SHBA, NEW JERSEY - Për herë të parë në histori kombëtarja e Norvegjisë është kualifikuar për në fazën çerekfinale të Kupës së Botës. Për ta bërë këtë të besuarit e trajnerit Stale Solbakken mposhtën 1-2 pesë herë kampionët e botës, Brazilin e Carlo Ancelotti, në mesnatën mes të dielës dhe të hënës me orën shqiptare.
Heroi i takimit për vikingët ishte Erling Haaland me dopietë, teksa sulmuesi i Manchester Cityt ngjitet në kuotën e shtatë golave këtë Botëror, aq sa kanë Lionel Messi dhe Kylian Mbappe. Nga ana tjetër, kjo humbje është një dramë për amerikano-latinët të cilët shohin mos jenë në çerekfinale për herë të parë që nga Botërori 1990.
NDESHJA - Përballja nisi mirë për Brazilin, teksa 'Seleçao' pa të fitonte një 11 metërsh pas vetëm 14 minutave lojë. Nga pika e bardhë u paraqit Bruno Guimaraes, por portieri i Norvegjisë, Nyland, ndali goditjen e fantazistit.
Pas këtij momenti Norvegjia tregoi se ishte ajo zot në fushë duke dhuruar një futboll të bukur, me qarkullim topi, lojë në kuadrate të ngushta dhe dalje të shpejta në sulm, shoqëruar me një mbrojtje të fortë dhe agresive.
Në disa momente Alisson në portën e Brazilit dhe Nyland në katërkëndëshin e Norvegjisë bënë pritje shpëtimtare, për t'i lënë emocionet në fundin e duelit. Në minutën e 79-të, një krosim i Schjelderup nga e majta e sulmit bëri që Erling Haaland të kërcente mbi të gjithë duke kaluar Norvegjinë në avantazhin 0-1.
Kaq u desh që Brazili të zgjohej, por një 'ping-pong' në zonë dhe një top që po shkonte drejt rrjetës u ndal nga portieri i evropianëve. Norvegjia nuk u ndal dhe vijoi lojën e saj. Në minutën e fundit, Haaland mori sërish një pasim nga Schjelderup, vështroi portën nga kufijtë diagonal të zonës dhe nga vendi lëshoi një 'predhë' me të majtën që u ndal në fundin e rrjetës së Alisson për herë të dytë. 0-2 dhe festa ishte legjitime për Haaland me shokë.
Në shtesën e dhjetë të ndeshjes, pas një ndërhyrje të gabuar në zonë, Brazili fitoi 11 metërshin e dytë të ndeshjes. Neymar nuk gaboi dhe shkurtoi shifrat për 1-2, por nuk kishte më kohë dhe pas 100 minutash lojë ishte Norvegjia që siguroi biletën për në fazën çerekfinale të Botërorit 2026. Në pesë përballjet mes tyre në histori, Brazili nuk ka fituar asnjë sfidë kundër Norvegjisë.
Në çerekfinale Norvegjia do të përballet kundër Anglisë.
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
"Kjo humbje është hapi i parë i ciklit të ri të kësaj kombëtareje", tha trajneri Carlo Ancelotti, duke u përpjekur të përtypë një eliminim shumë të dhimbshëm, si për fazën e turneut ashtu edhe për mënyrën se si erdhi.
Brazili u mposht 1-2 nga Norvegjia në 1/8-at e Kupës së Botës 2026, por ekipi i Ancelottit humbi një 11 metërsh me Guimaraes në minutën e 14-të të sfidës, gjë që mund të ndryshonte fatet e kualifikimit.
"Është e qartë se jemi të gjithë thellësisht të trishtuar, ne të stafit teknik dhe lojtarët, po aq sa edhe tifozët, sepse ndoshta skuadra nuk po zhvillonte një Botëror spektakolar, por turneu ynë ishte padyshim i mirë dhe sot e meritonim fitoren.
Zhvilluam një pjesë të parë shumë pozitive dhe krijuam disa raste kur rezultati ishte ende 0-0. Po e kontrollonim ndeshjen dhe kishim mundësi për të shënuar. Kishim vendosur të mos ushtronim presion shumë lart, duke pasur parasysh karakteristikat e kundërshtarit, që ishte shumë i rrezikshëm në kundërsulme.
Gjithçka shkoi mirë për 70 minuta, pastaj erdhi Haaland dhe vendosi fatin e ndeshjes", tha ai.
Çfarë lë pas ky Botëror?
"Nga ana e rezultatit, mbetet një përvojë zhgënjyese dhe një ndjenjë e madhe trishtimi. Por mbetet gjithashtu një përvojë shumë e bukur dhe një grup pune i shkëlqyer. Dua t'i falenderoj djemtë për atmosferën që krijuan.
Jo gjithmonë gjërat shkojnë ashtu siç dëshirojmë ne dhe jo gjithçka është gjithmonë perfekte. Sot nuk e meritonim të humbnim, por në këtë analizë duhet marrë parasysh edhe kundërshtari, një ekip me lojtarë të shkëlqyer që bënë diferencën", vijoi ai.
