Liverpool rikthehet menjëherë në kryesimin e Premier Leagues. “Të kuqtë” shkatërruan 5-0 ekipin e vendit të fundit Huddersfield në “Anfield Road” dhe parakalojnë Cityn duke u ngjitur në kuotën e 91 pikëve dy më shumë se ekipi i Guardiolës.
Naby Keita që në minutën e parë i dha Liverpoolit avantazhin dhe më pas filloi festivali i dyshes Mane-Salah që shënuan nga dy gola secili. Senegalezi dyfishoi në minutën e 23-të ndërsa goli i tretë i ndeshjes u shënua nga Salah në fundin e pjesës së parë.
Në fraksionin e dytë realizojnë sërish Mane e Salah me egjiptianin që me 21 gola ka shënuar një më shumë se shoku i skuadrës. Liverpool nuk dorëzohet për titullin por të kuqve u kanë mbetur vetëm dy ndeshje ndërsa City ka tre takime në dispozicion dhe e ka në dorë titullin e dytë radhazi.
Ndërsa në kuadër të javës së 34-të të Serisë A në “San Siro” sonte luhet derbi i Italisë ,Inter-Juventus. Pavarësisht se bardhezinjtë titullin e fituan që një javë më parë ndaj një kundërshtari të përjetshëm duan vetëm fitore ashtu siç ka deklaruar edhe trajneri Max Allegri.
Me më të mirët do zbresë në fushë Juventusi ku rikthehet edhe mbrojtësi Chiellini nga dëmtimi ndërsa në sulm do jenë Ronaldo-Bernardeschi e Cuadrado. Interi është në kërkim të pikëve Champions përveç prestigjit të një fitoreje ndaj kampionëve.
Luciano Spalletit i rikthehet në dispozicion mesfushori Brozovic ndërsa Lautaro Martinez është më i favorizuar se Icardi për të luajtur në majën e sulmit. Dueli nis në orën 20:30. /Përgatiti Andi Kapxhiu