Trafiku i narkotikëve
Në një kohë që opozita po akuzon përditë qeverinë se ka lejuar trafikun e lëndëve narkotike, kryeprokurori i përgjithshëm ka vërejtur se nga viti në vit kjo lloj vepre penale ka ardhur në rritje, madje edhe në kohën kur në pushtet ka qenë Partia Demokratike. “Numri më i lartë i çështjeve (269 procedime penale) janë për veprën penale të parashikuar në nenin 283/a i Kodit Penal (“Trafiku i lëndëve narkotike”).
Krahasuar me një vit më parë, rezulton se procedimet penale për këtë vepër janë pesëfishuar”, thuhet në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme për vitin e kaluar. Por shqetësim, sipas Kryeprokurorit mbetet fakti se në pjesën më të madhe të rasteve, personat e ndaluar dhe arrestuar janë thjesht transportues të lëndëve narkotike dhe jo “kokat” kryesore të narkotrafikut. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në hetimet pasurore: “Pasi subjektet e hetuar, më së shumti korrierë, shpesh rezultojnë pa prona, llogari bankare dhe pa veprimtari biznesi".
ILDKP asnjë kallëzim
Në raportin e hartuar nga Prokuroria e Përgjithshme sa i përket luftës ndaj korrupsionit në raport kallëzimet e bëra nga institucionet shtetërore pasqyrohen me anë të kësaj grafike me një shifër totale prej 1 669 të tilla. Por ajo që bie në sy në raportin e prokurorisë është e përgjatë 2013-ës i vetmi Institucion që nuk ka bërë asnjë kallëzim penal është ILDKP, i drejtuar deri një javë më parë nga Zana Xhuka. Pra përgjatë gjithë 2013-ës ILDKP që për detyrë të hetojë pasurinë e zyrtarëve të lartë nuk ka gjetur asnjë shkelje, kur në të njëjtën kohë në çdo raport ndërkombëtar, korrupsioni është theksuar si një nga problemet më të mëdha në vendin tonë.
GJAKMARRJA e pa ndëshkuar
Pavarësisht se fenomeni i gjakmarrjes është ende shqetësues për shoqërinë shqiptare, në raport për veprën penale: “Kanosje për gjakmarrje”, numri i procedimeve penale është rritur në vlera shuëm të vogla, madje të papërfillshme me realitetin e ngujimit, që lidhet ngushtë me këtë vepër penale
Ndërtimet pa leje
Ndërkohë që një tjetër sektor që ka pësuar rritje të madhe është pikërisht edhe ai i ndërtimeve me pa leje, për të cilin janë rritur kërkesat e procedimeve penale. “Ndër veprat që kanë pësuar rritjen më të madhe të procedimeve gjatë vitit 2013 vlerësohet “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar në nenin 199/a të Kodit Penal. Referuar statistikave, në vitin 2013 konstatohet rritje në shifrën 579%, krahasuar me vitin 2012. Organi i Prokurorisë ka qenë veçanërisht i angazhuar në goditjen e fenomenit të ndërtimeve të paligjshme, të cilat kanë shtrirje të gjerë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, por me një përqëndrim më të madh në zonën bregdetare të vendit”, thuhet në raport.
“Bixhozxhinjtë” në pranga
Një nga operacionet e para që ndërrmori qeveria Rama, sapo erdhi në pushtet ishte ai i goditjes së qendrave të lojërave të fatit, të cilat operonin pa leje. Kështu nga raporti i prokurorisë një rritje e konsiderueshme e procedimeve penale gjatë vitit 2013 konstatohet për zhvillimin e palejuar të lojërave të fatit. Sipas raportit përgjatë vitit 2013, krahasuar me një vit më parë, ka 502 procedime penale më tepër dhe e gjitha kjo falë dhe bashkëpunimit me administratën tatimore dhe policinë e shtetit përgjatë muajve të fundit të 2013, thuhet në materialin e depozituar në parlament.
Byroja e Hetimit
Në raportin e Prokurorisë thuhet se ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit është në fazën e diskutimeve intensive dhe drafti përfundimtar do të dalë pas konsultimeve me të gjithë faktorët e përfshirë në këtë proces.
PROCEDIMET
- Ka një ulje prej 5 % të numrit të procedimeve të regjistruara për vepra penale kundër trafiqeve të paligjshme në krahasim me vitin 2012.
- Ka rritje prej 66 % të procedimeve të dërguara për gjykim në krahasim me vitin 2012. N
- Ka një rritje të numrit të të pandehurve të cilët i janë dërguar gjyqit prej 50 % dhe rritje të numrit të të pandehurve të dënuar nga gjykata me 49 % përkundrejt vitit 2012.
-Numri i procedimeve të regjistruara për trafikim të qënieve njerëzore, pati të njëjtin trend me 2012, me një rritje të vogël (nga 36 në 41 raste).
- Gjatë vitit 2013 është punuar për verifikimin e 272 referimeve për hetim pasuror.
- Wshtë rritur ndjeshëm sasia e lëndëve narkotike të kapura gjatë vitit 2013, pjesa më e madhe e është bllokuar në flagrancë në pikat e kalimit kufitar.
-Ka një ulje të procedimeve penale në dy prej veprave penale më të rëndësishme, të përfshirë në këtë grup;Vrasje me dashje”- ulje 38 % , “Vrasje në rrethana cilësuese”- ulje 6 %. Vërehet një rritje me 6% të procedimeve penale për veprën “vrasjeve me paramendim”.
Shkrimi u publikua sot (04.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)