Kandidati i PS për deputet në Tiranë dhe njëherësh prefekti i Tiranës, Toni Gogu ka komentuar kandidatët e listave të PS dhe PD, duke thënë se PS sjellin ndryshimin ndërsa PD vijon të jetë po emra që kanë vite në politikë dhe janë sprovuar nga qytetarët se nuk sjellin më asgjë të re.
Në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, Gogu tha se PS është shfaqur me emra të rinj, energji të reja dhe se janë vendosur në krye të listës. Në lidhje me emrat e dalë nga PD. Gogu shprehet se ka një vazhdimësi të pandryshueshme ndër vite.
“Nga njëra anë kemi lista të PS me energji të reja dhe pozitive, zonja që kanë dhënë kaq shumë për vendin e tyre të punës. Ndërkohë nga krahu tjetër kemi politikanë të stazhionuar dhe nëse vërtet nuk lodhen duke qëndruar në arenën politike por që kanë kohë të gjatë që janë aty. PS vjen me një ndryshim të vazhdueshëm, nga krahu tjetër kemi një vazhdimësi të pandryshueshme”, tha Gogu.
Prefekti i Tiranës, Gogu foli edhe për programin e PS ku tha se është përqendruar në rimëkëmbjen ekonomike, që u trondit fort nga tërmeti dhe pandemia.
“1 mijë familje gjatë 2020 janë futur në shtëpisë në banesa individuale. Ndërkohë që kanë filluar ndërtimet për apartamentet që janë mbi 20 mijë dhe 28 kantiere të mëdha ndërtimi që po punojnë dhe janë drejt përfundimit. Rritja e borxhit është e natyrshme por të rrijë brenda parametrave që të mos destabilizojë ekonominë e madhe. Sot jam në mes të një rimëkëmbje të ekonomisë dhe ne kemi një plan të qartë për rimëkëmbjen e saj duke pasur parasysh se me çfarë jemi përplasur”, tha Gogu.