TIRANË- Ngushtohet laku i llogaridhënies për gjyqtaren e Krujës, Enkeleida Hoxha, e cila ka bërë kërdinë me vendime të shumëdebatuara, duke liruar nga burgu persona të dënuar me burgim të përjetshëm. Këshilli i Lartë Gjyqësor do të vendosë nesër për caktimin e seancës dëgjimore me gjyqtaren Hoxha, e cila do të japë shpjegime për vendimet e saj, të cilat kanë prodhuar reagime të forta. Inspektori i Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, i ka kërkar KLGJ që të shkarkojë gjyqtaren nga detyra gjyqtaren, për shkelje të rënda, në vendimmarrjet e saj për lirimin e të fortëve nga burgu. Në këtë kuadër, KLGJ do të vendosë nesër për caktimin e seancës dëgjimore, për t’u njohur me versionin e gjyqtaret sa i takon pretendimeve të ILD.

Disa ditë më parë, KLGJ shkarkoi nga detyra gjyqtarin e Korçës Markelian Kuqo, pasi liroi nga burgu Gert Gjinararin, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Tashmë radhën për t’u përballur më KLGJ e ka zonja Hoxha, cila është denoncuar nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Emri i gjyqtares së Krujës Enkeleida Hoxha tashmë lidhet me lirimin nga burgu të disa të dënuarve, përmes vendimeve të dyshimta, para se ajo të përballej me Vetingun. Në mes të muajit janar 2020, gjyqtarja e Krujës, Enkeleida Hoxha, pranoi kërkesën e ish-numrit dy të bandës së Durrësit Endrit Dokle duke i shuar dënimin përjetë dhe dënuar përfundimisht me 25 vite. Po meqenëse Dokle kishte kryer 3/4 e kësaj mase të re dënimi, gjyqtarja Hoxha e liroi nga qelia me kusht, pas 16 viteve në qeli.

 Për të argumentuar lirimin, gjyqtarja thekson në vendim se Dokle ka sjellje shumë të mirë, është penduar për vrasjet që ka bërë, vuan nga depresioni dhe se ka të atin sëmurë.

Në 7 nëntor të vitit 2017, Enkelejda Hoxha liroi nga burgu Genc Tafilin, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë, Arben Zylyftari, në vitin 2000, në Shkodër. Po në nëntor të 2017 Hoxha liroi edhe Ilir Pajën nga burgu, të njohur me nofkën ‘UFO’ nga drejtësia italiane, pasi ishte arratisur tre herë. Gjithashtu po në nëntor të vitit 2017, gjyqtarja Hoxha i njohu vjetërsinë e punës një gruaje nga fshati Bilaj i Krujës, Marjana Prenuca, që në moshën 5-vjeçare për efekt pensioni.