Prokuroria e Përgjithshme kërkon ndryshime të tjera kushtetuese. Puna e saj ndodhet në ngërç si pasojë e ndryshimeve të 22 korrikut, të cilat i heqin kompetenca që deri më tani nuk mund të ushtrohen nga askush.
 
Në një deklaratë për mediat organi i akuzës kërkon ndërhyrje emergjente në ligjin themeltar për të lënë në fuqi dispozitave të mëparshme ligjore, deri në miratimin e paketës së plotë të Reformës në Drejtësi.
 
Ngërçi i parë lidhet me SPAKU-un, Prokurorinë e Posaçme e cila me kushtetutën e re i merr organit të drejtuar nga Adriatik Llalla, të drejtën e hetimit të zyrtarëve të lartë, deputetëve, ministrave, gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë e atyre Kushtetuese.

Sipas dispozitave të reja, kompetenca për hetimin e këtyre funksioneve i takon Prokurorisë së Posaçme, SPAK.
 
Prokuroria e Përgjithshme konstaton si problematikë mungesën e një strukture që do të zhvillojë hetimin për këtë nivel zyrtarësh, deri në ngritjen e SPAK-ut. Po ashtu, problematikë është edhe fakti se duhet gjetur një zgjidhje emergjente për trajtimin e rasteve të juridiksionin fillestar që janë aktualisht në gjykim apo në hetim.”
 

Ngërçi i dytë lidhet me këshillin e lartë të prokurorisë i cili merr të gjitha kompetencat për karrierën e prokurorëve si emërimi, komandimi, transferimi dhe shkarkimi i tyre. Problemi qëndron në faktin se kjo strukturë duhet të ngrihet brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e Kushtetutës. Shto këtu dhe faktin se ligji për funksionimin e institucionet e reja të drejtësisë duhet ët miratohet në komisionin e reformës në drejtësi dhe me votat e opozitës.
 
“Deri në ngritjen e KLP-së, krijohet ngërç në disa nivele të prokurorisë, ku aktualisht ka drejtues prokurorie, prokuror dhe oficer të Policisë Gjyqësore të komanduar, të cilëve u përfundon afati i komandimit. Gjithashtu, brenda muajit Tetor 2016 duhen emëruar prokuror magjistratët e rinj, të cilët kanë fituar këtë të drejtë.

 
Këshilli i lartë i prokurorisë merr dhe kompetencën për inspektimet e brendshme, duke lënë në pikëpyetje fatin e inspektimeve dhe procedime disiplinore që kanë nisur tashmë nga prokuroria e përgjithshme. Adriatik Llalla i ka dërguar letër kuvendit për t’i kërkuar zgjidhjen me votë të këtij ngërçi.