturën e asaj kohe, si dhe organizimin e një seance simbolike në 2 Korrik të këtij viti në sallën e Kuvendit nga vetë ish-delegatët e vitit 1990.
Kosova para 25 vitesh me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
"Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë...", pjesë e lëvizjes gjithëkombëtare për liri, pavarësi e demokraci, e shpallën në Prishtinë delegatët shqiptarë, po edhe nga komunitete të tjera, para dyerve të Kuvendit kosovar, të cilat ua kishin mbyllur me urdhër serb nga Beogradi, që kishte vendosur gjendje të jashtëzakonshme të shtetrrethimit ushtarako-policor.
Deklarata e Pavarësisë ishte edhe si kundërpërgjigje rrënimit kundërkushtetues e të përgjakshëm, me kushtetutën e tankeve serbe, të autonomisë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës së atëhershme.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të ditëve të fundshtatorit 1991, shënonte kthesën historike drejt së nesërmes - të sotmes së Kosovës së lirë tani mëse 16 vjet nga qershori 1999, Kosovës shtet - Pavarësisë së shpallur para 7 viteve në 17 Shkurt 2008, të njohur deri tani nga 108 shtete anëtare të OKB-së.
"Fillim i së nesërmes" ishte titulli i redaksionalit që kam shkruar në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në atë ngjarje historike, të botuar të nesërmen në ballinën e Rilindjes - gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë, ku theksoja se, "Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota..."