KOSOVE - Lirohet Albert Veliu, i njohur ndryshe si "Babalja", rreth 24 orë pas ndalimit nga policia e Kosovës. Lajmi u konfirmua ekskluzivisht për Report Tv nga avokati i "Babales", Tomë Gashi. Sipas tij, Gjykata e Prishtinës nuk ka pranuar kërkesën e autoriteteve shqiptare për paraburgim ndaj Albert Veliut, i cili në Shqipëri akuzohet për kallëzim të rremë për rastin e audiopërgjimit të pretenduar të Agron Xhafajt dhe kalim të paligjshëm të kufirit. Nga ana tjetër, Report Tv ka mësuar se vijojnë procedurat për ekstradimin e "Babales". Avokati mbrojtës, Tom Gashi tha se klienti i tij Albert Veliu, ndodhej me të, pas vendimit të Gjykatës.

Vendimi
Report Tv ka siguruar edhe vendimin e Gjykatës së Prishtinës që çoi në lirimin e "Babales". Në vendimin e gjykatës së Prishtinës që mban firmën e gjyqtarit Alltën Murselli, sqarohet se përfaqësuesi i akuzës, prokurori Hivzi Bajraktari ka kërkuar masën e sigurimit personal arrest me burg për Veliun me qëllim ekstradimin në Shqipëri, në bazë të urdhër-arrestit të lëshuar nga autoritet shqiptare, që e akuzojnë për veprat penale kallëzim të rremë në bashkëpunim dhe kalim i paligjshëm i kufirit. Vetë Veliu, sipas dokumentit, ka kundërshtuar masën e kërkuar nga organi i akuzës duke thënë se ka kërkuar azil në Kosovë pasi në Shqipëri i rrezikohet jeta. Argument, ky që u përmend edhe nga avokati. Albert Veliu ka kërkuar azil në Kosovë bashkë me djalin e tij 18-vjeçar, Ledio. Ndërsa bashkëshortja dhe djali i mitur ndodhen si azilantë në Belgjikë. Nga ana tjetër, avokati i Babales, Tomë Gashi, ka përdorur si argument gjatë seancës precedentin e ekstradimit të "gylenistëve" te Erdogan dhe ka thënë se nëse klienti i tij do mbahej ky do ishte skandali më i madh juridik pas rastit të turqve. Në përfundim, referuar argumenteve të palës mbrojtëse, Gjykata e Prishtinës ka vendosur të lërë të lirë, Albert Veliun, i cili kthehet në kampin e azilantëve. 

Vendimi i gjykatës për Albert Veliu

Albert Veliu u ndalua një ditë më parë në një kamp azilkërkuesish në Prishtinë, pas lëshimit të urdhërporosisë nga drejtësia shqiptare për arrestimin e tij, pasi ndaj "Babales" ka një masë arresti me burg për kallëzim të rremë dhe kalim të paligjshëm të kufirit. Albert Veliu akuzohet se bashkë me kunatin e tij, Fredi Alizoti inskenuan përgjimin "Babalja 1", ku në një audiopërgjim pretendohej se vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, bënte pazare droge. 

Ishte akt-ekspertimi i ardhur nga Anglia, që vulosi fatin e Babales, aty qartësohej se zëri në audiopërgjim nuk ishte i Agron Xhafës. Albert Veliu, i cili u prezantua në media me emrin ‘Dëshmitari X’, u largua në Kosovë në muajin maj, ku kërkoi edhe azil. Veliu ndodhej në Kosovë bashkë me djalin e tij, ndërkohë që ka deklaruar para autoriteteve kosovare se është larguar në Kosovë pasi i rrezikohej jeta. Pas procedurave ligjore pritet që Albert Veliu të ekstradohet në Shqipëri.

Report Tv publikoi pjesë edhe nga përgjimet e prokurorisë ku del në pah se gjithçka në adresë të Agron Xhafajt ka qenë e inskenuar nga protagonistët Albert Veliu dhe kunati i tij, Fredi Alizoti i cili ka imituar zërin e vëllait të ministrit. Sipas përgjimeve rezulton se Babales dhe Alizotit i ishin premtuar nga 100 mijë euro secili, nga deputeti me mbiemër 'Salianji'.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:15
FOTO EKSKLUZIVE/ ‘Babalja’ i buzëqeshur krah avokatit pak minuta pas lirimit nga Policia e Kosovës

KOSOVË– Pas lirimit të Albert Veliut, i njohur ndryshe si "Babalja", rreth 24 orë pas ndalimit nga policia e Kosovës, një foto e tij, ku ai duket i buzëqeshur krah avokatit të tij ka mbërritur në redaksinë e Report Tv. Në foton e mëposhtme duket qartë Veliu së bashku me  avokatin e tij, Tom Gashi.

Veliu dhe avokati i tij

Albert Veliu u ndalua një ditë më parë në një kamp azilkërkuesish në Prishtinë, pas lëshimit të urdhërporosisë nga drejtësia shqiptare për arrestimin e tij, pasi ndaj "Babales" ka një masë arresti me burg për kallëzim të rremë dhe kalim të paligjshëm të kufirit.  

"Babalja" akuzohet se bashkë me kunatin e tij, Fredi Alizoti inskenuan përgjimin "Babalja 1", ku në një audiopërgjim pretendohej se vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, bënte pazare droge.