Natyrisht, trajneri u pyet edhe për zgjedhjen e goditësit të penalltisë, pse Bruno Guimaraes dhe jo Vinicius, edhe pse sulmuesi i Real Madridit ka gabuar disa penallti gjatë karrierës.
"Para ndeshjes bëmë një analizë statistikore të penalltive të goditura dhe të realizuara gjatë muajve të fundit. Më i miri ishte Raphinha, pastaj Neymar dhe më pas Igor Thiago. Asnjëri prej tyre nuk ishte në fushë.
Nga lojtarët që po luanin, më i miri ishte Bruno Guimaraes dhe për këtë arsye ai e goditi penalltinë. E zgjodhëm sepse besonim se ishte alternativa më e mirë", tha Ancelotti.
E ardhmja - "Dhe tani? Tani duhet ta përballojmë këtë trishtim të madh dhe duke filluar nga nesër, të mendojmë për të ardhmen e kësaj kombëtareje, e cila tashmë ka një grup të rinjsh shumë interesantë, lojtarë me përvojë që janë ende të fortë dhe veteranë që mund të vazhdojnë", tregoi ai.
Ancelotti nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ekipi në këtë moment të vështirë. Ai është i bindur se mund ta rikthejë Brazilin në majat e futbollit dhe ka katër vjet kohë për ta bërë këtë.
Përpara Botërorit ai rinovoi kontratën e tij deri në vitin 2030, edhe sepse ky turne, i përgatitur vetëm në 13 muaj, varej nga shumë faktorë emocionalë dhe sportivë që nuk ofronin garanci të plota.
Brazili ëndërronte të fitonte "Hexa", titullin e gjashtë botëror, por tashmë do të duhet të presë të paktën 28 vjet pa yllin e shumëpritur të gjashtë. Kurrë më parë nuk kishte pritur kaq gjatë, edhe pse kurrë nuk i ka munguar talenti.
Neymar ka konfirmuar fundin e aventurës së tij me kombëtaren e Brazilit, menjëherë pas eliminimit të “Seleçaos” nga Kupa e Botës 2026.
Sulmuesi brazilian, i cili bëri përpjekje të mëdha për t'u rikthyer në kohë pas dëmtimit dhe për të qenë pjesë e skuadrës së Carlo Ancelottit në Botëror, nuk arriti të kishte rolin që kishte shpresuar. Edhe pse u rikuperua dhe ishte i gatshëm për të kontribuar, ai nuk fitoi besimin për të qenë titullar gjatë turneut.
Në ndeshjen ndaj Norvegjisë, Neymar u aktivizua nga stoli duke shënuar golin që shkurtoi diferencën. Megjithatë, eliminimi 2-1 vulosi fundin e rrugëtimit të “Seleçaos”, ndërsa për 34-vjeçarin shënoi edhe mbylljen e karrierës me fanellën verdhejeshile.
Pas ndeshjes, Neymar emocionoi me deklaratën e tij.
“U përpoqa. U përpoqa. Gjithçka nisi këtu në ‘MetLife Stadium’ dhe tani përfundoi po këtu. Tani ka marrë fund”, citohet ai nga Fabrizio Romano.
Në 130 ndeshje me Brazilin, Neymar ka shënuar 80 gola, më shumë se kushdo tjetër me fanellën e 'Seleçaos'.
Gjatë karrierës së tij me kombëtaren e Brazilit, Neymar nuk arriti të fitojë Kupën e Botës, ndërsa trofetë e tij me “Seleçaon” mbeten Kupa e Konfederatave dhe medalja e artë olimpike.

Eliminimi 2-1 nga Norvegjia në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026 nuk shënon vetëm fundin e aventurës së Brazilit në turne, por zgjat edhe një statistikë që prej më shumë se dy dekadash është kthyer në një makth për pesë herë kampionët e botës.
'Seleçao' nuk ka arritur të fitojë asnjë ndeshje ndaj një skuadre evropiane në fazën me eliminim direkt të një Botërori që nga finalja e vitit 2002, kur mposhti Gjermaninë 2-0 falë dopietës së Ronaldos dhe ngriti trofeun e pestë botëror në Yokohama.
Që prej atij triumfi historik, çdo përballje me një rival evropian në fazën direkte ka përfunduar me eliminimin e brazilianëve.
Seria negative e Brazilit ndaj skuadrave evropiane në fazën me eliminim direkt:
2002 - Finale: Brazil 2-0 Gjermani
2006 - Çerekfinale: Francë 1-0 Brazil
2010 - Çerekfinale: Holandë 2-1 Brazil
2014 - Gjysmëfinale: Gjermani 7-1 Brazil
2018 - Çerekfinale: Belgjikë 2-1 Brazil
2022 - Çerekfinale: Kroaci 1-1 Brazil (4-2 me penallti)
2026 - 1/8 e finales: Norvegji 2-1 Brazil
Edhe pse ndeshja për vendin e tretë në Botërorin 2014 nuk konsiderohet pjesë e fazës me eliminim direkt, humbja 3-0 ndaj Holandës vetëm sa thelloi dominimin e skuadrave evropiane ndaj Brazilit në atë edicion.
Komente










