Ish -komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala është liruar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dhe ka mbërritur në Kosovë. Lajmi u bë i ditur nga familjarët, teksa djali i tij shkroi në rrjete sociale: “Mirë se erdhe në atdhe, babë!”.
Sipas mediave të Kosovës, më 4 shkurt 2025 Specialja e dënoi Shalën me tre vjet burgim. Në të njëjtën çështje, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u dënuan me nga dy vjet burgim secili, ku ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.
Procesi ndaj tre të akuzuarve i kaloi trupit gjykues më 4 shtator 2024. Fillimisht ishte vendosur që gjykimi të niste më 14 nëntor 2024, por ai u shty për shkak të negociatave mes palëve për arritjen e marrëveshjeve për pranimin e fajësisë.
Shala kishte kërkuar që çështja e tij të ndahej nga ajo e Bahtijarit dhe Januzit, me qëllim përshpejtimin e gjykimit, por kjo kërkesë ishte refuzuar.
Më 13 nëntor 2024, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me të tre të akuzuarit. Më 6 dhjetor u dorëzua aktakuza e rishikuar, e cila përfshinte edhe këto marrëveshje. Në aspektin procedural, marrëveshjet me Shalën dhe Januzin u pranuan, ndërsa ajo e Bahtijarit fillimisht u vlerësua me mangësi.
Më 16 dhjetor, palët njoftuan se ishte arritur një marrëveshje e re edhe me Bahtijarin, e cila iu dorëzua trupit gjykues. Aktakuza e rishikuar u dorëzua më 17 dhjetor 2024.
Si rrjedhojë, në seancën e 18 dhjetorit, Shala dhe Januzi u deklaruan fajtorë, ndërsa marrëveshja për Bahtijarin u pranua proceduralisht. Një ditë më pas, më 19 dhjetor, edhe Bahtijari u deklarua fajtor dhe shprehu pendesë.
Komente












