Prej katër vitesh nuk fitonte asnjë ndeshje të vlefshme për eliminatoret, por thatësirës Lituanina i ka dhënë fund të hënën në ‘Air Albania’, duke mposhtur 0-1 kombëtaren shqiptare. Kuqezinjtë e Edy Reja-s kanë bërë një paraqitje mjaft zhgënjyese, duke humbur në shtëpi me kundërshtarin më të lehtë në letër në grupin e Ligës së Kombeve.

 

Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 51 pas një gafe të Gjasulës dhe ekzekutimi perfekt të Kazlauskas. Për pjesën e mbetur të lojës për t’u evidentuar ishin zëvendësimi i Roshit për shkak dëmtimi pasi hyrë në pjesën e dytë dhe kartoni i kuq i Hysajt. Pas ndeshjes, trajneri Edy Reja dhe mbrojtësi Berat Gjimshiti u shprehën:

Edy Reja: “Në e patëm përgatitur shumë mirë ndeshjen, por përballë kishim një skuadër si Lituania që ishte dy herë më mirë se ne fizikisht. Ata vraponin shumë më shumë se ne dhe na vendosën në vështirësi. Pas golit situata u vështirësua shumë dhe ishte e vështirë të rikuperonim.”

Berat Gjimshiti: “Nuk e prisja që do luanim kaq dobët, i gjithë ekipi. Përjashtim bëjnë ata që janë futur në pjesën e dytë. Ka nga këto ndeshje që ndodh në futboll që nuk të ecën se kundërshtari është i fortë. Kjo lojë nga një gabim vendosej dhe këtë radhë e patëm ne fatin e keq.”

Pas ndeshjeve të dyta në gupin 4 të Ligës C Shqipëria renditet e dyta, por të katër skuadrat duke përfshirë Kazakistanin, Lituaninë dhe Bjellorusinë ndodhen në kuotën e 3 pikëve. Ndeshjet e radhës së Kombëtares në Ligën e Kombeve janë më 11 dhe 14 tetor.