Vendosja e gjobave për protestuesit që bllokuan qarkullimin gjatë tubimit para Kryeministrisë ishte një nga çështjet e diskutuara në emisionin “Studio Live” në Report TV. Ish-kreu i PD-së në Librazhd, Bujar Vreto i cili ishte i ftuar së bashku me analistin Bujar Nallbani, kundërshtoi këtë duke argumentuar se protestat nuk mund të ndalen përmes gjobave, por duhet të adresohen shkaqet e pakënaqësive që i nxisin ato.
“Unë nuk besoj se protestat ndalohen me gjoba, por duhet parë pse kanë ardhur këto protesta, çfarë pakënaqësish kanë qytetarët dhe si do të menaxhohen. Protestuesit duhet të jenë të lirë, gjobat nuk janë zgjidhja. Një vend demokratik matet edhe nga mënyra se si i trajton protestat”, u shpreh Vreto.
Ai kritikoi gjithashtu Sali Berishën, duke pretenduar se kreu i PD-së po përpiqet të marrë drejtimin e protestave pa qenë vetë organizatori i tyre. Sipas Vretos, opozita ka humbur besimin dhe largimi i Berishës nga drejtimi i saj do t'i hapte rrugën një transformimi të Partisë Demokratike.
“Unë shikoj një Berishë që nuk po e stimulon protestën, por po kërkon ta rrëmbejë atë. Nëse Berisha do të kishte numrat, nuk kishte pse të shkonte te protesta e studentëve. PD-ja është e shkatërruar. Largimi i Sali Berishës nga PD-ja do t'i hapte rrugën një transformimi”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, analisti Bujar Nallbani u shpreh se Partia Demokratike është e degraduar dhe se demokratët duhet të gjejnë forcën për t'u shkëputur nga Berisha. Ai kundërshtoi gjithashtu idenë se protestat janë tërësisht të kontrolluara nga opozita, por ngriti akuza për personat e maskuar që, sipas tij sulmojnë institucionet dhe bizneset.
“PD-ja është e degraduar deri në palcë dhe nuk sjell risi për të rikthyer demokratët që po largohen. Demokratët duhet të kenë forcën të largohen nga Berisha. Kush i paguan këta terroristë dhe hajdutë me maska e me kapuça që sulmojnë institucionet, bankat dhe njësitë e biznesit të vogël apo të madh? Këtu ka një dorë. Kjo duhet të jetë e sponsorizuar nga jashtë dhe nga Partia Demokratike”, deklaroi Nallbani.
Diskutimi vijoi edhe për marrëdhënien mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si dhe për qëndrimin e opozitës ndaj kësaj përplasjeje.
“Veliaj kakaris pasi ka arritur gjithçka, le të flasë sa të dojë Sali Berisha, Rama nuk pyet. Keqardhja e Berishës për Veliajn nuk është e vërtetë.”, u shpreh Vreto.








Komente
Komento