Në Shkodër po vijon puna për lirimin e hapësirave ku do të ndërtohet qendra e re e integruar e informacionit turistik.
Pamjet nga puna që po kryhet i ka ndarë në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama, i cili shprehet se projekti synon të modernizojë shërbimet për vizitorët dhe të mbështesë zhvillimin e turizmit në qytet.
“Bashkia Shkodër po çliron hapësirat që do t’i hapin rrugë ndërtimit të Qendrës së re të Integruar të Informacionit Turistik, një investim që do të modernizojë shërbimet për vizitorët e turistët dhe do të ndikojë zhvillimin e turizmit në qytet. Një tjetër hap drejt një Shkodre më të organizuar, më mikpritëse dhe më tërheqëse për të gjithë”, shkruan Rama.
Qendra do të ofrojë informacion mbi atraksionet turistike, itineraret, aktivitetet kulturore, trashëgiminë historike, strukturat akomoduese dhe shërbimet që ofrohen në territor.
Sipas projektit, ajo do të shërbejë si një pikë orientimi për turistët që vizitojnë Shkodrën dhe destinacionet natyrore të veriut, përfshirë zonat malore dhe liqenore, duke përmirësuar kështu mikpritjen ndaj turistëve dhe promovimin e ofertës turistike.
Komente








