TIRANE- Shpallet i pafajshëm nipi i Arben Frrokut, Jak Jaku. Vendimi është marrë nga Gjykata e Tiranës, e cila ka nxjerrë pa faj Jak Jakun, i arrestuar në Greqi, së bashku me Frrokun, pas vrasjes së kryekomisarit të ndjerë Dritan Lamaj. Gjyqtari Arben Micko ka shpallur fajtor vetëm vëllain e Jakut, shtetasin Ndue Jaku, duke e dënuar atë me 7 vite burg, mirëpo për shkak të gjykimit të shkurtuar ky dënim është ulur, duke bërë që Ndue Jaku të dënohet përfundimisht me 5 vite burg. 

Pas përfundimit të gjyqit, gjykata ka urdhëruar lirimin e Jak Jakut nga qelia. Policia e Kombinatit, më 25 shkurt 2013, një ditë pas ekzekutimit të komisarit te “Vasil Shanto”, ka marrë informacion se në shtëpinë e Jak Jakut dhe Ndue Jakut, kishte lëndë narkotike dhe armë zjarri. Gjatë kontrollit janë gjetur në sirtarin e një bufeje në sallon 5 qese farmaceutike të mbushura me hashash, një çantë me 8 qese farmaceutike me hashash. Në një sirtar tjetër u gjetën disa qese me kokainë dhe brenda lavatriçes qese me heroinë dhe një kavanoz me kokainë.

Po kështu në një prej dhomave u gjet një armë gjahu, kurse në një gropë në oborr, pistoleta e markës “Bereta”, një silenciator, snajper i markës “SIGSAVEER”, 2 automatikë “Kallashnikov”, një çifte tjetër, tre krehra, 8 krehra me fishekë të ndryshëm, një shënjestër optike, dy peshore elektronike. Në total nga peshimi rezultuan 529 gramë heroinë, 396 gramë kokainë dhe 37 gramë hashash. Sipas prokurorisë, bëhet fjalë për sasi të mëdha droge dhe armatimi dhe vepra penale është në bashkëpunim nga dy vëllezërit Jaku. Pala mbrojtëse ka pretenduar se mbajtësi është vetëm Ndue Jaku.

Shkrimi u publikua sot (21.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)